Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e radhës, këto ishin temat e diskutimit

23 prill 2019 | 11:38

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, në të cilën ka shqyrtuar shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës.

KE në këtë mbledhje ka analizuar rrjedhën e garave të Kampionatit të Kosovës dhe ka konstatuar se ato kanë rrjedhë normale sipas orarit dhe dinamikës së paraparë.

“Është konstatim i të gjithëve se ka një ngritje të cilësisë, si në organizim, lojën në fushë, sjelljen e futbollistëve dhe ndarjen e drejtësisë, që kampionatin po e bën mjaft joshës, interesant me një rivalitet të madh sportivë. KE do të jetë i angazhuar maksimalisht që mbarëvajtja e garave të shkojë deri në fund ashtu si duhet, ndaj u bën thirrje, klubeve, gjyqtarëve e vëzhguesve në veçanti që të jenë në nivelin e detyrave dhe përgjegjësive dhe gjithë faktorëve tjerë relevant me besim të plotë që të jenë po ashtu të angazhuar në nivelin më të lartë, që të kemi një përfundim të suksesshëm të kampionatit”, është thënë në njoftimin për media të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka bërë me dije se nuk do të lejojë asnjë tendencë, që shkon në dëm të mbarëvajtjes së garave dhe që dëmton dhe prish imazhin e futbollit të Kosovës.

Në këtë mbledhje është folur edhe për njëvjetorin e vdekjes së legjendës së futbollit dhe ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri.

“Meqenëse po afrohet njëvjetori i vdekjes së legjendës së futbollit dhe ish-presidentit Fadil Vokrri, KE mori vendim dhe themeloi Komisionin për rregullimin e varrit. Kështu që, Komisioni i përbërë nga Agim Dibrani, kryetar, Arianit Ahmeti, Ilaz Mjaku e Mirsad Çollaku anëtarë do të përkujdesen për mbarëvajtjen e punimeve të varrit të ish-presidentit. Po ashtu, KE në datëlindjen e legjendës Fadil Vokrri më 23 korrik do të organizojë një turne përkujtimor në kategorinë e veteranëve të kohës dhe brezit të Fadil Vokrrit, e ku do të marrin pjesë veteranët e klubeve, në të cilat ka luajtur legjenda, Llapi, Prishtina, Partizani dhe Fenerbahçe. Për këtë turne dhe mbarëvajtjen e tij KE themeloi Komisionin në përbërje Bakir Buri, kryetar, Jusuf Tortoshi e Luan Salihu anëtarë”, është thënë në këtë njoftim.

Po ashtu, në këtë mbledhje KE-ja vendosi edhe për hartimin e strategjisë zhvillimore të FFK-së për periudhën 2020-2024, në përputhje edhe me kërkesat e UEFA-s për hartimin e strategjisë të federatave kombëtare.

“Për hartimin e kësaj strategjie do të përkujdesen presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu bashkë me shefat e sektorëve në FFK si dhe do të angazhojë ekspertë të fushave në mënyrë që strategjia të jetë sa më profesionale dhe gjithëpërfishrëse. KE-ja shqyrtoi dhe analizoi edhe agjendën e grumbullimeve të ekipeve kombëtare dhe mori vendim që të gjitha agjendat e punës së Kombëtareve të jenë në përputhje me racionalitetin dhe nevojat e duhura në përputhje me objektivat e secilës kombëtare. Po ashtu, KE shqyrtoi edhe kërkesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi”, është thënë ndër të tjera në njoftimin për media të FFK-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të hënën kanë njoftuar se po i…