Komunat po ballafaqohen me ritme të ulëta në vjeljen e të hyrave në tatimin në pronë

14 mars 2022 | 15:11

Me qëllim shqyrtimin e planit të punës 2022 në përcaktimin e objektivave dhe aktiviteteve me interes për komunat në fushën e financave lokale, nën organizimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës është zhvilluar takimi i Kolegjiumit për Buxhet dhe Financa me pjesëmarrjen e Ahmet Ismailit, drejtor i Përgjithshëm i Thesarit (MFT).

Njëra ndër temat e diskutuara ishte edhe ajo e tatimit në pronë ku komunat po ballafaqohen me ritme të ulëta në vjeljen e të hyrave në tatimin në pronë.

Kjo u tha se rrjedh si pasojë e heqjes së kushtëzimit për regjistrimin e automjeteve, me pagesën e tatimit në pronë nga qytetarët. Përfaqësuesit komunalë u shprehën edhe një herë se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, e pohojnë të detyrueshëm pagimin e tatimit vetëm përmes të kushtëzimit të regjistrimit të automjeteve personale.

Andaj vendim unanim i Kolegjiumit ishte edhe përpilimi dhe adresimi i kërkesës zyrtare te ministri i Financave për rishqyrtimin e këtij vendimi të mëhershëm.

Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit, Ahmet Ismaili, ka informuar drejtorët e financave lidhur me procesin e rrjedhës së parasë së organizatave buxhetore, proces ky i planifikuar që nga 2019, ashtu që të ketë një financim të balancuar të buxhetit, gjithnjë duke respektuar të drejtën që komunat e kanë për të destinuar këto mjete në kohën dhe projektet e caktuara.

Për shkak se ky proces është i ri në funksion, u tha se shumat e pashpenzuara do të barten duke marrë për bazë masat lehtësuese fillestare deri më 15 korrik, ku edhe do të vazhdohet me masat e planifikuara sipas Rregullores për alokimin e fondeve dhe menaxhimin e rrjedhës së parasë.

Po ashtu një pikë kritike e diskutimit ishin edhe masat e reja të sigurisë lidhur me procedurat e regjistrimit të furnitorëve. “Për shkak të numrit të ulët të punëtorëve, ky proces është i ngadalshëm, andaj edhe duhet të kemi një mirëkuptim (për dorëzim të kopjeve fizike) deri në momentin e regjistrimit fillestar në sistem për shkaqe të sigurisë”, ka theksuar Ismaili.

Ai ka thënë se ky proces do të shërbejë si filtër në sigurimin e të dhënave i cili pastaj mund të bartet dhe të shërbejë për vitet në vijim.

Një alternativë e mundshme ishte edhe rishikimi i dorëzimit të kopjeve fizike përmes postës së shpejtë tek Thesari i Kosovës. Po ashtu u tha se për shkak të shtimit të masave të sigurisë në sistem do të ketë edhe kufizim në qasje nga personi i autorizuar me kredenciale të sigurisë.

Në këtë takim u theksua se nëse për shkak të shkaqeve të ndryshme personi nuk mund të ushtrojë detyrën atëherë, komunat duhet të adresojnë personin i cili duhet të trajnohet – certifikohet përmes kërkesës së veçante tek Thesari sepse nuk mund të kenë qasje dy persona në të njëjtën kohë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Phoenix mbetet skuadra më e mirë këtë sezon në NBA,…