Komuna e Skenderajt përkujton Idriz Rrecajn dhe Demir Ahmetin

19 prill 2022 | 14:31

Me nderime të larta institucionale është përkujtuar të martën Idriz Rrecaj, njëri ndër veprimtarët e shquar të çështjes shqiptare të Kosovës dhe intelektual i kohës, i cili është zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me këtë rast, janë bërë homazhe te pllaka e parkut publik që mban emrin e tij, nga kryetari i komunës, Fadil Nura, nënkryetari Sami Lushtaku, kryesuesja e Kuvendit, Adelina Spahiu, familjarët, drejtorët komunal, asamblistë,bashkëluftëtarë të UÇK-së, udhëheqës të shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë.

Nënkryetari Lushtaku, në fjalimin e tij para të pranishmëve, ka thënë se Idriz Rrecaj ishte prej burrave të mëdhenj që pa ndalur kanë vepruar në shërbim të lirisë.

“Fillimisht i priu elitës politike në Drenicë e cila kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes shoqërore për liri e pastaj kur ndërruan rrethanat, përkrahu fuqishëm luftën e UÇK-së. Për mua por dhe për shumë të tjerë, Idrizi de fakto ishte kryetar i Skenderajt në vitet 1990 dhe referencë e fuqishme intelektuale dhe patriotike në këtë pjesë”, ka thënë nënkryetari Lushtaku.

Të martën është përkujtuar me homazhe te pllaka përkujtimore në oborrin e Shkollës së Mesme Teknike “Anton Çetta”, edhe heroi Demir Ahmeti i zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, për të lënë pas pritjen dhe dëshpërimin e vazhdueshëm për mungesë e zbardhjes së fatit të tij.

Kryetari Nura pasi është përshëndetur me familjarët, ka thënë se Demiri i vogël, që e ka trashëguar emrin, kur të rritet do të mësojë se gjyshi i tij ka dhënë një kontribut të çmuar, për lirinë që ai dhe bashkëmoshatarët e tij po e gëzojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli shqiptar me famë botërore, Rita Ora mbetet aktive në…