Koalicion vetëm me ata që janë për shkëmbim të territoreve

18 gusht 12:10

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim (LB), Avni Klinaku, ka deklaruar se kjo parti do të bëjë koalicion parazgjedhor vetëm me ato subjekte politike që përkrahin shkëmbimin e territoreve Kosovë – Serbi.

Ai ka treguar se këtë kusht ia kanë bërë të qartë edhe PDK-së, me të cilën kanë bashkëpunuar në dy palë zgjedhjet e fundit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Klinaku ka deklaruar se vetëm përmes shkëmbimit të territoreve mund të zgjidhet problemi shekullor shqiptaro-serb.

“Është e vërtetë që herëve të kaluara kemi bërë koalicione parazgjedhore por, siç e di i gjithë opinioni, ato kanë qenë koalicione jo mbi bazën programore, çka nuk do të ndodhë kësaj radhe. Lëvizja për Bashkim është e prerë në këtë drejtim: do të shkojë në koalicion parazgjedhor vetëm me ato subjekte politike të cilat janë të interesuar për ta zgjidhur problemin shekullor në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes ndërrimit të territoreve”, ka thënë ai.

Klinaku ka sqaruar se nëse askush prej subjekteve politike nuk e pranon kushtin e tyre, atëherë LB-ja do të garojë e vetme në këto zgjedhje.

“Nëse të gjitha partitë politike vazhdojnë me këto deklarime kundër ndryshimeve të territoreve, atëherë ne nuk do të bëjmë koalicion me askënd, por do të shkojmë të vetëm në zgjedhje”, është shprehur ai.

Kliniku i ka quajtur të kotë zërat të cilët pretendojnë se çështja e shkëmbimit të territoreve është mbyllur. Sipas tij, kjo çështje nuk do të mbyllet derisa të zgjidhet përfundimisht.

“Kjo çështje tashmë është hapur dhe jemi të bindur se nuk do të mbyllet më derisa të zgjidhet përfundimisht. Sepse zgjidhja e çështjes shqiptaro-serbe bëhet vetëm përmes ndërrimit të territoreve në bazë të vijave etnike. Vetëm kur të ndodhë kjo Kosovës i hapet perspektiva e zhvillimit dhe ajo e integrimit kombëtar e ndërkombëtar”, ka thënë ai, duke shtuar se partitë politike po e kundërshtojnë këtë ide për shkak të votave.

“Epoka e re”: Z. Klinaku, tashmë është caktuar data për shpërndarjen e Kuvendit, pas së cilës do të caktohet edhe data e zgjedhjeve të parakohshme. Sa është e gatshme LB-ja për këto zgjedhje?
Klinaku: Këto zgjedhje ndoshta të gjithë i kanë zënë të papërgatitur, sepse kanë qenë të papritura ngase kanë ardhur nga një shkak i papritur. Sidoqoftë, çdo subjekt politik, sikurse edhe ne, duhet të mobilizohemi për këto zgjedhje. Nuk kemi rrugë tjetër.

“Epoka e re”: A kanë diskutuar strukturat e LB-së se si do të shkohet në këto zgjedhje? Zakonisht ju keni shkuar në koalicione parazgjedhore me subjekte të tjera politike?
Klinaku: Është e vërtetë se herëve të kaluara kemi bërë koalicione parazgjedhore por, siç e di i gjithë opinioni, ato kanë qenë koalicione jo mbi bazën programore, çka nuk do të ndodhë kësaj radhe. Lëvizja për Bashkim është e prerë në këtë drejtim: do të shkojë në koalicion parazgjedhor vetëm me ato subjekte politike të cilat vërtet janë të interesuara për ta zgjidhur problemin shekullor në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes ndërrimit të territoreve.

“Epoka e re”: Mirëpo kjo ide e ndryshimit të kufijve e iniciuar vitin e kaluar nga presidenti Thaçi është kundërshtuar fuqishëm nga të gjithë.
Klinaku: Kjo çështje nga presidenti është diskutuar vonë. Tanimë kjo çështje  është aktuale këtu, por edhe në botën e jashtme. Partitë janë shprehur kundër kësaj ideje, së paku kështu janë deklaruar në opinion, ani pse në debatet e brendshme të tyre është thënë diçka tjetër. Ne jemi të interesuar që kjo çështje të diskutohet botërisht dhe të analizohet me seriozitetin që meriton.

