Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas përgëzon FSK-në për të arriturat

09 maj 2018 | 15:28

Ministri  i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, të mërkurën ka pritur në takim komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneralmajorin Timothy Orr.

Me këtë rast, ministri Berisha ka vlerësuar lartë  bashkëpunimin në mes FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas, duke theksuar se sukseset e arritura të kësaj force janë meritë e këtij bashkëpunimi.

Berisha ka thënë se FSK-ja vazhdon të jetë institucioni më i besuar i sigurisë në vend.

Sipas tij, kjo besueshmëri tash ka trend pozitiv edhe te qytetarët serb të veriut,  ka prezantuar  rezultatin dhe suksesin e FSK-së në integrimin e  komuniteteve pakicë,  në veçanti të komunitetit serb nga veriu i Kosovës.

Berisha ka folur edhe për përfaqësimin gjinorë në FSK, duke theksuar se nga marsi i këtij viti FSK-ja për herë të parë ka një femër  me gradën e gjeneralit.

Po ashtu, ministri Berisha ka vlerësuar lartë pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Iowas në ushtrimin fushor “Shqiponja 6”, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vlefshëm si në fazën e përgatitjes së ushtrimit dhe në ekzekutimin e tij.

Ndërkohë, komandanti i Gradës Kombëtare të Iowas, gjeneralmajor Timothy Orr, ka përgëzuar drejtuesit e FSK-së për rezultatet e arritura, sidomos ka vlerësuar lart integrimin e komunitetit serb në FSK dhe rritjen e besueshmërisë në veri të vendit.

Ai ka falënderuar ministrin Berisha për mundësinë e pjesëmarrjes në ushtrimin fushor  “Shqiponja 6” të pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Iowas, duke thënë se pjesëmarrja në këtë aktivitet përveç kontributit dhe rëndësisë së rritjes së ndjenjës së bashkëpunimit është edhe një përvojë e re për ata në koordinim me partnerët në situata emergjente.

Po ashtu, të mërkurën komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas gjeneralmajor Timothy Orr është pritur në takim edhe nga komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Në këtë takim është biseduar për zhvillimet në FSK-së, përgatitjet e planeve për  transformim dhe sfidat aktuale që po has ky proces.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka njoftuar gjeneralin Orr për rrjedhat e  ushtrimit fushor “Shqiponja 6”, duke theksuar se për FSK-në është sukses që për herë të parë ka një numër kaq të madh të shteteve pjesëmarrëse në këtë ushtrim.

Rama e Orr kanë biseduar edhe për integrimin e suksesshëm të komuniteteve në FSK.

Rama ka thënë se ka një tregim suksesi edhe me integrimin e komunitetit serb nga veriu i Kosovës.

Po ashtu, ai ka njoftuar gjeneralin Orr edhe me rezultatet e konferencës “FSK-ja dhe partnerët”.

Kurse, komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneralmajor Timothy Orr, ka thënë se ministri dhe komandanti i FSK-së kanë bërë gjërat e duhura në kohën e duhur.

Sipas tij, ky është shtegu i suksesit që duhet ndjekur FSK-ja edhe në të ardhmen.

Orr ka thënë se në Kosovë ndihet si në shtëpinë e tij të dytë.

/Epoka e re/ 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas pamundësimit të pjesëmarrjes së karateistëve të Kombëtares së Kosovës…