Koalicioni ka mundur të funksionojë edhe më mirë

20 prill 2019 | 16:15

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka vlerësuar se koalicioni qeverisës ka mundur të funksionojë edhe më mirë, por është ballafaquar me mungesë të numrave në Kuvend.

Megjithatë, ai ka thënë se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë aktuale.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Berisha ka deklaruar se problemi është se nëse shkohet në zgjedhje në këtë kohë sa mund të përmirësohet situata.

Prandaj, sipas tij, partitë duhet të diskutojnë për kohën se kur duhet të mbahen zgjedhjet. Berisha ka folur edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin proces ka thënë se është në rrugë të gabuar.

Për të pasur sukses ky proces, ai ka thënë se faktori politik duhet t’i unifikojnë qëndrimet, në të kundërtën këto bisedime bartin rreziqe serioze për Kosovën dhe rajonin.

“Epoka e re”: Z. Berisha, të dielën në Maqedoninë e Veriut do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Në këtë garë për herë të parë është një kandidat i pavarur shqiptar, Blerim Reka. Ju nëpërmjet një statusi në llogarinë tuaj në ‘Facebook’ keni kërkuar nga qytetarët ta mbështesin z. Reka. Si e shihni këtë proces dhe cilat janë pritjet ga zgjedhjet e së dielës?

Berisha: Është proces normal siç është normal edhe kandidimi i z. Reka për president të Maqedonisë së Veriut. Në vendet demokratike, për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, është e drejtë legjitime, edhe pse në rastin konkret dikush mund të jetë më i befasuar pse një shqiptar për herë të parë kandidon. Pres mbështetje masive nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht nga shqiptarët për z. Reka, për të treguar kulturë shtetformuese dhe identitet kombëtar në vendin e vet ku janë autoktonë.

“Epoka e re”: Si e komentoni qeverisjen e deritanishme të koalicionit PAN dhe rolin opozitar?

Berisha: Mendoj se ka mundur të funksionojë edhe më mirë. Mazhoranca aktuale ka mungesë të numrave dhe është normale që gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet.

“Epoka e re”:  Kjo qeveri dhe ky koalicion vazhdon t’i ketë problem numrat në Kuvend. Parashihni rrezik për rrëzimin e kësaj qeverie?

Berisha: Rreziku i numrave ka qenë që nga dita e parë për këtë qeveri, mirëpo numrat mungojnë edhe për ta rrëzuar atë. Problemi nuk është veç te numrat, por edhe tek ajo se nëse shkojmë në zgjedhje në këtë kohë, çka mund të ndryshohet për të mirë nga situata që jemi?

“Epoka e re”: Është përfolur shumë në opinion çështja e zgjedhjeve të parakohshme. Do të ketë zgjedhje këtë vit?

Berisha: Në Kosovë gjithçka është e mundur, mirëpo nuk mund të vazhdohet kështu. Prandaj duhet të diskutohet midis partive politike për kohën se kur duhet të mbahen zgjedhjet.

“Epoka e re”: Z. Berisha, qysh e shihni vazhdimin e procesit të dialogut Kosovë – Serbi meqë ende nuk është pezulluar taksa? Çfarë pritjesh keni nga ky proces? Besoni se do të mund të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse këtë vit?

Berisha: Bisedimet me Serbinë janë në rrugë të gabuar, sepse gabimi trashanik i Kosovës ka qenë që në fillim kur në Bruksel është biseduar për vendin tonë dhe për problemet e brendshme me një shtet fqinj i cili ka bërë gjenocid ndaj qytetarëve shqiptarë. Me një fjalë, Serbinë, të cilën e kemi larguar me luftë, politika e papërgjegjshme e ka kthyer përsëri si faktor me të cilin duhet të diskutohet. Kosova në vitin 2008 e ka shpallur pavarësinë dhe nuk e di pse me Serbinë është dashur të flitet, ta zëmë, për urën në Mitrovicë dhe për shumë çështje të tjera që i takojnë Kosovës. Deklarata e Vuçiqit, se ‘duhet të fitoj diçka nga bisedimet dhe duhet bërë kompromis me Kosovën’, është një tregues për logjikën millosheviqiane të politikës zyrtare të Serbisë në raport me Kosovën. Por këtu mendoj se edhe Hashimi ka shkelur në ‘dërrasa të kalbura’, siç thotë populli, i cili me akrobacionet politike i ka dhënë mundësi Serbisë të bëhet faktor në tavolinë, që tash të qesë edhe kushte sikurse Kosova të jetë provincë e saj dhe jo shtet i pavarur. Për të pasur sukses në këtë përballje politike faktori politik dhe institucional fillimisht duhet t’i bashkojnë qëndrimet mes vete në përputhje me rendin kushtetues, pastaj të futen në përballje me Serbinë. Përndryshe, kështu si jemi aktualisht, bisedimet me Serbinë bartin rreziqe serioze për Kosovën dhe rajonin.

“Epoka e re”:  Samiti i Berlinit që do të mbahet më 29 prill mund të ketë ndonjë efekt pozitiv për Kosovën?

Berisha: Nga Samiti i Berlinit pres të sqarohen pozicionet edhe të organizatorit, por edhe të palëve Kosovë-Serbi rreth të ardhmes të dy vendeve, por edhe të rajonit. Qëndrimet e përfaqësuesve të Kosovës në këtë samit janë tepër të rëndësishme prandaj mendoi se nuk duhet të shkohet me dy qëndrime për një materie sepse dalim joserioz dhe lëmë hapësirë për manovrim të logjikes politike ruso-sllave në rajonin e trazuar të Ballkanit. Kosova duhet të sillet si shtet i pavarur dhe Serbinë duhet ta trajtoj si shtet fqinjë, në të kundërtën rrezikojmë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe paqen në rajon kur kemi parasysh se në Serbi vazhdon të jetë në krye të institucioneve  mentaliteti që në fund shekullin e kaluar ka bërë  luftëra të përgjakshme.

(Shqipe Hetemi)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra e Trajnimit që funksionon në kuadër të Korporatës Energjetike…