Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi

14 maj 2021 | 14:18

Fatmir Lekaj

Politologu Benedict Anderson mëton ta shpjegojë shkakun e shfaqjes së kombeve, duke u thelluar më thellë në histori sesa Gellneri, përkatësisht përtej revolucionit industrial. Fillimisht merr pikënisje në disa ndryshime të mëdha që, sipas tij, janë: ndryshimi i pozicionit të fortë të religjioneve dhe i gjuhëve të mëdha, ndryshimi i parimit të legjitimitetit (ndryshimi nga parimi i legjitimitetit dinastik në parimin e legjitimitetit të sovranitetit të popullit) dhe në ndryshimin e perceptimit kohor; ndryshimin nga perceptimi për kohën si përsëritje (sirkulare) në perceptimin për kohën si linjë (linjare) që shkon kah e ardhmja, si sinonim me “zhvillimin” dhe “përparimin”.[1] Megjithëkëtë, rëndësinë e veçantë ia adreson kapitalizmit të shtypit, duke e konsideruar si shkakun kryesor për shfaqjen e kombeve, në kuptimin se, në periudhën kur është shpikur makina e shkrimit, shumë pak njerëz kanë qenë në gjendje të lexojnë dhe të shkruajnë (ngaqë lexuesit kanë qenë të kara­kterizuar nga një shtrirje e hollë horizontale në gjuhën latine, përkatësisht nga një elitë evropiane dygjuhësore) dhe, në këtë vazhdë, kapitalizmi i shtypit, duke shpërndarë tekste në gjuhët lokale, respektivisht në gjuhët e shkruara popullore, dhe duke qenë më shumë i interesuar të shpërndajë sa më shumë tekste me përmbajtje të njëjtë sesa nga vetë përmbajtja e tekstit, ka ndikuar drejtpërdrejt në formimin e “bashkësive politike seku­lare të imagjinuara” (kombeve). Veçanërisht tre faktorë kanë kontribuar në këtë drejtim. Reformacioni e ka dobësuar rolin e gjuhës latine si gjuhë të shenjtë dhe, duke u shtypur Bibla në gjuhët lokale/popullore, ka rezultuar një aleancë në mes të kapitalizmit të shtypit dhe protestantizmit. Nga ana tjetër, gjuha latine, duke u zhvilluar më shumë në drejtim “estetik”, është bërë më pak e kapshme dhe, njëkohësisht, më e vështirë të përdoret nga masat popullore. Faktori i tretë ka ndodhur gradualisht dhe karakterizohet nga forcimi dhe shpërndarja e gjuhëve të shkruara popullore, ku dialektet e qendrave politike kanë qenë pikënisje e zakontë për këto gjuhë të shkruara, duke u bërë njëkohësisht edhe gjuhë administrative në shtetet e reja burokratike të centralizuara. Për logjikën e kapitalizmit të shtypit s’ka qenë e favorshme të kalohet arbitrarisht nga gjuha latine në gjuhët e shkruara popullore sepse s’ka qenë në interes dhe as s’ka qenë praktike që të shtypen tekstet në të gjitha dialektet. Prandaj kapitalizmi i shtypit është bazuar kryesisht në dialektet e qendrave politike, dhe shfaqja e kombeve si “bashkësi të imagjinuara” është bërë e mundshme nëpërmes bashkëlojës, në mes të kapitalizmit të shtypit dhe variacioneve gjuhësore të qendrave politike.[2]

Rrjedhimisht, Andersoni konstaton se kapitalizmi i shtypit ka qenë vendimtar për krijimin e kombeve ngaqë në radhë të parë i ka krijuar diskurset e përbashkëta të komunikimit (nën­gjuhën latine dhe mbi dialektet lokale) të bazuara kryesisht në dialektet e qendrave politike, duke formësuar kështu edhe “gjuhët e pushtetit”, ku gazetat, sidomos gazetat ditore, kanë pasur rol shumë të rëndësishëm. Ky stabilizim gjuhësor më pastaj nëpërmes standardizimit gjuhësor ka shërbyer edhe për formimin e “pikturës” të kontinuitetit historik.[3] Me fjalë të tjera, sipas pikëpamjes teorike të Andersonit, tregu kapitalist, duke qenë i karakterizuar nga kufijtë gjuhësorë, ka luajtur rolin kyç për t’i standardizuar gjuhët kombëtare brenda kufijve gjuhësorë dhe, rrjedhimisht, ka krijuar bazën për kombet si “bashkësi komunikuese të imagjinuara”. Zhvillimi i admini­stratës, i institucioneve politike dhe, më pastaj, sistemi shkollor publik, e kanë institucionalizuar bashkësinë komunikuese të imagjinuar, duke integruar fillimisht shtresën e mesme dhe më vonë shtresën fshatare dhe shtresën punëtore. Mund të thuhet se modeli teorik i Andersonit nënkupton se “bashkësitë e imagjinuara” (kombet) shfaqen kur njerëzit në radhë të parë krijojnë një kornizë të referencave të përbashkëta. Dhe ky model i kombformimit, pasi që është bërë realitet, ka pasur mundësi edhe të simulohet duke formuar (në radhë të dytë) bashkësitë e imagjinuara (kombet) edhe pa një gjuhë të për­bashkët. Për shembull zviceranët janë formësuar si komb nëpërmes një kornize të përbashkët të referencave (arsimimit të standardizuar etj.), pa një gjuhë të përbashkët.

