Komuna e Mitrovicës do të mbajë gjashtë dëgjime publike për buxhetin e vitit 2020-2022

08 korrik 2019 | 14:11

Të hënën është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve të Komunës së Mitrovicës, e cila është drejtuar nga kryetari Agim Bahtiri. Në këtë mbledhje janë diskutuar disa pika të rendit të ditës të cilat janë vlerësuar me interes për qytetarët e kësaj komune.

Fillimisht drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, ka prezantuar raportin e punës së komisionit për vlerësimin e kontratave në “Zonën Industriale” në fshatin Frashër.

Jashari ka thënë se ky raport është bazuar në dokumentacionin e komunës në vendimet e Kuvendit Komunal dhe kontratat duke bërë analizë mbi regjistrimin e drejtës së shfrytëzimit tek librat kadastral si dhe procedurat e lejeve të ndërtimit. Me këtë rast, Bordi i Drejtorëve është  pajtuar të ftohen operatorët për një takim të përbashkët dhe të diskutojnë për të gjeturat e këtij raporti.

Ndërsa, drejtori i Inspekcionit, Hysni Ahmeti, ka thënë se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, më 5 dhe 7 korrik kanë inspektuar lokalet që shkaktojnë zhurmë në orët e vona të mbrëmjes.

Ndërkaq drejtori për Buxhet dhe Financa, Shukri Gashi, ka njoftuar bordin lidhur me orarin e mbajtjes së dëgjimeve buxhetore për projektbuxhetin e komunës për vitin 2020-2022, me ç’rast ka bërë me dije se do të mbahen gjithsej gjashtë dëgjime publike, në të cilat do të marrin pjesë qytetarë, përfaqësues të OJQ-ve, shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve dhe grupeve tjera të interesat.

Ai ka thënë se në këto dëgjime publike, të interesuarit do të kenë mundësinë të japin vërejtjet dhe propozimet e tyre për t’u përfshirë në buxhet.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Ferizajt ka bërë asfaltimin e rrugës “Gursel e…