Komunat humbin miliona nga falja e tatimit në pronë

31 korrik 2023 | 11:06

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka vlerësuar se me Ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme me të cilin qytetarëve u zbriten faturat deri në 100 euro për vitin 2023, humbin dhjetëra miliona euro, prandaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të kompensohen. Komunat po ashtu tash e shtatë muaj janë duke pritur përgjigje pozitive nga qeveria për kompensimin e dëmeve të vërshimeve.

Kuvendi më 27 korrik ka miratuar ndryshimin e Ligjit të ri për tatimin në pronën e paluajtshme, i cili parasheh mundësinë për të përfituar nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në 100 euro, lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore, kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024 dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit te Komunave te Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se miratimi i Ligjit për tatimin në pronë do t’u kushtojë miliona euro komunave dhe se presin sa më shpejt kompensim.

“Nuk është edhe korrekte sepse nëse qeveria mendon t’ia falë qytetarëve nga 100 euro. Duhet të mendoj edhe dëmet e shkaktuara ndaj komunave dhe ato dëme ne kërkojmë të kompensohen. Do të jenë më dhjetëra miliona euro në pyetje. Nuk është vetëm këtu 100 mijë euro apo 200 mijë euro,  por secila komunë do të preket. Komunat më mëdha me dhjetëra miliona euro, kurse komunat e vogla me qindra mijëra euro”, ka thënë Ibrahmi.

Ibrahimi ka deklaruar se qeveria e ka miratuar këtë ligj pa u konsultuar me komunat e Kosovës, veprim ky që sipas tij nuk ka ndodhur asnjëherë me qeveritë e kaluara.

Më tutje, Ibrahimi ka folur edhe për mosekzekutimin e mjeteve për kompensim të dëmeve nga reshjet e shiut të muajit janar, ku ka përmendur dëmet miliona euroshe në komuna të ndryshme.

Sipas tij, komunat në kohë rekorde i kanë plotësuar kërkesat ligjore, por që ato kërkesa qëndrojnë pezull në nivelin qendror.

Po ashtu, Ibrahimi ka folur edhe për dëmtimet e bizneseve në mungesë të ekzekutimit të mjeteve.

“Kemi mbyllje të bizneseve në nivelin lokal për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Nuk kanë pasur mundësi banorët e komunave specifike, që ta ringjallin biznesin sepse të gjitha investimet i kanë pasur në atë kohë në ato biznese dhe qeveria të mos i përkrah banorët e Republikës së Kosovës, për shkak të dëmeve nga vërshimet, sinqerisht është për keqardhje”, ka thënë Ibrahimi për “Kosovapress”.

Ibrahimi ka pasur edhe një kërkesë tjetër për qeverinë, që është hartimi i grantit të katërt, sepse sipas tij, aty parashihen që mbi 100 milionë euro do të shkojnë drejtpërdrejt te komunat.

Ibrahimi ka shprehur pakënaqësi edhe ndaj miratimit të Ligjit për vetëqeverisje lokale, që sipas tij, as kësaj here qeveria nuk ka komunikuar me komunat për amendamentin e një ligji të tillë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet e Sylejmani Në takimin e 29 Korrikut 2023, në…