“Epoka e re”: Meqenëse ideja e shkëmbimit të territoreve është kundërshtuar nga të gjitha partitë, me kë do të bëni koalicion?
Klinaku: Nëse të gjitha partitë politike vazhdojnë me këto deklarime kundër ndryshimeve të territoreve, atëherë ne nuk do të bëjmë koalicion me askënd, por do të shkojmë si të vetëm në zgjedhje.

“Epoka e re”: Në zgjedhjet e kaluara keni qenë në koalicion me PDK-në. Ka pasur përpjekje të PDK-së për ta vazhduar bashkëpunimin edhe në këto zgjedhje?
Klinaku: Diskutime nuk ka pasur. Interesim nga ana e PDK-së ka pasur por, t’ju them të drejtën qysh në fillim, u kemi thënë se ata duhet të pozicionohen qartë në raport me zgjidhjen e çështjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Epoka e re”: Pra, ju jeni të vendosur se koalicion parazgjedhor do të bëni vetëm me atë parti që është pro shkëmbimit të territoreve Kosovë – Serbi?
Klinaku: Po, pavarësisht se cila është ajo parti. E rëndësishme është t’i ndihmojmë zgjidhjes së kësaj çështje. Pra, kësaj radhe ne i japim prioritet kësaj.

“Epoka e re”: Si do ta vlerësoni debatin që është zhvilluar rreth kësaj çështje? A është bërë në mënyrën e duhur?
Klinaku: Faktikisht debat serioz për këtë çështje nuk ka pasur. Të gjithë këtë debat ia kanë përshtatur votës, pra kanë folur për qëllime elektorale. Ndërsa informatat që ne i kemi nga brenda partive politike, aty debatet ziejnë me kundërshtime rreth kësaj çështje. Por edhe sondazhet që janë bërë publike deri më tani kemi parë se deri në 30 për qind ka shkuar përkrahja e qytetarëve të Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi me anë të ndërrimit të territoreve. E shohim këtë si të vetmen mundësi për t’i dhënë fund konfliktit shekullor Kosovë – Serbi dhe Kosovës për t’iu hapur perspektiva të reja.

“Epoka e re”: Pse mendoni se partitë e tjera politike po hezitojnë ta përkrahin publikisht këtë ide?
Klinaku: Po frikësohen nga opinioni, sepse kjo çështje për një kohë të gjatë ka qenë temë tabu. Ka qenë e tillë për shkak të pozicionit kundër të ShBA-së. Por meqenëse tani ka një vit që ShBA-ja në këtë drejtim ka ndërruar qasje dhe e ka hapur mundësinë për t’u diskutuar edhe për ndërrim të territoreve si një zgjidhje e përhershme. Mirëpo partitë politike konsiderojnë se opinioni ende është kundër kësaj ideje dhe për shkak të votave frikësohen të deklarohen publikisht për këtë çështje.

“Epoka e re”: Por kryeministri në dorëheqje dhe shumë kundërshtarë të kësaj ideje kanë deklaruar se çështja e ndërrimit të territoreve është mbyllur?
Klinaku: Ata mund të mendojnë çka të duan, mirëpo kjo çështje tanimë është  hapur dhe nuk është mbyllur. Kjo çështje ka qenë e mbyllur për më shumë se një dekadë. Këtë e di shumë mirë AAK-ja dhe z. Haradinaj, që kur përfaqësuesi i tyre ka qenë në proces të bisedimeve, kjo çështje ka qenë e mbyllur. Tanimë ajo është hapur dhe nuk mund të mbyllet më.

“Epoka e re”: Ju jeni të bindur se ndërrimi i territoreve nuk do të mbyllet pa u zgjidhur?
Klinaku:  Kjo çështje tashmë është hapur dhe jemi të bindur se nuk do të mbyllet më derisa të zgjidhet përfundimisht. Zgjidhja e çështjes shqiptaro-serbe bëhet vetëm përmes ndërrimit të territoreve në bazë të vijave etnike. Vetëm kur të ndodhë kjo Kosovës i hapet perspektiva e zhvillimit dhe ajo e integrimit kombëtar dhe ndërkombëtar.

 Muhamet KOCI 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha të dielën se…