Komisioni për Mjedis miraton Projektligjin për performancën energjetike të ndërtesave

23 prill 2024 | 16:59

Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, udhëhequr nga kryetarja Fitore Pacolli-Dalipi, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën, pas shqyrtimit, u miratua Projektligji për performancën energjetike të ndërtesave, duke e proceduar tutje për lexim të dytë në seancën plenare.

Mbledhja vazhdoi lidhur me shqetësimet e ngritura nga deputeti Milazim Salijaj për tjetërsimin e pronës publike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” te Fakulteti Teknik.

Deputeti Salijaj paraqiti vizitat e zhvilluara në institucionet përkatëse nëpër të cilat ka kaluar keqpërdorimi dhe manipulimi i tjetërsimit të pronës publike të UP-së te Fakulteti Teknik.

Ai theksoi se tjetërsimi i kësaj prone publike është bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe, sipas tij, paraqet vepër penale. Përkitazi më këtë, komisioni njëzëri bëri thirrje që urgjentisht të punohet në këtë drejtim për zbardhjen sa më parë të mundshme të keqpërdorueseve të pronës publike të UP-së.

Ndërkaq, kryetarja e këtij komisioni, Fitore Pacolli-Dalipi, njoftoi deputetët lidhur me inicimin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, për të cilin, siç tha ajo, do të punohet në mbledhjet e radhës.

Po gjatë kësaj mbledhjeje u shqyrtua edhe kërkesa e banorëve të lagjes “Toukbahçe” në Prishtinë lidhur me tjetërsimin e disa burimeve ujore. Lidhur me këtë çështje, komisioni u pajtua që shqetësimet e banorëve t’i përcjellë me shkrim tek organet kompetente, përkatësisht te komuna e Prishtinës, te Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe në KRU Prishtina.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe…