Koha për një proces dekomunistizimi në Kosovë

01 janar 2019 | 12:49

Adri Nurellari

Debati politik në Kosovë përgjatë gjithë shekullit të kaluar është dominuar prej çështjeve etnike dhe përpjekjeve stoike të shqiptarëve për të jetuar të lirë e të pavarur, me dinjitet kombëtar në trojet e të parëve. Përqendrimi i vëmendjes kolektive te këto shqetësime në një farë mënyre i kanë eklipsuar në sytë e opinionit publik të Kosovës, betejat e mëdha ideologjike që kanë ndodhur në Evropë në dekadat e fundit. Për rrjedhojë, disfata e komunizmit dhe dështimi i modelit të ekonomisë së centralizuar e të komanduar të atij regjimi ka pasur pak jehonë e vëmendje brenda Kosovës. Madje nisja e këtyre debateve të brendshme të dimensionit ideologjik është konsideruar si mbjellje përçarje të panevojshme në një kohë kur nevojitet bashkimi i të gjithëve përballë armikut të përbashkët shekullor. Kjo gjë na ka sjellë në një situatë ku Republika e Kosovës ka kaluar në një transicion të dekolonizimit duke u rimëkëmbur prej shkatërrimeve të luftës, duke ndërtuar shtetin e pavarur e çrrënjosur gjurmët e kolonizatorit, mirëpo nuk ka përshkuar ende një proces të mirëfilltë të dekomunistizimit.

Në Kosovë nuk ka pasur mirëfilli një reflektim të krimeve e dëmeve të komunizmit sikurse është bërë në pjesën më të madhe të ish-bllokut komunist e, për rrjedhojë, ka ende një nostalgji të pranishme për komunizmin, sidomos në aspektin e mendimit ekonomik. E kundërta ka ndodhur në Republikën e Shqipërisë, ku komunizmi fillimisht e humbi popullaritetin në sytë e opinionit publik prej dështimit ekonomik dhe zisë së bukës, e mandej në një kohë të dytë për arsye të parimeve e vlerave universale që kishte shkelur.
Në Kosovë komunizmi u instalua vonë dhe pjesërisht krahasuar me pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë. Mirëpo edhe gjatë atij regjimi ka pasur një nomenklaturë komuniste të ndarë, një pjesë me qendër Gjakovën që pavarësisht bërjes pjesë e strukturave shtetërore, e kishin një orientim shpirtëror drejt Tiranës sikurse ishin Fadil Hoxha apo Mahmut Bakalli si dhe një degë tjetër që ishin shërbëtorë të verbër të Beogradit si Ali Shukriu apo Sinan Hasani. Megjithatë precipitimi i problemeve etnike në ish-Jugosllavi e ka bërë pothuaj të pamundur që të hidhet një këndvështrim mbi dimensionin ideologjik komunist gjatë sundimit serb në Kosovë. Me pak fjalë nuk kemi bërë rrugën e plotë të tranzicionit postkomunist që kanë bërë vendet e tjera që kanë vuajtur nën komunizëm.

Po të shqyrtojmë me vëmendje historinë e Kosovës shikohet se ekonomia socialiste nuk e bëri të plotë trajektoren harkore të ndërtim-dështimit që pati në vendet e tjera komuniste, ku përfshihet Shqipëria. Populli i Kosovës ka përjetuar vetëm fazën e parë të modernizimit të ekonomisë dhe industrializimit që solli regjimi komunist në vitet ‘60-të, ‘70-të dhe nuk ka parë sikurse në vendet e tjera, dështimin e atij modeli ekonomik në vitet ‘80-të e ‘90-të sepse historia u ndërpre në mes prej konfliktit etnik. Nëse në fund të viteve ‘80-të ekonomia e centralizuar komuniste e Shqipërisë detyrohej që të mbyllte fabrikat e të paguante punëtorët 80% të rrogës sepse ashtu humbte më pak, në Kosovë hiqej autonomia, ndërmerreshin masat represive dhe gjithë ish-Jugosllavia po shkonte me hapa të sigurt drejt luftës civile. Mbase qytetarët e Kosovës nuk e dinë, por mbyllja e industrisë së Shqipërisë është bërë vetë nga diktatori i fundit Ramiz Alia, disa vite të mira përpara se të rrëzohej regjimi komunist. Pra banorët e Kosovës nuk qëndruan mjaftueshëm gjatë në ato fabrika e ndërmarrje shtetërore e shoqërore sa të kuptonin se nuk ishin konkurruese dhe se falimentimi i tyre ishte i pashmangshëm.

Po ashtu vitet e represionit policor dhe terrori shtetëror që pasuan pas heqjes së autonomisë së Kosovës, krijuan në mënyrë të pashmangshme një kontrast me vitet autonomisë ku liria e pjesshme, qetësia dhe industrializimi modest dukeshin parajsë krahasuar me purgatorin e viteve ’90. Kjo solli në mënyrë graduale një glorifikim apo himnizim të periudhës së ish-Jugosllavisë si dhe një nostalgji të thellë për të kaluarën. Pra për qytetarët tipik të Kosovës, periudha para 23 marsit të vitit 1989 kur u suprimua autonomia e Kosovës konsiderohej lule apo ideale krahasuar me atë që po përjetohej në vitet ‘90-të. Për këtë arsye, në Kosovë ka munguar një vështrim kritik ndaj dimensionit joefikas të ekonomisë jugosllave sepse nostalgjia ka qenë ajo që ka mbizotëruar.

