Komisioni për Punë të Jashtme takohet me ambasadorin hungarez, diskutohet rruga integruese e Kosovës
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, ka bërë të ditur se Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Dux.
Përmes një postimi, Reçica ka bërë të ditur se takimi ishte rast për të diskutuar marrëdhëniet tradicionale hungarezo-shqiptare dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Sipas tij, në fokus të diskutimit ishin proceset e integrimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i stabilitetit rajonal.
Reçica ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Hungarisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes hungareze në proceset integruese, avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe thellimin e partneriteteve që kontribuojnë në paqe, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm.



