Koleksioni i fotografive në AShAK

27 janar 2022 | 08:57

HATIXHE AHMEDI

 – dokumente për njohjen e Kosovës të shekullit të kaluar –

Në kuadër të veprimtarisë së vet, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës ka edhe njësinë e saj të veçantë, Fototekën, e cila ka një koleksion të rëndësishëm të fotografive. Ndonëse Fototeka e Arkivit të Kosovës, në të vërtetë, si njësi e veçantë është krijuar relativisht vonë (në vitin 2000), megjithatë ajo ka arritur të mbledhë dhe të promovojë një fond të konsiderue­shëm të fotografive të cilat sot kalojnë numrin 1 500.

Në këtë koleksion të fotografive, shumica sosh, i takojnë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, por nuk mungojnë edhe fotografi të viteve të mëhershme.

Ky koleksion është i rëndësishëm dhe merr vlera edhe më të mëdha për faktin se në të ruhen fotografi të personaliteteve të ndryshme të kohës, të ngjarjeve kryesore që kanë shënuar atë epokë, të monumenteve e objekteve që kishin filluar të ndër­toheshin dhe të atyre që, fatkeqësisht, janë shkatë­rruar dhe për to sot dimë vetëm përmes këtyre fotografive; së këndejmi ruhen fotografi të lagjeve, çarshive, shtëpive e rrugëve të vjetra të qyteteve tona, sidomos të Prishtinës, që sot nuk ekzistojnë, fotografi të zejeve dhe të zejtarëve që dikur ushtronin veprim­tarinë e tyre në qytetet tona, që tashmë kanë shkuar në histori dhe, meqë ato kanë pushuar së vepruari, ato i njohim pikë­risht vetëm përmes këtyre fotografive etj.

Prandaj, duke u nisur nga ky fakt, punimi ynë bën fjalë për vlerën dhe rëndësinë e koleksionit të fotografive që ruhen në Arkivin e Kosovës dhe i cili ndihmon sidomos për njohjen vizuale të Kosovës në gjysmën e dytë të shek. XX. Punimi bën fjalë edhe për përmbajtjen e këtij koleksioni, për vlerat e tij të shumëfishta, gjithsesi edhe për mënyrën e ruajtjes, rregu­llimit, sistemimit, shfrytëzimit e digjitalizimit dhe ofrimit të tij sa më të lehtë te studiuesit dhe të interesuarit e tjerë.

Hyrje

Njeriu, para se të zbulohej shkrimi, ngjarjet që i zhvillonte, ambi­entin që e rrethonte, të gjitha këto i përcillte nëpërmjet artit të vizatimit. Me zbu­limin e shkrimit, paralelisht me të edhe hovi i zhvillimit ekonomik, ndikuan që vizatimi i dikurshëm tanimë të mbetej vetëm si një degë e arteve të bukura ndërsa, më vonë, zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë rezultoi me atë që në vitin 1839 solli edhe deri te zbulimi i fotografisë, ku tanimë, me anë të aparatit fotografik, imazhet paraqiteshin mu ashtu sikurse që janë në të vërtetë.[1]

Dihet shumë mirë se historia e së kaluarës te ne ka ardhur nëpërmjet shkrimit të saj nga lapsat e historianëve. Asnjëherë nuk do të kishim të lidhur vargun e së kaluarës historike nëse nuk do të shkruheshin këto të dhëna nga historianët e së kalu­arës. Gjithashtu, këtu një rol të rëndësi­shëm luan edhe përzgj­edhja apo argumentimi me fakte, dokumente dhe me dëshmi i kësaj historie. Dokumentet dhe shkrimet e ndryshme janë faktet dhe argumentet kryesore të historisë së kaluar. Por, nga dokumentet jo të shkruara, e që janë fakte më se të vërteta, padyshim janë edhe fotografitë. Ndoshta fotografia shpesh edhe të afron shumë më shumë drejt një fakti që dikur ekzi­stonte, prandaj me plot të drejtë thuhet se “fotografitë e luajnë rolin e dokumenteve”.

Arritja dhe zhvillimi i fotografisë në trojet shqiptare

Zhvillimi i shpejtë i fotografisë në Evropë në shek. XIX ndikoi që ajo të zhvillohet edhe në shumë vende të Ballkanit, posaçërisht në Turqi, Kroaci, Bullgari e Serbi.[2] Zbulimi i fotografisë në vitin 1839[3], Kosovën e gjeti si vilajet në kuadër të Perandorisë Osmane,[4] e cila, së bashku me trojet e tjera, shqiptare, mbetën në kuadër të kësaj perandorie deri në vitin 1912, kur edhe kjo perandori iku nga trojet tona.[5]

