Kompromiset e reja do ta zhbënin shtetin e Kosovës. Ja pse

03 korrik 10:19

Milazim KRASNIQI

Ambasadori amerikan në Beograd, Kajll Skot, ka deklaruar se mund të shpresohet për kompromis të ri ndërmjet Serbisë e Kosovës, bile ndoshta gjatë këtij viti. Optimizmi i ambasadorit për kompromiset e reja, e ka brenda vetes jo vetëm shtirjen diplomatike për një publik dyshimtar ndaj shtetit të tij, sikundër që janë serbët ndaj ShBA-ve, por edhe elementë të një projekti pothuajse të finalizuar për një “marrëveshje gjithëpërfshirëse” ndërmjet Serbisë e Kosovës.

Po qe se dëgjohen me vëmendje deklaratat e presidentit të Kosovës, ato shkojnë në të njëjtën linjë, pra, të kompromiseve të reja që u dashka të bëjë Kosova. Bile ideja e re për kompromise, po paketohet disi në mënyrë argëtuese si “win-win”, demek mirë për të dyja palët. Por, në këtë rast nuk mund të jetë mirë për të dyja palët, thjesht ngase Kosova më nuk ka çka të japë, përveç nëse ia marrin edhe shpirtin e saj si shtet.

Prandaj, pyetja dramatike në këtë kontekst është kjo që sapo po parashtrohet: çfarë kompromisesh të tjera mund të bëjë Kosova, kur ka bërë kompromise, të cilat e kanë shndërruar në shtet të dështuar? Kompromiset maksimale janë bërë në Vjenë, me idenë se Plani i Ahtisarit do të pranohej dhe Kosova do të merrte ulëse në OKB. Ndërsa Serbia e refuzoi Planin e Ahtisarit, ama i mori favoret e kompromiseve që bëri Kosova me pranimin e atij plani. Kështu Serbia mori maksimumin e favoreve, pa marrë asnjë obligim, për ç’arsye vazhdoi e papenguar destabilizimin e Kosovës deri në ditët e sotme.

Për ata që janë qëllimisht harrestarë, po evokojmë se cilat kompromise i ka bërë Kosova ndaj Serbisë deri sot e të cilat e kanë sjellë në prag të dështimit si shtet funksional:

  1. Kosova e ka pranuar juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe mbi tërë Kosovën, ndonëse qëndrimi i kësaj kishe ndaj shtetit tonë është tmerrësisht armiqësor. Popat serbë pengojnë ndërtimin e rrugëve nëpër Kosovë, pasi me Planin e Ahtisarit, një territor të madh e kanë shndërruar në “zona të mbrojtura”. Popat serbë zdërhallen lirisht nëpër Kosovë duke kërcënuar se do ta shkatërrojnë shtetin e Kosovës me luftë. Ndërsa, po ky shtet i lejon Kishës Ortodokse Serbe edhe lehtësime doganore e gjithfarë, që të sillen këtu si në bahçen e babës. Definitivisht duhet të thuhet se ky kompromis është destabilizues dhe madje kërcënues për vetë ekzistencën e shtetit tonë.
  2. Kosova ka bërë kompromise të rënda, duke formuar komuna rurale për serbë, pa asnjë logjikë ekonomike. Këto komuna rurale e kanë prishur unitetin demografik e ekonomik të disa zonave dhe si të tilla paraqesin pengesa për komunikim e për zhvillim normal të vendit.
  3. Kosova ka bërë kompromise poshtëruese për veten si shtet, duke lejuar që tash 18 vjet serbët lokalë të mos paguajnë as rrymën, as ujin, as shërbimet e tjera, ndërsa nga ana tjetër e gjithë jeta e tyre sociale financohet nga buxheti i këtij shteti. Kësi kompromisi nuk mund të gjendet as në Tunguzi.
  4. Kosova ka bërë kompromise të pamoralshme, duke hequr dorë nga e drejta që të inicionte në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë padi për gjenocid kundër Serbisë. Po ashtu ka mbyllur të dy sytë dhe nuk ka ndjekur penalisht kriminelët serbë që kanë kryer krime në Kosovë, shumë prej të cilëve edhe më tutje jetojnë në Kosovë.
  5. Kosova ka bërë kompromise të ulëta, duke lejuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale, parlamentare e presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës. Ky tolerim bizar e ka ushqyer irredentizmin e serbëve të Kosovës dhe i ka siguruar se parulla “Kosova është Serbi” nuk është vetëm slogan propagandistik.
  6. Kosova ka bërë kompromise idiotike, duke lejuar importin e mallrave serbe pa karar, ndërsa Serbia me atë profit ka financuar shërbimet e veta sekrete në Kosovë, si edhe gjithë administratën paralele që mban në funksion.

Ka edhe kompromise të tjera të shumta, po vetëm këto që u numëruan, dëshmojnë se Kosova ka ardhur në prag të zhbërjes si shtet, për shkak të kompromiseve që ka bërë ndaj Serbisë tash 18 vjet. Kosova de facto ka kapitulluar në paqe në raport më Serbinë.

Natyrisht e gjitha është bërë me presionet mbi Kosovën të aleatëve të saj, të ShBA-ve, NATO-s e BE-së. Ata duke e marrë me të mirë Serbinë, gjasme për ta larguar nga Rusia, i kanë dhënë favore të shumta në Kosovë, thjesht duke ia zënë Kosovës frymën si shtet. Ka mbetur vetëm edhe një gjë ta bëjnë: zhbërjen formale të shtetit të proklamuar të Kosovës, si kompromis i fundit. Këtë po e synojnë tash, si kryekompromis, duke krijuar një “Republika Serpka” në territorin e Kosovës. Nëse e formojnë një “Republika Serpska”, ne shqiptarëve na mbeten dy rrugë: ose ta pranojmë zhbërjen e shtetit tonë si kryekompromis, ose t’ia nisim çlirimit të Kosovës që nga fillimi.

E dyta është mision i rëndë, e para, nuk duhet të merret fare në konsiderim. Për të mos ardhur puna bash deri aty, duhet që të refuzohet kategorikisht kjo formë e dialogut, ku kërkohen kompromise që e dezintegrojnë shtetin tonë me një “Republika Serspka” në territorin tonë. Një formë e refuzimit është të shpallen zgjedhjet e reja dhe pas tyre të formohet një qeveri e shpëtimit kombëtar, e cila do të jetë e aftë të mbrojë interesat e vendit edhe nga miqtë tanë, të cilët duket se e kanë humbur sensin e masës lidhur me kompromiset e Kosovës. Me kësi miqsh, armiqtë nuk të duhen, do të thoshte Zhan Klod Junkeri.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. asoc. dr. Lirak Karjagdiu Me rastin e 550-vjetorit të…