Sipas Andersonit, kombet janë bashkësi të imagjinuara, të përkufizuara dhe sovrane. Ngjashëm sikurse bashkësitë e tjera sociale të mëdha, kombet janë bashkësi të imagjinuara në kuptimin se një anëtar i një kombi nuk ka kontakt të drejt­përdrejtë dhe personal me të gjithë anëtarët e kombit.[4] Me fjalë të tjera, sipas qasjes teorike të Andersonit, kombi është një bashkësi e imagjinuar sepse ekzistenca e një kombi bazohet në radhë të parë në perceptimin e popullit se i takon një bashkësie të përbashkët të imagjinuar, por kjo nuk nënkupton se kombet si bashkësi të imagjinuara nuk ekzistojnë fare. Kjo nënkupton se kombet ekzistojnë në bazë të perceptimit të popullit se i takon një bashkësie të imagjinuar, e definuar si bashkësi subjektive. Më tutje, kombet si bashkësi të imagjinuara janë të përkufizuara sepse, pa marrë parasysh se sa i madh është një komb, nga anëtarët e vet perceptohet si i përkufizuar, në kuptimin se i ka kufijtë e vet në raport me kombet e tjera, duke mos qenë i shqetësuar që ta ketë tërë njerëzimin pjesë të vetën. Dhe kombet si bashkësi të imagjinuara janë sovrane, sepse shfaqja e kombeve është e ndërlidhur edhe me iluminizmin dhe revolucionin francez, përkatësisht me parimin e sovra­nitetit të popullit. Gjithashtu, kombet si bashkësi të imagjinu­ara janë “shoqëri” të thella dhe horizontale, në kuptimin se të gjithë anëtarët e një kombi konsiderohen të barabartë (si anëtarë të një kombi), pa marrë parasysh pabarazinë sociale brenda një kombi.[5]

Ngjashëm sikurse Gellneri, edhe Andersoni ka qasje reduk­sioniste për nacionalizmin, duke mos e cilësuar si ideologji krahasuar me ideologjitë politike, në kuptimin se nacionalizmi nuk ka përfaqësues teorik sikurse që kanë ideologjitë politike. Sipas tij, bashkësitë nacionale ngjasojnë më shumë me bash­kësitë farefisnore (edhe pse nuk e kanë bazën e njëjtë biolo­gjike) dhe me bashkësitë religjioze (edhe pse nuk kanë preten­dime misionare universale) sesa me ideologjitë politike.[6] Në këtë vazhdë, Anderson e përkufizon fillimin e nacionalizmit jashtë Evropës, në “botën e re”, përkatësisht në Amerikën Latine. Në kuptimin se kolonializmi, duke i penguar funksio­narët vendorë për ngritjen e karrierave të tyre, dhe duke i formësuar kufijtë administrativë në vendet e kolonizuara (njësitë/bashkësitë e komunikimit, nëpërmes institucioneve, infrastrukturës së komunikacionit, shtypit etj.), ka krijuar bazën e lëvizjeve nacional-çlirimtare, fillimisht në Amerikën Latine dhe më pastaj edhe në Azi dhe Afrikë.[7] Megjithëkëtë, duhet të kemi parasysh se ky përkufizim tejet reduksionist i Andersonit, për fillesën e nacionalizmit, e përjashton nga ky përkufizim i tij jo vetëm formën e nacionalizmit politik euro­perëndimor të kombformimit, por edhe formën e nacionalizmit kulturor eurolindor të kombformimit, ku në emër të kombit si njësi kulturore kërkohet formimi i shtetit si mburojë e kësaj njësie kulturore. Kështu që, vetëm po qe se e përjashtojmë formën europerëndimore dhe formën eurolindore të nacionali­zmit mund të bazohemi në konstatimin e Andersonit, se nacionalizmi ka lindur në Amerikën Latine, në kuptimin si një reaksion i elitave vendore kundër elitave kolonizuese, ngaqë në vendet e kolonizuara kufijtë administrativë-kolonialë kanë luajtur rol më të rëndësishëm sesa kufijtë gjuhësorë (siç është shembulli në Evropë).

 

(Fragment nga libri i sapodalë nga shtypi “Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi: një qasje teoriko-interpretuese” i autorit Fatmir Lekaj”.

Librin mund ta gjeni në librarinë “Dukagjini” dhe “Artini” në Prishtinë.)

[1] Anderson 2006: 9-36

[2] Po aty: 37-43

[3] Po aty: 44-46

[4] Po aty: 6

[5] Po aty: 7

[6] Po aty: 5

[7] Po aty: 47-65, 113-140

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjenda digjitale e Administratës së Presidentit Joe Biden, rikuperimi ekonomik…