Pas vitit 1912 territori i trojeve shqiptare, tanimë të ish-vilajetit të Kosovës, i cili përfshinte Kosovën e sotme, disa nga viset e mesme të Maqedonisë Veriore, tokat e Serbisë së sotme jugore, më saktë tokat e Sanxhakut të Nishit, i cili u spastrua etnikisht gjatë viteve 1878 dhe regjionin e Sanxha­kut të sotëm, shumi­cën e tokave të Malit të Zi dhe disa troje të Shqipërisë Veriore[6], ranë plotësisht nën sundimin e Serbisë dhe Malit të Zi. Këto të fundit ndoqën fushatën për shfarosjen e popullsisë shqiptare dhe koloni­zimin e tokave të tyre. Të gjitha ndodhitë dhe mizoritë që u bënë ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare në Kosovë u fotografuan nga fotogra­fët e ushtrisë serbo-malazeze. Këto fotografi paraqesin shumë rëndësi, por meqë janë të publikuara dhe të fshehura, nuk dihet se ku gjenden dhe nëpër cilat arkiva ruhen.[7] Kjo ngjarje tregon edhe një herë rëndësinë dhe vlerën e madhe të fotografisë në histori, dëshmitaren më besnike të kohës.

Sidoqoftë, sikurse u tha, fotografia, pas zbulimit të saj, depër­toi shumë shpejt në të gjithë botën. Në Perëndim filluan edhe të specializoheshin njerëzit në këtë fushë. Edhe pse ndoshta pak më vonë se në viset e tjera, ky zbulim dhe kjo risi dalë­ngadalë erdhi edhe në viset tona, duke u shtrirë në përgjithësi në trojet shqiptare.

Fotografia dhe aparati fotografik, pra të fotografuarit, për herë të parë te ne depërtoi nëpërmjet Austrisë, Italisë, Buda­pestit, por edhe nëpërmjet Perandorisë Osmane.

Kur albanologu dhe antropologu Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869) vizitoi Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë në vjeshtë të vitit 1863, ishte i shoqëruar edhe nga fotografi austriak Jozef Sekeli (Josef Székely, 1838-1901)[8], për të cilin mendohet se është ndër të parët që ka bërë fotografitë më të hershme të viseve shqiptare. Koleksioni i Jozef Sekelit përfshin 50 fotografi, me pamje të Shkodrës, të Prizrenit, të Ohrit dhe të Manastirit.[9] Foto­grafitë e anëve të Kosovës del të jenë bërë nga ky fotograf, të cilit i duheshin dy orë e gjysmë kohë për të realizuar një fotografi.[10]

Albanologu J. G. fon Han gjatë kësaj ekspedite jep edhe disa të dhëna për Prizrenin. Në mes të tjerash, ai shkruan: “Prizreni, i cili në atë kohë ishte qyteti më i madh i Shqi­përisë, kishte rreth 46 mijë banorë, prej të cilëve 36 mijë ishin myslimanë, 8 mijë bullgarë dhe vlleh dhe 2 mijë katolikë. Kishte jo më pak se njëzet e gjashtë xhami, si dhe dy kisha orto­dokse e një kishë katolike. Në krahasim me të, Shkodra, Durrësi dhe Vlora ishin fshatra. Këtu në fillim shtator 1863, Szekely bëri 5 fotografi”.[11]

Fotograf i trojeve shqiptare shquhet edhe baroni Franc Nopça (1877-1933). Ky ishte albanolog dhe paleontolog me origjinë hungareze. Udhëtoi shumë shpesh në Shqipëri, dhe në vise të ndryshme të Ballkanit, në Bosnjë, Kosovë, Maqedoni. Këto udhëtime ai i realizoi prej vitit 1903 deri në Luftën e Parë Botërore. Ai kishte edhe një shtëpi në Shkodër, e cila i ndihmonte shumë që të sistemohej gjatë udhëtimeve për realizimin e fotografive në malësinë dhe Shqipërinë e veriut. Rrugës e mori me vete pushkën, por edhe një “Kodak” për të bërë fotografi të rralla e magjep­sëse të këtij regjioni. Origjinalet e fotografive prej xhami ndodhen në Muzeun hunga­rez të Historisë Natyrore (Magyar Termeszettudomanyi Muzeum) në Budapest.[12] Baron F. Nopça ka realizuar disa fotografi me kostume shqip­tare.

Auguste Leon (1857-1940), gjithashtu, njihet si fotograf i cili fotografitë e para, gjithsej 97 fotografi të hershme me ngjyra të Shqipërisë, dhe 94 fotografi të Kosovës gjithashtu me ngjyra, i bëri me teknikën autochrome në vitin 1913.

