Komuna e Mitrovicës pritet të arrijë marrëveshje me një shoqatë nga Zvicra me trajtimin e qenve endacakë

06 prill 2021 | 16:15

Nën kryesimin e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, dhe në prani të drejtorëve të drejtorive komunale, të martën është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë shqyrtuar çështjesh me rëndësi për jetën e qytetarit.

Fillimisht në këtë mbledhje, nënkryetari Mujka ka folur për masat e reja që do të hyjnë në fuqi në parandalim të virusit Covid-19. “Është e rëndësishme që nga ekzekutivi dhe qytetarët të bëhet zbatimi i këtyre masave, në mënyrë që Komuna e Mitrovicës të bëhet shembull në respektimin e të gjitha masave”, ka thënë ai.

Gjatë kësaj mbledhje drejtori i Arsimit, Ismet Ferizi, ka diskutuar lidhur me mundësinë e rifunksionimit të ekipit komunal për vlerësime pedagogjike të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore, me ç’rast u dha edhe mbështetja e ekzekutivit në rifunksionalizimin e këtij komisioni.

Po ashtu nga drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj, u potencua se në Mitrovicë ka filluar vaksinimi i personelit shëndetësor, ndërkohë posa të pranohet kontingjenti i dytë i vaksinave do të fillohet me vaksinimin e të moshuarve, ashtu siç parashihet me planin e Ministrisë së Shëndetësisë, por që qytetarët do të njoftohen me kohë.

Në fund të mbledhjes, nënkryetari Mujka, ka njoftuar bordin për disa takime që ka pasur me organizata të ndryshme, ku është diskutuar për trajtimin e qenve endacak, problematik kjo jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në qytetet tjera. Ai më tutje ka shtuar se pritet të arrihet një marrëveshje me një shoqatë zvicerane e cila do t’i ndihmojë komunës lidhur me trajtimin e qenve endacakë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Qazim Rrahmani,…