Konferencë për Kosovën në njëzetvjetorin e çlirimit Shqipëria dhe liria e Kosovës

20 qershor 2019 | 14:43

Bujar M. Hoxha

Vuajtjet e kosovarëve do të shpërbleheshin njëzet vite më parë me lirinë e fituar. Hyrja e trupave të NATO-s më 12 qershor të 1999-s në Kosovë ishte çlirimi i tyre. Kosova këtej e tutje do të ishte e tyrja; aty do të jetonin pa frikën se makineria policore dhe ushtarake serbe mund të bënte ç’të donte me ta, t’i dëbonte apo t’i vriste. Lufta e mbaruar nuk nënkuptonte fundin e përpjekjeve; sfida të reja ishin përpara.
Për të folur për epopenë e para njëzet viteve, për ndërtimin e një Kosove të re si një shtet i pavarur, por dhe për rolin e Shqipërisë në të gjithë këtë, Fondacioni “ALSAR” organizoi të hënën një konferencë, mbajtur në Hotel “Tirana International”.
Organizatorëve u duhet njohur merita e marrjes së iniciativës për mbajtjen e kësaj konference, për më tepër kur mungesa e aktiviteteve kremtuese në kryeqytetin e Shqipërisë për këtë datë jubilare ishte e dukshme. Përzgjedhja me kujdes prej tyre e kumtuesve meriton po ashtu përgëzim.
Fjala e hapjes në konferencën me temë “Shtetformimi i Kosovës dhe Shqipëria: sfidat dhe perspektivat”, i takoi sigurisht kryetarit të Fondacionit “ALSAR”.
Me fjalë të përzgjedhura e të mirëmenduara, z. Mehdi Gurra, iu drejtua kështu të pranishmëve: “Vetëm pak ditë pas kremtimit madhështor në Kosovë të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, të ditëlindjes së lirisë së Kosovës, siç do të shprehej presidenti Thaçi, mblidhemi këtu në Tiranë për ta analizuar rrugëtimin dydekadësh të shtetit më të ri të Europës, shoqëruar dhe në kontekstin e marrëdhënieve me shtetin amë. “Shtetformimi i Kosovës dhe Shqipëria: sfidat dhe perspektivat” është tema mbi të cilën do të ligjërojnë një sërë figurash të mirënjohura.
Nëpërmjet kësaj konference kërkohet të hidhet akoma më tej dritë mbi arritjet kryesore të Kosovës si shtet demokratik, e krahas kësaj, mbi kontributin e Shqipërisë përgjatë procesit të gjatë e të vështirë të ndërtimit të këtij shteti.
Kosova ka ndryshuar në njëzet vite, sfidat po ashtu. Beteja e çlirimit është fituar; kërkon ende përpjekje të mëdha sfida e ndërtimit të një shteti të drejtë e të mirë për të gjithë qytetarët kosovarë! Këtu është me vend të përmendet në mënyrë të përmbledhur thënia e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, e ripërsëritur në kremtimet e javës së shkuar: “78 ditët e sulmeve ajrore të NATO-s mund ta kenë fituar këtë luftë, por vetëm qytetarët e Kosovës mund ta fitojnë paqen!”
Kalvari i mundimeve që solli liria e munguar mori fund për popullin kosovar njëzet vite të shkuara; ato mundime ua lanë vendin dhimbjeve të lindjes së shtetit të pavarur. Fati i qytetarëve kosovarë ishte tanimë në duart e tyre. U takonte atyre të vendosnin për të!
Kosova nuk është më krahina autonome e ish-Jugosllavisë, nuk përballet më me represionin policor dhe ushtarak serb. Ndërtimi i një rendi demokratik është tani sfida e kosovarëve në vendin e tyre të lirë.
Historia e këtyre dy dhjetëvjeçarëve ka treguar se ka patur dhe keqpërdorim të lirisë, mbase dhe të menduar, mbase dhe të nxitur. Në emër të kësaj lirie është goditur me fjalë apo në mënyrë tjetër mbartësi i vlerave tradicionale. Dëmi i bërë ka ndodhur t’ia ketë kaluar dhe atij të para luftës!