Më 4 maj 1913 Auguste Leon me shoqëruesin e tij Jean Brunhes vijnë nga Shkupi në Prishtinë. Besohet se Leon ishte takuar me fotografët shko­dranë nga studio “Marubi” dhe me fotografin nga Gjakova, Ahmet Zherkën. Ahmet Zherka, në këtë kohë, pra gjatë vitit 1913, ishte shumë aktiv në atelienë e tij “Foto Zherka” në Gjakovë.[13]

August Leonit dhe shoqëruesit të tij Jean Brunhes këtë udhëtim ua mundësoi bankieri dhe bamirësi i madh Albert Kahn (1860-1940), për të bërë fotografi për arkivin e njohur dhe tani të quajtur Planet (Les Archives de la Planete), e që atëbotë synonte të bënte fotografi bardh e zi dhe me ngjyra, si dhe xhirime filmike, për t’i dokumentuar kulturat e ndryshme nëpër botë. Këto fotografi që u fotografuan në trojet shqiptare, Shqipëri, Maqedoni dhe në Kosovë, mbetën unike në histo­rinë e fotografisë shqiptare në veçanti dhe në atë të Ballkanit në përgjithësi.[14]

Edhe Hans Hildenbrand (1870-1957) ka qenë fotograf i njohur gjerman. Pas Luftës së Parë Botërore ai ka realizuar teknikën me ngjyra autochrome. Pas Luftës së Parë Botërore ai punoi për revistën “National Geografik”, me anë të së cilës edhe iu mundësua që ta vizitojë Ballkanin më 1926 dhe 1930, ku edhe i bëri disa fotografi në Prizren dhe Prishtinë.[15]

Fotografia në Shqipëri

Historia e zanatit të fotografisë në Shqipëri fillon me italia­nin Pietro Marubbi (1834-1903)[16] i cili u vendos në qytetin e Shkodrës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, ku hapi studion e parë të fotografisë në vitin 1858. Ndihmësit e parë të tij ishin shqiptarët shkodranë Mati dhe Kel Kodheli, më saktë djemtë e kopshtarit të tij Rrok Kodheli.[17] Ata, njëkohë­sisht, janë edhe vijuesit besnikë në fushën e fotografisë në tokat shqiptare. Mjeshtri i madh Pietro e dërgoi Matin, më të madhin nga dy vëllezërit, për të studiuar për fotografi në studion Sebastianutti & Benque në Trieste të Italisë. Me vdekjen e Mati Kodhelit (1881)[18] në moshë shumë të re, pra në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare, Pietro adoptoi Kelin[19], të cilin, po ashtu, e dërgoi për të studiuar në Itali. Edhe Keli trashëgoi mbi­emrin Marubi. Pas vdekjes së Pietros më 1903, Keli trashëgoi studion e babait të tij adoptues dhe vazhdoi punën. Kel Marubi ndoqi dhe fotografoi ngjarje të rëndësishme dhe figura të shquara, si përfaqësuesit e Shkodrës, para nisjes në Prizren më 1878, flamurin kombëtar që e ngritën malësorët në Deçiq, ngritjen e flamurit në Vlorë, pamje nga jeta e qyteteve shqip­tare në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Me veprimtarinë e Kel Marubit foto­grafia shqiptare u ngrit në nivelin e artit.[20]

Puna e tij u pasua nga i biri i tij Gegë Marubi (1909-1984)[21], i cili vijoi traditën familjare dhe studioi për fotografi dhe kine­matografi në studion e parë të njohur të vëllezërve Lumière[22] në Francë. Ajo çfarë vihet re në tre brezat e foto­grafëve është dëshira për të qenë modernë dhe të jenë në hap me rrjedhat bashkëkohore estetike dhe teknologjike.

Më 1970 pasurinë prej rreth 150 000 negativash, me vlera të shquara historike kombëtare, familja Marubi ia dhuroi shtetit. Kjo pasuri e dhuruar nga familja Marubi, së bashku me disa arkiva të disa fotografëve të tjerë, mundësuan ngritjen e Foto­tekës së Shkodrës.[23]

Marubi sot njihet edhe si familje e njohur, por edhe si firmë e njohur në Shkodër.[24] Këtë studio e vizitoi edhe Miss Mary Edith Durham (1863-1944), e cila njihej si antropologe, artiste, shkrimtare britanike, e cila u bë e famshme me shkrimet e saj rreth jetës në trojet shqiptare në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Për njëzet vjet me radhë ajo udhëtoi në Ballkan, duke u fokusuar sidomos në trojet shqiptare. Ajo e vizitoi edhe studion “Marubi” rreth viteve 1905 dhe 1913, së cilës edhe Kelë Marubi ia bëri një portret. Ajo mori pjesë edhe në festimin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar në Vlorë. Edit Durham shkroi shtatë libra rreth çështjeve të Ballkanit, ndërsa libri i saj më i njohur është “High Albania (Shqipëria e Epërme), botuar më 1909. Ky libër është një nga librat më të njohur të saj dhe ende edhe sot është një nga udhërrëfyesit më të njohur të kulturës dhe të traditave të malësorëve të Shqipërisë së Veriut.[25]

Fotografia në Kosovë

 Historia e fotografisë në Kosovë fillon me Ahmet Ymer Zherkën. Fotoatelieja e tij ishte dhe është e njohur edhe sot në tërë Kosovën. Shkollën fillore e kreu në Stamboll, të mesmen në Selanik, Akademinë Ushtarake të Mbretërisë Austro-Hun­gareze e kishte vijuar në Vjenë, me udhëzimin, ndikimin dhe ndihmën e patriotit gjakovar Bajram Curri. Ahmet Zherka nuk arriti të diplomohej meqë ishte “i dashuruar” shumë në aparatin fotografik, i cili asokohe ishte mrekulli kulturore në Vjenë.