Në Kosovë ka qenë edhe një tjetër segment i shoqërisë që ka pasur një lidhje me mendimin e majtë komunist e që lidhej kryesisht me ndikimin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe dimensionin e atdhedashurisë. Bëhet fjalë për ata qytetarë të Kosovës që e donin shtetin amë pa kushte, ashtu si ishte qoftë edhe me regjimin enverist. Propaganda ka qenë e tillë prej Tiranës që i maskonte apo i fshinte mirë me efikasitet krimet dhe dështimet e atij regjimi duke ushqyer iluzione të mëdha tek bashkëkombësit përtej kufirit. Mirëpo fatmirësisht lëvizjet që kishin ndikim enveriste e që u përfshinë në luftën çlirimtare, në njëfarë mënyre gradualisht u konvertuan dhe e tretën dimensionin enverist. Hapja e Shqipërisë me plagët e mëdha të veta gjatë komunizmit e nxori realitetin lakuriq, dhe e bëri të kuptueshme se vuajtjet e banorëve të atjeshëm nuk ishin shumë ndryshe krahasuar me ato të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, çka e zbehu simpatinë për Enver Hoxhën. Aq më tepër që ndërhyrja çlirimtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tjerë, të cilët konsideroheshin armiq të përbetuar të komunistëve enverist, i dha grushtin e fundit afiniteteve të pjesëtarëve të këtij segmenti me komunizmin “made in Albania”.

Mirëpo nëse tifozët e komunizmit enverist u sfiduan haptazi nga të vërtetat kokëforta të historisë që u bën të njohura në kushtet e lirisë, tifozët apo trashëgimtarët e mendimit jugosllav ende nuk janë sfiduar siç duhet në Kosovë. Tanimë që shteti i pavarur i Kosovës po hyn në dekadën e re të dytë të jetës si dhe procesi i dialogut po i afrohet finales së madhe që do e mbylli kapitullin e konfliktit të ngrirë që kemi me Serbinë, unë mendoj se ka ardhur koha që të reflektojmë edhe për dimensionin komunist të së kaluarës. Pra sikurse po kalojmë në procesin e dekolonizimit, të kalojmë edhe në atë të dekomunistizimit, proces ky që shtetet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore e kanë kaluar gjatë viteve 90-të. Me këtë proces nënkuptohet procesi i pastrimit politik të çmontimit të trashëgimive të institucioneve shtetërore komuniste, mentalitetit, doktrinës, kulturës dhe psikologjisë në shtetet postkomuniste.

Nuk ka dyshim që edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga rënia e komunizmit në Kosovë, ideologjia komuniste mbetet thellësisht e rrënjosur në shoqëri dhe shpesh manifestohet në forma të ndryshme, veçanërisht në debatin politik, ekonomi, akademi, media apo në ligjërimin publik. Për fat të keq ka pasur shumë pak vëmendje e ndryshime kur bëhet fjalë për trajtimin e së kaluarës komuniste në Kosovë. Kur bëhet fjalë për diskutimet rreth kujtesës kombëtare të kosovarëve, shumica e vëmendjes i kushtohet ose diskriminimit etnik me të cilin u përballen shqiptarët gjatë regjimit të Millosheviqit ose në plagët e luftës. Pikëpamjet nostalgjike jugosllave dhe pikëpamjet simpatike ndaj Enveristit të Shqipërisë gjendesh shpesh të përhapura në diskursin publik të Kosovës sidomos kur bëhet fjalë për raportin me ekonominë e tregut. Mbetjet e mendimit komunist manifestohen në ditët e sotme më dukshëm në formën e kundërshtimit të ashpër ndaj privatizimit, reformave të tregut të lirë, dhe kthimit dhe mbrojtjes së pronës private, inkurajimit të sipërmarrjes private e konkurrencës së lirë. Duke lënë anash ideologjinë komuniste dhe duke u fokusuar tërësisht në debatet etnike gradualisht në Kosovë është çimentuar një qëndrim etatist që e mirëpret ndërhyrjen e shtetit në çdo sektor të jetës sociale dhe ekonomike si dhe një frymë kundër liberalizmit.

Prandaj procesi i dekomunistizimit është bërë një nevojë për shoqërinë e Kosovës sepse nuk shërben vetëm si një qëndrim moral i drejtë ndaj të kaluarës por edhe si kultivim i vlerave dhe parimeve të liberal demokracisë në kulturën politike të shoqërisë sonë. Vështirë se mund të ndërtojmë një të ardhme të begatë nëse nuk nxjerrim mësime nga pësimet e së kaluarës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka bërë…