KOK-u organizoi konferencën ‘Forumi për Sportin’, në kuadër të Javës Evropiane të Sportit

29 shtator 2023 | 16:43

Komiteti Olimpik i Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, ka organizuar të premten edicionin e pestë të konferencës “Forumi për Sportin”, që është mbajtur në kuadër të Javës Evropiane të Sportit 2023.

Presidenti i KOK-ut, duke bërë thirrje që të jemi sa më aktivë (BeActive), që është edhe motoja e javës, foli për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 si dhe për organizimin e forumit ndërkombëtar Platforma Evropiane e Sportit 2024, për të cilat tha se të gjithë bashkërisht synojmë të jemi shembull i organizimit dhe frymëzim për të tjerët.

Koordinatori nacional i Javës Evropiane të Sportit në Kosovë, Ibër Alaj, foli për aktivitetet e organizuara dhe për rëndësinë që ka marrja me aktivitete fizike. Konferenca u zhvillua në formë të panelit, ku në panel, krahas Alajt, ishin edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, drejtori i sportit në komunën e Prishtinës, Granit Rugova, trajnerja e gjimnastikës Abeliana Bregu dhe gjyqtarja e tenisit, Blearta Ukëhaxhaj, njëherësh ambasadore e Kosovës për promovimin e vlerave olimpike në garat e EYOF-it. Panelistët folën për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 si dhe të qenit aktivë me aktivitete fizike, derisa të pranishmit, që kryesisht ishin drejtues të federatave sportive, përfaqësues të MKRS-së, dekani i FEFS, Musa Selimi, patën mundësinë të diskutojnë për LM Prishtina 2030, duke kërkuar njëkohësisht sqarime të nevojshme në lidhje me mënyrën e organizimit dhe investimeve që do të bëhen nga Qeveria e Kosovës. Aktiviteti u përcoll edhe me video të Javës Evropiane të Sportit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Familjarët e tre sulmuesve të vrarë gjatë përleshjeve të armatosur…