Fotoaparatin e parë që e solli në Gjakovë, të cilin e kishte blerë me paratë e familjes, e solli nga Selaniku. Ai ishte fotoaparat i markës “Deutche Tailboard Kamera”, i konstruktuar nga druri i kuq “Eugen Loeber – Dresden”, prodhim i vitit 1895, për format të madh të pllakave të negativit 13×18 cm, me objektiv nr. 22145 Voigtlander Petzval.

Në vitin 1900 e hapi atelienë e parë në Gjakovë, por edhe të parën në Kosovë. Gjatë viteve 1900-1906 vizitoi studiot për fotografi në Budapest, Vjenë dhe Hamburg[26], duke e shfrytë­zuar qëndrimin si student në shkollat ushtarake të Austro-Hungarisë.

Gjatë okupacionit austrohungarez, në periudhën 1914-1918, ka qenë shumë aktiv në fotografimin e ngjarjeve të ndryshme, nga ajo periudhë, në Kosovë. Në familjen e tij janë ruajtur disa fotografi nga kjo fazë.

Krijimtaria fotografike e Ahmet Zherkës mund të analizohet në disa aspekte, por fillimisht si një dëshmitar i kohës, i cili ka fotografuar shumë ngjarje, personalitete dhe tematika të ndry­shme.

Periudha ndërmjet viteve 1914-1918 veçon përkushtimin e tij për të regjistruar të gjitha vendet kulturore dhe historike të Kosovës. Është posaçërisht e rëndësishme seria e fotografive të shkollave të para shqipe në Kosovë, më vonë edhe portreti i Bajram Currit si dhe fotografitë e aktivi­teteve të shumta sikurse edhe të luftëtarëve nga Kosova në periudhën kohore gjatë viteve 1900-1918. Ka fotografi të asaj kohe të cilave nuk u dihej autorësia, e këto fotografi mund t’i fotografonte vetëm Ahmet Zherka, sepse vetëm ai kishte lidhje me punën e Bajram Currit dhe të patriotëve të tjerë gjatë organizimit të aktiviteteve patriotike e ushtarake të shqiptarëve në të gjithë Kosovën.

Pas Luftës së Dytë Botërore, pra pas rëndimit të papunësisë dhe kushteve të rënda ekonomike, Ahmet Ymer Zherka shkoi të punojë në studio të ndryshme fotografike, si në Zagreb (1925-1928), pastaj edhe në Beograd (1935-1939). Ai ishte edhe fotografi i parë i agjencisë “Tipografija” në Zagreb, e cila njihej për prodhimin e kartolinave postare, kështu që me këtë rast ai shfrytëzoi mundësinë dhe fotografoi qytetet shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.[27]

Edhe në Prizren njihen fotografët e parë nga familjet Koro, Mjeda, Sharri, Kajtazi, por edhe shumë fotografë të tjerë të cilët punonin me shumë sukses në këtë qytet edhe pas vitit 1930 dhe gjatë okupacionit italian.[28]

Fotografi i parë në Prizren është Sylejman Koro, i cili ka punuar foto­graf zyrtar deri në fund të kohës së Perandorisë Osmane në vitin 1912. Pas kësaj kohë Sylejmani emigroi në Turqi. Për Sylejman Koron mendo­het që këtë zanat ta ketë mësuar nga Ahmet Zherka sepse, për shkak të afërsisë me Gjakovën, nga Ahmet Zherka mësuan zanatin e fotografisë, djemtë e familjes Koro: Sylejmani së bashku me vëllezërit e tij Sherif dhe Raif Koro.[29] Vëllezërit Koro me teknikë dhe literaturë fotografike i ndihmoi kushëriri i tyre Jusuf Koro, i cili studionte në Vjenë.[30]

Sipas Shukri Kaçanikut, fotografët e parë shqiptarë në Kosovë nga viti 1900-1950 janë:

Nga Gjakova: Ahmet Ymer Zherka (1880-1967);

Nga Prizreni: Zef Matej Mjeda (1890-1950), Sherif dhe Raif Koro, Faik Sadik Sherifi (1898-1975), Neshat Ismail Dizdari (1914-1999), Rafael Kajtazi (1925-2012), Asaf Nurkollari (1929-2009), Bitër Kajtazi (1900-1944), Rafael Kajtazi (1925-2012);

Nga Vushtrria: Nazmi Spahiu (1903-1976), Nesim Spahiu (1935-?);

Nga Prishtina: Rexhep Hysen Rakovica (1909-1988);

Nga Gjilani: Ramadan Beqiri Gilanliu (1905-?), Hafëz Beqiri (1907-?), Vehbi Rexhepi (1922-1997);

Nga Peja: Riza Pepa (1918-1943), Bajram Pepa (1912-1970);

Nga Mitrovica: Osman Hasan Zymi (1900-1954), Nysret Metarapi (1937).[31]

Këta fotografë të parë shqiptarë, duke filluar nga mjeshtri Pietro Marubi, për të vazhduar te vëllezërit Mati dhe Keli (Kodheli) Marubi nga Shkodra, Ahmet Ymer Zherka nga Gjakova, Sylejman Koro nga Prizreni, si dhe nga fotografimet e hershme të bëra me iniciativën e albanologut J. G. fon Han, duke filluar nga fotografi austriak Jozef Szekely, Baron Franz Nopcsa, Auguste Leon, Hans Hildenbrand, paraqesin edhe fotografitë e para në trojet shqiptare, të cilat janë dëshmi të gjalla të asaj kohe e që falë tyre disa nga këto dëshmi dhe ngjarje arrijmë t’i shohim edhe sot.

