Koalicioni Nisma-AKR-PD do ta kalojë pragun, AKR-ja do t’i ketë tre deputetë

21 tetor 13:31

Kryetari i Kuvendit të AKR-së, Fatmir Matoshi, është shprehur i bindur se koalicioni Nisma-AKR-PD do ta kalojë pragun zgjedhor pas rinumërimit të 530 kutive të votimit.

Ai ka thënë se procesi i rinumërimit ka evidentuar disa parregullsi, korrigjimi i të cilave do të sjellë rezultat pozitiv për këtë koalicion. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Matoshi ka vlerësuar se për këto manipulime dikush duhet të japë përgjegjësi.

“Koalicioni ynë ka kërkuar që të ketë rinumërim të tërësishëm të votave. Kjo kërkesë nuk është aprovuar. Megjithatë, KQZ-ja ka marrë vendim për rinumërim të disa kutive në komuna të ndryshme. Gjatë këtij rinumërimi po vërehen dhe po raportohen shumë parregullsi dhe dëmtime që i janë bërë koalicionit tonë. Korrigjimi i tyre patjetër se do të sjellë një rezultat më pozitiv për koalicionin AKR-NISMA-PD”, ka thënë Matoshi, i cili është kandidat për deputet nga ky koalicion.

Ai ka pranuar se koalicioni ka pritur rezultat më të mirë nga zgjedhjet e 6 tetorit. “Ne jemi të bindur se kemi qenë pjesë e Kuvendit edhe të dielën e 6 tetorit bazuar në votat që janë në kuti të votimeve. Pavarësisht se koalicioni ynë do të jetë në Kuvend, më duhet të theksoj se ky rezultat nuk ishte ai që prisnim ne si subjekte politike”, ka deklaruar Matoshi, duke shtuar se procesi i rinumërimit po merr pak kohë, por po qartëson çdo gjë. “E kuptojmë që i tërë ky proces po merr kohë pak më shumë sesa që do të duhej, por e mira e kësaj pune është që procesi i rinumërimit po përcillet në mënyrë strikte nga përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, vëzhgues të huaj, prokurorë, hetues etj. E gjithë kjo është një shpresë më shumë për një proces të pastër zgjedhor dhe, po ashtu, masat që priten të merren ndaj keqpërdoruesve të vullnetit qytetar do të jenë shenjë e mirë për proceset e ardhshme zgjedhore”, është shprehur Matoshi.

Matoshi ka folur edhe për numrin e deputetëve që AKR-ja do t’i këtë në Kuvend nëse ky koalicion e kalon pragun zgjedhor. Sipas tij, në organin më të lartë legjislativ kjo pati do t’i ketë tre deputetë. “Unë besoj se AKR-Nisma-PD e ka kaluar pragun e përcaktuar për përfaqësim në Kuvend. Në bazë të rezultateve që ne tani i kemi, presim që AKR-ja të përfaqësohet me tre deputetë në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës”, ka bërë me dije Matoshi.

“Epoka e re”: Z. Matoshi, deri më tani janë rinumëruar gati 50 për qind e kutive që ka kërkuar KQZ-ja. Në bazë të informatave që keni deri më tani, a është vërejtur ndonjë manipulim i votave të këtij koalicioni?
Matoshi: Kosova ka kaluar një proces demokratik dhe të qetë zgjedhor. Të metat e këtij procesi janë hetuar në bartjen e të dhënave nëpër formular dhe, po ashtu, edhe në tjetërsim të rezultateve të subjekteve politike dhe të kandidatëve në subjekte e koalicione që garuan së bashku. Koalicioni ynë ka kërkuar që të ketë rinumërim të tërësishëm të votave. Kjo kërkesë nuk është aprovuar. Megjithatë, KQZ-ja ka marrë vendim për rinumërim të disa kutive në komuna të ndryshme. Gjatë këtij rinumërimi po vërehen dhe po raportohen shumë parregullsi dhe dëmtime që i janë bërë koalicionit tonë. Korrigjimi i tyre patjetër se do të sjellë një rezultat më pozitiv për koalicionin AKR-NISMA-PD.

“Epoka e re”: Sa besoni se më këtë rinumërim të votave koalicioni Nisma-AKR-PD do të bëhet pjesë e Kuvendit?
Matoshi: Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre më 6 tetor. Deformimet e bëra rezultatit pas orës 19.00 të ditës së zgjedhjeve duhet të korrigjohen dhe kjo po ndodh në Qendrën e Numrit dhe Rezultateve. Ne jemi të bindur se kemi qenë pjesë e Kuvendit edhe të dielën e 6 tetorit bazuar në votat që janë në kuti të votimeve. Pavarësisht se koalicioni ynë do të jetë në Kuvend, më duhet të theksoj se ky rezultat nuk ishte ai që prisnim ne si subjekte politike.

“Epoka e re”: Edhe kandidatët për deputetë të partive të tjera janë ankuar te komisionarët për manipulim të votave. A duhet të japë dikush përgjegjësi për këto lëshime?
Matoshi: Patjetër se po, përgjegjësia për organizmin e zgjedhjeve është e KQZ-së. Zgjedhjet janë të kushtueshme, por ia vlen që në procesin zgjedhor të investohet edhe më tepër në mënyrë që të sigurohen edhe qytetarët, por edhe kandidatët se nuk do të mund të ketë deformim të rezultateve. Është shumë e rëndë nëse një kandidat i votuar për të qenë përfaqësues në Kuvend mbetet jashtë tij dhe ulësen e tij e merr një tjetër pa legjitimitet, por me manipulim votash. Ndoshta në zgjedhjet që vijnë duhen përdorur edhe skanerët ose ndonjë metodë më e avancuar që parandalon keqpërdorimet dhe tjetërsimin e vullnetit qytetar.

“Epoka e re”: Ky koalicion edhe më herët ka kërkuar rinumërim të votave në nivel vendi. A do ta bëni të njëjtën ankesë në PZAP pas përfundimit të procesit?
Matoshi: Tashmë po rinumërohen një numër i madh i vendvotimeve. Mund të ketë edhe vendime të reja nga KQZ-ja për rinumërime. E kuptojmë se i tërë ky proces po merr kohë pak më shumë sesa që do të duhej, por e mira e kësaj pune është se procesi i rinumërimit po përcillet në mënyrë strikte nga përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, vëzhgues të huaj, prokurorë, hetues etj. E gjithë kjo është një shpresë më shumë për një proces të pastër zgjedhor dhe, po ashtu, masat që priten të merren ndaj keqpërdoruesve të vullnetit qytetar do të jenë shenjë e mirë për proceset e ardhshme zgjedhore.

“Epoka e re”: Nëse ky koalicion e kalon pragun, sa deputetë mund t’i ketë AKR-ja në Kuvend?
Matoshi: Unë besoj se AKR-Nisma-PD e kanë kaluar pragun e përcaktuar për përfaqësim në Kuvend. Në bazë të rezultateve që ne tani i kemi, presim që AKR-ja të përfaqësohet me tre deputetë në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.

 Muhamet KOCI 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi anglez Harry Maguire u transferua me shumë bujë në…