Komuna e Gjilanit ndan 200 mijë euro për hapjen e puseve

10 tetor 2019 | 14:32

Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Kompaninë Regjionale të Ujit “Hidromorava” ka ndarë 200 mijë euro për hapjen e puseve të reja. Lajmi është bërë me dije pas takimit të Task Forcës për menaxhimin e thatësisë, të udhëhequr nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në të cilin kanë marrë pjesë edhe drejtori KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, komandanti i stacionit të policisë në Gjilan, Alban Ramushi dhe zyrtarë të tjerë.

Haziri ka thënë se si pasojë e thatësisë, gjendja me furnizim të ujit të pijshëm vazhdon të jetë emergjente, derisa ka apeluar qytetarët që ta kursejnë ujin maksimalisht. “Në mungesë të reshjeve mund të mbyllet përkohësisht furnizimi nga Penda e Përlepnicës shkaku i ndotjes”, ka thënë Haziri.

Ndërsa drejtori i KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, ka thënë se do të vazhdojë reduktimi i ujit 14 orë në ditë, duke shtuar se zgjidhja e përkohshme është hapja e puseve tek kazerma e FSK-së dhe në lagjen “Fidanishte”.

Aktualisht Gjilani po furnizohet nga Penda e Përlepnicës, nga burimi Guri Hoxhës, te Baja dhe në Velekincë.

Komuna e Gjilanit dhe “Hidromorava” kanë kërkuar nga Këshilli ndërministror për menaxhimin e thatësisë që të ndërhyjnë me mjete financiare për të zbutur gjendjen e furnizimit të ujit të pijshëm. Në kuadër të këtij projekti emergjent, Komuna e Gjilanit ka ndarë 140 mijë euro ndërkaq KRU “Hidromorava” 60 mijë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Drenasit ka shpallur konkurs për ndarjen e bursave…