Dëshmitë dhe ngjarjet që gjenden në fotografitë e cituara, e që zakonisht ruhen nëpër arkiva apo muze shtetërore, kanë të dhëna të rëndësishme dhe argumente të padiskutueshme për të kaluarën, për ndryshimet dhe zhvillimet kulturore, sociale dhe ekonomike. Madje në këto fotografi, me anë të disa lidhjeve dhe nyjave që shohim te to, na mundësojnë që t’i ndrisim edhe disa ngjarje apo ndodhi historike të cilat tashmë nuk ekzistojnë dhe janë të shlyera fare.

Fototeka e Arkivit të Kosovës

Edhe në Arkivin e Kosovës ruhet “Koleksioni i fotografive” në “Këndin e fototekës”, thellësia kohore e të cilave arrin deri në vitin 1913. Pra, “Fototeka” është njësi e veçantë e cila vepron në kuadër të veprimtarisë së Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe e cila ka një kolek­sion të rëndësishëm të foto­grafive.

Ndonëse Fototeka e Arkivit të Kosovës, në të vërtetë, si njësi e veçantë është krijuar relativisht vonë (në vitin 2000), megjithatë ajo ka arritur të mbledhë dhe të promovojë një fond të konsi­derueshëm të fotografive të cilat sot kalojnë numrin 1 500 fotografi. Në këtë koleksion të fotografive, shumica sosh, i takojnë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, përkatë­sisht gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, por nuk mungojnë edhe fotografi të viteve të mëhershme.

Ky koleksion është i rëndësishëm dhe merr vlera edhe më të mëdha, për faktin se në të ruhen fotografi të personaliteteve të ndryshme të kohës, të ngjarjeve kryesore që kanë shënuar atë epokë, të monumenteve e objekteve që kishin filluar të ndër­toheshin dhe të atyre që, fatkeqësisht, ishin shkatërruar dhe për to sot dimë vetëm përmes këtyre fotografive.

Ky koleksion fotografish, me imazhe dhe përshkrime të ndryshme, të cilat, edhe pse si shumicë i takojnë një epoke relativisht të hershme, ruhet në 18 kuti arkivore.[32] Këto foto­grafi mund të shërbejnë për studime në fusha të ndryshme, duke filluar nga ajo kulturore, artistike, politike.

Formati i këtyre fotografive është i përmasave të ndryshme dhe i nuancës bardh e zi. Në këtë koleksion ruhen fotografi të shkollave, stafit mësimor dhe nxënësve të asaj kohe, lagjeve të vjetra, personaliteteve, ngjarjeve të ndryshme të fotografuara aty për aty, manifestimeve, mitingjeve, kurseve kundër analja­betizmit, përmendoreve, fotografi të brigadave dhe aradheve, fotografi të ndërtimeve të reja, xeheve dhe fabrikave të ndry­shme etj.

Fotografitë e shkollave, fjala vjen, paraqesin imazhin dhe dëshminë e shkollave të kohës, duke filluar nga ato fillore, të mesme dhe universitare. Nëpër këto fotografi paraqitet gjendja arsimore e asaj kohe. Shpesh hasim që në to të jenë të foto­grafuar nxënësit, apo studentët, por edhe grupe të ndryshme mësuesish dhe profesorësh të shkollave të mesme, shkollave normale, si dhe fotografi të profesorëve universitarë. Të gjitha këto fotografi dëshmojnë për rriten dhe zhvillimin e shkollave dhe arsimit në Kosovë. Në këtë koleksion vend të veçantë kanë edhe fotografitë e personaliteteve e kohës, përkatësisht të udhëheqësve të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore.

Me rëndësi janë edhe fotografitë e vendeve dhe qyteteve të Kosovës, shumica sosh të periudhës së të ashtuquajtur “rindërtimi socialist”, por ka edhe fotografi të mëhershme të qyteteve tona.

Këto fotografi na mundësojmë t’i njohim edhe lagjet e vjetra të qyteteve të Kosovës. Dhe jo vetëm kaq. Pamjet e kapura në plan të parë të soka­këve e të qorrsokakëve, xhadeve e rrugëve të dikurshme me kalldrëm, dhe pas tyre në plan të dytë edhe objekte të tjera trashëgimisë sonë kulturore, si xhamitë, sahat kulla etj., kur i vështrojmë, na duket sikur për disa çaste po ecim në atë kohë, sepse shumica e këtyre rrugëve, lagjeve dhe objekteve tashmë kanë shkuar në pakthim.

