Lladrovci kritikon pretendentët për kryetar të PDK-së: Mos u sakrifikoni, lëreni procesin të zhvillohet normalisht
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me kandidaturat e deklaruara për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke shprehur habinë për numrin e personave që deri më tani kanë shfaqur ambicie për ta marrë drejtimin e kësaj partie.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Lladrovci ka thënë se udhëheqja e PDK-së kërkon guxim dhe përgjegjësi për t’u përballur me sfidat e shumta të vendit, duke përmendur partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dialogun strategjik, agjendën evropiane dhe proceset integruese.
Ai ka theksuar se sfidat e Kosovës përfshijnë edhe ndaljen e shpërnguljes së të rinjve, zhvillimin ekonomik, përmirësimin e arsimit, mbrojtjen e natyrës dhe ndërtimin e një shteti ku sundon ligji dhe qytetarët kanë mundësi të barabarta.
Lladrovci u ka bërë thirrje kandidatëve të deklaruar që të mos e paraqesin kandidimin si sakrificë për PDK-në, por të lejojnë zhvillimin e rregullt të procesit të brendshëm zgjedhor.
“Leni procesin normal të zgjedhjeve të brendshme të zhvillohet si duhet, pa përdorur bërrylat dhe duke keqpërdorur vullnetin e simpatizantëve. Le të fitojë programi dhe aftësia për ta riafirmuar PDK-në, siç ka qenë, konstante e shtetit”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, kryetari i Drenasit ka kritikuar edhe largimin e personave të suksesshëm nga proceset vendimmarrëse të partisë, duke thënë se shumë prej atyre që sot synojnë udhëheqjen e PDK-së i kanë arritur qëllimet e tyre jetësore falë anëtarësisë së kësaj partie.
Postimi i tij i plotë:
Për disa pretendentë që synojnë të bëhen kryetar të PDK-së, po më habisin me guximin e tyre. Kërkohet guxim për të qenë partner me Amerikën, zgjidhjen e çështjeve si dialogu strategjik, agjendën evropiane dhe procesin integrues, me ulë numrin e shpërnguljes së të rinjve, zhvillim ekonomik, arsim, cilësor, mbrojtje të natyrës, dhe qindra aftësi e dije tjera për ta bërë Kosovën shtet ku sundon ligji, me mundësi e gjasa të barabarta.
Kandidatët e deklaruar deri më tani për kryetar, të vetë ofruar e janë me numër besa gati sa gishtat e duarve që duan ta “sakrifikojnë” veten për PDK-në, i lus deri në qiell, mos u sakrifikoni. Leni procesin normal të zgjedhjeve të brendshme të zhvillohet si duhet, pa përdorur bërrylat dhe duke keqpërdorur vullnetin e simpatizantëve. Lë të fitojë programi dhe aftësia për ta riafirmuar PDK-në, siç ka qenë, konstantë e shtetit.
Ata që kanë ambicie për tu bërë lider i PDK-së, kanë ambicie deri diku edhe të arsyeshme, sepse, qëllimet jetësore, tashmë i kanë arritur. Sigurisht, ata kanë arritur në saje të anëtarësisë atdhetare të kësaj partie të dalë nga Drejtoria politike e UÇK-së. Ka vite që të suksesshmit largohen nga vendimmarrja, andaj, atyre ju ka mbetur të sprovohen edhe aty ku do të duhej të jenë të fundit që do të sprovoheshin, kryetar a kryetare me dry në xhep.



