Komuna e Podujevës me dy nisma për bashkëpunim ndërkombëtar

15 qershor 2021 | 15:28

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur të martën mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën ka miratuar dy nisma për inicim të bashkëpunimit komunal ndërkombëtar në formën e binjakëzimit me komunat, Linz – Austri dhe Kestel – Turqi.

“Ditë më parë me iniciativë të Qendrës Kulturore të Kosovës në Bursa kemi vizituar komunën Kestel në Bursa të Turqisë. Kemi vizituar shumë institucione, objekte të kulturës, biznese dhe plantacione bujqësore, ku kemi vërejtur shumë të përbashkëta dhe mundësi bashkëpunimi me këtë komunë. Por kryesorja janë shqiptarët atje, njerëz të shquar, sidomos në fushën e biznesit të cilët janë garantues të suksesit në këtë bashkëpunim”, ka thënë kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Ai ka thënë se në fokus gjithashtu do të jetë edhe bashkëpunimi në arsim për të siguruar shkëmbime të përvojave, duke dërguar nxënës dhe mësimdhënës nga Podujeva për t’u trajnuar sidomos në fushën IT-së.

Bulliqi gjithashtu ka prezantuar edhe nismën për vendosjen e raporteve të bashkëpunimit edhe me qytetin e Linzit të Austrisë, për të cilin tha se është qytet industrial, ndërsa bashkëpunimi është i inicuar nga miq, shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në këtë qytet.

“Kontaktet e para për bashkëpunim me qytetin e Linzit janë vendosur nga miq, shqiptarë që jetojnë në këtë qytet, pastaj me kryetarin kemi zhvilluar disa komunikime virtuale, kemi ftesë që së shpejti të shkojmë për vizitë dhe t’i kthjellojmë mundësitë e bashkëpunimit”, ka thënë Bulliqi, duke shtuar se krahasuar me Podujevën, ky është qytet i madh dhe fokusi do të jetë bashkëpunimi për zhvillim ekonomik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se…