Kodi zgjedhor, Kuvendi i Shqipërisë rrëzon dekretin e Metës

29 tetor 2020 | 16:37

Mazhoranca në Shqipëri ka rrëzuar dekretin e presidentit Ilir Meta i cili ktheu për rishqyrtim ndryshimet në kodin zgjedhor.

Ishin 96 deputetë të Kuvendit, që kanë votuar për rrëzimin e dekretit të Metës.

Pas kësaj kodi i ri zgjedhor do të hyjë automatikisht në fuqi pa ndryshimet që kërkonte presidenti Ilir Meta dhe opozita jashtëparlamentare.

Me rrëzimin e dekretit tashmë mbetet në fuqi formula e koalicioneve ku partitë duhet të grupojnë kandidatët në një listë të vetme.

Presdenti Ilir Meta ka reaguar pas rrëzimit të dekretit të tij ku kthente për rishqyrtim kodin e ri zgjedhor. “Asnjë surprizë nga Kuvendi i inceneratorëve dhe mbetjeve. Me qetësi dhe dashuri!”, ka shkruar shkurt presidenti Meta në një postim në llogarinë e vet në “Facebook”.

Kryeministri Edi Rama kishte bërë të qartë rrëzimin e dekretit të Presidentit, pavarësisht se ai e dërgoi kodin e ri zgjedhor në Komisionin e Venecias dhe pavarësisht deklaratave të komisionerit për zgjerim, Oliver Varhelyi, se do të ishte më mirë të pritej opinioni i komisionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Brendshme e Kroacisë ka njoftuar se dritat e…