Në këtë koleksion ruhen edhe fotografi të Prishtinës me lumin e saj, Vellushën e Prishtevkën që ecnin qetësisht mes për mes qytetit, por që sot nuk janë dhe Prishtina ka marrë statusin e qytetit pa lumë. Përmes këtyre fotografive shihet edhe degra­dimi dhe shkatërrimi i vlerave dhe dëshmive historike, sipas parullës “ta ndërtojmë të renë duke e shkatërruar të vjetrën”. Sikur të ishin ruajtur këto, Prishtina sot do të kishte pamje plotësisht tjetër.

Në një pjesë të këtyre fotografive zënë vend fabrikat, meqë sistemi i kohës dëshironte t’i propagandonte sukseset drejt ndërtimit të një shteti të ri, prandaj edhe në këto fotografi hasim imazhe të shumta të fabrikave, uzinave, punëtorëve shqiptarë, llojeve të zejeve të ndryshme të asaj kohe, fotografi gjatë ushtrimit të këtyre zejeve, pamje të punëtorive, fotografi të mjeteve të ndryshme të punës nëpër këto punëtori etj.

Në shtetndërtimin e kësaj kohe me të madhe bënte pjesë edhe aktualizimi i punës nëpër xeherore dhe miniera të ndry­shme. Këtu arrijmë të shohim llojet dhe formën e punës, minatorët që punonin nëpër këto xeherore, mjetet dhe veglat e ndryshme të punës së tyre. Kemi fotografi që shfaqin dhe dëshmojnë fillimin e ndërtimit të themeleve të fabrikave të asaj kohe etj. Nëpër këto fotografi, gjithashtu, shohim edhe bujtina të ndryshme në xeheroren e Stantërgut dhe mezet ushqimore të punëtorëve të këtij sektori.

Në disa prej fotografive shihen të jenë fotografuar fotogra­fitë e përmendoreve ose koha kur ato ndërtoheshin. Një rast të tillë e kemi me përmen­doren “trekëndësh” e cila qëndron edhe sot në qendër të Prishtinës.

Një nga këndet interesante, që na tërheq vëmendjen, pa dyshim se është veshja e asaj kohe që është me interes për studiuesit e etnologjisë.

Aktualizimi i grave në sektorët shoqërorë kishte mundësuar për to edhe pjesëmarrjen në aksione të ndryshme. Nëpër këto fotografi shihen grum­buj të ndryshme të grave teksa marrin pjesë në aksione të ndryshme kooperative, në mitingje, eks­kursione dhe organizime tjera të kohës. Femrat, gjithashtu, vërehen të jenë aktuale edhe si pedagoge, në fotogra­fitë me grupet e mësuesve dhe profesorëve të kohës.

Koha e ndërtimeve të formatit të ri të ndërtesave filloi në kohën e komunizmit. Ndërtimet janë të fotografuara kudo, nëpër çdo cep e pëllëmbë të Kosovës të asaj kohe, duke filluar nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, Mitrovica, Prizreni, Ferizaj etj. Në këtë koleksion kemi fotografi të shkrepura në fazën e parë dhe atë përfundimtare të ndërtimeve të shtëpive private, ndërtesave kolektive dhe fabrikave të ndryshme shtetërore.

Organizimi i popullit ishte i përhapur gjithandej, prandaj edhe mitingjet dhe ceremonitë e ndryshme të asaj kohe ishin aktuale kudo, dhe që të gjitha këto ishin të përcjella dhe nën vëzhgimin e fotografëve.

Jetës kulturore i kushtohej rëndësi e veçantë. Nëpër mbarë Kosovën ishin themeluar shoqëri kulturore-artistike. Edhe kjo pjesë e jetës kulturore pa dyshim se është pjesë e pashman­gshme e këtyre fotografive. Është kënaqësi t’i shikosh klubet e ndryshme kulturore artistike, burrat dhe gratë të veshura me veshje tradicionale shqiptare, nëpër recitale këngësh dhe shfaqje të ndryshme teatrale.

Vlera dhe rëndësia e koleksionit

Ashtu sikurse çdo fotografi, sidomos ato më të vjetra, edhe koleksioni i fotografive që ruhet në Arkivin e Kosovës, krahas dokumenteve që gjenden në këtë institucion, paraqet rëndësi dhe vlerë të veçantë, sepse në këtë koleksion, nëpërmjet foto­grafive, ruhen pamja dhe kujtimet për vende, objekte, ngjarje, personalitete etj. dhe meqë ky koleksion ruan fotografi që kanë shtatë dekada e tutje, ato kanë edhe vlerë dokumentare andaj edhe si të tilla duhen trajtuar, vlerësuar e studiuar.

