Komuna e Skenderajt subvencionon 200 fermerë

08 nëntor 2018 | 13:14

Në praninë e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, nëpërmjet drejtorit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Sokol Sallahu, drejtorit ekzekutiv të Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK), Zenel Bunjaku, dhe 10 fermerëve të kësaj komune, janë nënshkruar kontratat për mbështetje direkte në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.

Kryetari Jashari është shprehur i lumtur me këtë mbështetje, duke premtuar se ndihma e komunës, nëpërmjet subvencioneve do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Me nënshkrimin e 10 kontratave tjera me fermerët tanë, nëpërmjet Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK), vetëm dy ditë pas atyre për serra, për mbështetje direkte në sektorë të ndryshëm të bujqësisë, kemi arritur numrin 200 të fermerëve përfitues nga komuna jonë, në më pak se një vit, fal mbështetjes nga buxheti komunal si dhe nëpërmjet granteve bujqësore nga organizatat vendore e ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Katër fermerë kanë përfituar: mekanizëm bujqësor, mbjellëse misëri, plug, pajisje për bletari, grabujë diellore spërkatëse 400 litra dhe pijatore. Dy fermerë kanë përfituar serra nga dy ari për secilin.

Katër fermerë kanë përfituar: bimë aromatike rigon, hithër, të kompletuar me sistemin e ujitjes pikë-pikë.

Fermerët përfitues të bimëve aromatike do ta kenë tregun e siguruar për shitjen e bimëve.

“Po sot, me drejtorin ekzekutiv të Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë, Zenel Bunjaku, kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, për t’i mbështetur me grante bujqësore të riatdhesuarit, në kuadër të projektit “Përfshirja ekonomike e të kthyerve përmes bujqësisë në zonat rurale dhe ngritja e kapaciteteve përmes trajnimeve profesionale”. Urime fermerëve përfitues!”, ka thënë kryetari Jashari.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në…