Koleksioni i fotografive në Arkivin e Kosovës është me rën­dësi për historianët, historianët e artit, antropologët, etnolo­gët, arkitektët etj. Duke pasur parasysh rëndësinë e tyre dhe për të pasur një qasje dhe shfrytëzim sa më të lehtë të të inte­resuarve, Arkivi i Kosovës kohë më parë ka bërë digjital­lizimin e këtyre fotografive që ruhen në këtë koleksion. Kurse për të vënë në dukje rëndësinë e tyre dhe të këtij koleksioni, Arkivi i Kosovës ka hapur disa ekspozita tematike.

Përfundim

Fotografia ka luajtur rol të madh në historinë shqiptare. Sipas asaj që shkruam më lart, shohim se trojet tona herët kanë pasur fatin të fotografohen, sepse specialistë të ndryshëm – fotografë të famshëm me renome botërore – i vizituan trojet shqiptare. Si fotografë të parë njihen Pjetër, Matia dhe Mikel Marubi, ndërsa në Kosovë si fotograf i parë njihet Ahmet Ymer Zherka, dhe fotografët e familjes Koro dhe Mjeda në Prizren. Secili prej këtyre fotografoi dhe përcolli te ne dëshmi të kohës që jetuan, dëshmi të fotografuara këto që ruhen edhe sot.

Edhe në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ruhet “Koleksioni i fotografive”. Në këtë koleksion kemi fotografi të llojeve të ndryshme, duke filluar nga fotografitë me imazhe të shkollave dhe zhvillimit të jetës arsimore në përgjithësi, foto­grafi të lagjeve të vjetra, ngjarjeve të ndryshme të asaj kohe, ndërtimeve të reja të ndërtesave kolektive, punëtorëve dhe punës nëpër xeherore, ndërtimit të përmendoreve të ndryshme, mitin­gjeve, manifestimeve, brigadave dhe aradheve të ndryshme etj.

Edhe këto fotografi e kanë rëndësinë e vet, sepse edhe kjo periudhë është e patejkalueshme për popullin shqiptar.

 

Burimet dhe literatura

Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, Fototeka Koleksioni i Fotografive

Bekir Tosun, Fotoğraf Arşivleri ve Askeri Müze Fotoğraf Arşiv Sistemin Kurulması, (tezë doktorate e mentoruar nga prof. dr. Nezihi Aykut), Universiteti i Stambollit, Stamboll, 2001

Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Pirro Naçe, zëri Marubi, Tiranë, 2008

Gjurmë të historisë kombëtare në fototekën “Marubi”, album nga Fototeka “Marubi”, Tiranë, 1982

Hrvatska Enciklopedija, zëri Lmiére, Luis, edicioni online

J. G. fon Han,Udhëtim nëpër trojet e Drinit dhe të Vardarit, Tiranë, 2002

Shukri Kaçaniku, Fotografia në Kosovë, 1900-1950, Prishtinë, 2012

Shukri Rahimi, Lufta e shqiptarëve për autonomi (1897-1912),Rilindja, Prishtinë, 1978

Tahir Sezen, Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare, emrat e vendeve dhe statusi i tyre, përgatiti dhe përktheu dr. Hatixhe Ahmedi, bot. Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, Prishtinë, 2020

Valon Shkodra, Katalogu i zejeve të Prishtinës, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021

Gjakova Press, gusht-shtator 2012, Gjakovë, Historia e fotografisë kosovare fillon në Gjakovë

 

[1] Bekir Tosun, Fotoğraf Arşivleri ve Askeri Müze Fotoğraf Arşiv Sistemin Kurulması, (tezë doktorate e mentoruar nga prof. dr. Nezihi Aykut), Universiteti i Stambollit, Stamboll, 2001, f. 3.

[2] Shukri Kaçaniku, Fotografia në Kosovë 1900-1950, Prishtinë, 2012, f. 13.

[3] Po aty f. 13.

[4] Gjatë viteve 1839 trojet shqiptare kishin rënë nën Perandorinë Osmane dhe në përgjithësi ishin pjesë të Ejaletit të Rumelisë. Edhe katër qendrat e të katër vilajeteve shqiptare, duke filluar nga Shkupi, Prizreni, Prishtina, Shkodra, Gjirokastra dhe Vlora, ishin sanxhakë të këtij Ejaleti. Edhe Janina, po ashtu, qeverisej nga pashai shqiptar Ali Pashë Tepelena. (Shih: Tahir Sezen, Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare, emrat e vendeve dhe statusi i tyre, përgatiti dhe përktheu Hatixhe Ahmedi, botoi Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, Prishtinë, 2021, f. 28, 31, 117, 131, 270, 271, 362).

[5] Shukri Rahimi, Lufta e shqiptarëve për autonomi (1897-1912), Rilindja, Prishtinë, 1978, f. 115.

[6] Tahir Sezen, Ndarja administrative…, po aty f. 14.

[7] Shukri Kaçaniku, Fotografia në Kosovë 1900-1950, Prishtinë, 2012, f. 13. Ky libër i autorit Kaçaniku është një libër i rëndësishëm, i cili për herë të parë përmbledh rëndësinë e fotografisë dhe flet për mjeshtrit e parë që u morën me fotografinë. I rëndësishëm është edhe libri i autorit Valon Shkodra, me titull Katalogu i zejeve të Prishtinës, botuar nga Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021, i cili, gjithashtu, paraqet disa fotografi për zejet e Prishtinës. Këto nisma duhen vazhduar edhe për qytetet e tjera.

[8] Josef Sezkely është fotografi austriak i cili me profesion ishte doktor shkence i shkencave të kimisë. Studimet në këtë fushë ai i mbaroi në vitin 1860 në Universitetin e Vjenës. Me këtë titull shkencor doktoroi në kimi, një kohë ligjëroi në universitet, më vonë hapi studio të fotografisë në Heinrichshof, në Elissabethstasse, përballë ndërtesës së Operës në Vjenë, duke u bërë me këtë rast edhe fotograf profesionist. Në vitin 1867 ai fitoi Çmimin e Bronztë në Panairin Botëror. Këtë çmim supozohet ta ketë fituar me fotografitë që i bëri në Shqipëri. Në vitin 1878 ai e fitoi Çmimin e Argjendtë në Paris. Fotografitë e bëra nga Josef Sezekly, me teknikën e kolodiumit, të bëra gjatë ekspeditës austro-hungareze gjatë vitit 1863 në Shqipërinë e Veriut, në Kosovë 5 fotografi (pllaka – kolodiumi), po ashtu edhe në viset shqiptare që sot gjenden në trojet e Maqedonisë së Veriu, e që pa dyshim janë edhe ndër fotografitë e para të kësaj pjesë të Ballkanit.

[9] Shukri Kaçaniku, Fotografia në Kosovë 1900-1950, Prishtinë, 2012, f. 155-156.

[10] Po aty f. 155-156.

[11] J. G. fon Han, Udhëtimi nëpër trojet e Drinit dhe të Vardarit, Tiranë, 2002.

[12] Shukri Kaçaniku, Fotografia në Kosovë 1900-1950, Prishtinë, 2012, f. 156.

[13] Po aty f. 158.

[14] Po aty f. 158.

[15] Po aty f. 158.

[16] Pjetër Marubi (1834-1903), arkitekt, piktor dhe amator i fotografisë, i ndjekur nga qyteti i tij i lindjes Piaçenca si garibaldian. Më vonë u vendos në qytetin e Shkodrës ku e ushtroi gjatë gjithë jetës fotografinë. (Shih: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Pirro Naçe, zëri Marubi, Tiranë, 2008, f. 1638).

[17] Pjetër Marubi lidhi miqësi me familjen e Rrok Kodhelit, me prejardhje nga Kodheli i Zadrimes, djemtë e të cilit, pra Matia dhe Mikelin, i tërhoqi shumë fotografia. (Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Pirro Naçe, zëri Marubi, Tiranë, 2008, f. 1638).

[18] Matia (1862-1881) vdiq i ri, duke lënë pak punë, si një portret të K. Idromenos.

[19] Mikeli, i njohur si Kel Marubi (1870-1940), punoi me Pjetër Marubin që 15 vjeç. Pas vdekjes së mjeshtrit Pjetër Marubit, drejtoi studion, duke e quajtur Foto Marubi, mbiemër që e trashëgoi ai dhe familja e tij. (Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Pirro Naçe, zëri Marubi, Tiranë, 2008, f. 1638).

[20] Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Pirro Naçe, zëri Marubi, Tiranë, 2008, f. 1638.

[21] Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Pirro Naçe, zëri Marubi, Tiranë, 2008, f. 1638.

[22] Luis Lumiére, industrialist francez, shpikës dhe pionier i kinematografisë. Lindi më 5 tetor 1864 në Besançon dhe vdiq më 6 qershor 1948. Ishte i biri i një fotografi dhe prodhuesi të furnizimeve fotografike. Shquhet për përsosjen e teknologjisë fotografike në fillim të viteve 1880, gjë që më vonë edhe i mundësoi të ndiqte një biznes shumë fitimprurës. (Shih: Hrvatska Enciklopedija, zëri Lmiére, Luis, edicioni online).

[23] Shumica e këtyre fotografive janë të botuara në librin Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës. (Shih: Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën ‘Marubi’, album nga Fototeka ‘Marubi’, Tiranë, 1982).

[24] Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Pirro Naçe, zëri Marubi, Tiranë, 2008, f. 1638.

[25] Shukri Rahimi, po aty, f. 157.

[26] Historia e fotografisë kosovare fillon në Gjakovë, Gjakova Press, gusht-shtator 2012, Gjakovë, f. 22, 23, 24.

[27] Shukri Kaçaniku, Fotografia në Kosovë 1900-1950, Prishtinë, 2012, f. 19-45.

[28] Po aty f. 45.

[29] Po aty f. 45-85.

[30] Po aty f. 45, 51, 54.

[31] Po aty f. 17.

[32] Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, fototeka – koleksioni i fotografive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Haki Mulliqi Mbase asnjë prej artistëve të mëdhenj të skenave…