* * *

Në mënyrë të natyrshme, Shqipëria i është gjendur pranë Kosovës në ecjen e saj drejt lirisë dhe shtetndërtimit. Vëmendja nuk ka munguar asnjëherë; ndihma ka qenë e çmuar. Përkujdesi i treguar është parë ndonjëherë dhe si një paternalizëm i panevojshëm, prej nga buron dhe një fërkim sporadik në marrëdhëniet reciproke.
Kosovarët vërshuan njëzet vite më parë në Shqipëri si të dëbuar prej dhunës ushtarake serbe; ardhja e tyre më pas u përshkrua dhe si turizëm patriotik. Kufiri midis dy shteteve është bërë gjithnjë e më simbolik në shkëmbimet njerëzore, veç nuk është aq simbolik në aspekte të tjera.
Si pjesë e një kombi, shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Të mirat duhet t’i vënë në shërbim të marrëdhënies vëllazërore, të këqijat t’i mbajnë për vete. Gjendur në Ballkan, në një rajon ku lufta është gjithnjë pas dere, dy vendet janë të destinuara të bashkëjetojnë.
Shqipëria dhe Kosova gjithashtu gjenden në një rrugë të përbashkët, me synim të përbashkët: të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Shumë prej sfidave të tyre janë të ngjashme kësisoj. Në këtë pikëpamje, si dy pika uji është dendur dhe ligjërimi i klasave politike si këtej dhe andej kufirit.
Përvoja e rrugëtimit drejt BE-së ka sjellë dhe zhgënjime. Qytetarëve të Kosovës ende nuk u jepet e drejta për të udhëtuar pa viza në hapësirën Shengen, megjithëse janë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara. Instancat përgjegjëse në BE nuk e kanë mbajtur premtimin. Shqipërisë, në të njëjtën kohë, i shtyhet në mënyrë të vazhdueshme hapja e negociatave. A ka lidhje e tëra kjo me praktikat burokratike të zyrtarëve të Bashkimit Europian? Është rezultat i keqsjelljes së klasës politike dhe administratës shtetërore në Kosovë dhe Shqipëri? Është pasojë e përpjekjeve të qarqeve antishqiptare? Apo ka të bëjë – mos qoftë kështu! – me përbërjen mbizotërueshmërisht muslimane të popullsisë së dy vendeve, në pritje për të parë ndryshime dramatike të imponuara në strukturën shoqërore?
Në të gjitha sfidat me të cilat ndeshen sot shqiptarët, uroj që këtë herë të mos i humbasin gjërat në tavolinë, siç ka ndodhur jo rrallë në të kaluarën tonë historike!

* * *

Dua ta shfrytëzoj këtë fjalë për të përmendur kontributin e paçmueshëm të Turqisë për shtetin e Kosovës, të anashkaluar me pa të drejtë nganjëherë.
Turqia mori pjesë aktive në ndërhyrjen e NATO-s dhe në çlirimin e Kosovës, u angazhua fuqimisht në rindërtimin e vendit pas luftës, dhe ishte ndër vendet e para që ia njohu pavarësinë. Ndihma e Turqisë mike nuk ka munguar as në fushatën për të siguruar njohjen e shtetit të ri të Kosovës.

* * *

Fondacioni “ALSAR” e ndërmori iniciativën për organizimin e kësaj konference, siç kuptohet, në kuadër të kremtimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Çështja kombëtare qëndron gjithmonë në themel të punës së fondacionit tonë. Kështu, ndonjë keqkuptim i krijuar gjatë përpjekjeve për ta organizuar këtë konferencë nuk ka patur asnjë arsye për ta penguar mbarëvajtjen e saj. Me gjithë keqardhjen për një keqkuptim të tillë, si fondacion kemi parë përpara, duke punuar dhe shpresuar që konferenca të jetë e suksesshme.
Pesha e kësaj konference vihet në pah dhe nga fakti se në Tiranë kanë munguar aktivitetet e tilla kremtuese gjatë këtyre ditëve. Thuajse asnjë organizëm shtetëror apo joqeveritar nuk ka përgatitur një veprimtari të këtij niveli me këtë rast.
Prandaj, në emër të “ALSAR”-it, ju shpreh falënderimin të gjithë të pranishmëve për ardhjen në konferencë, e njëkohësisht i uroj punë të mbarë asaj!”
Krahas tij, fjalë përshëndetëse do të mbante z. Besnik Hoti, ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.
Ligjëruesit mandej iu përmbajtën temës së konferencës duke e parë atë në kënde të ndryshme. Disa duke kujtuar ngjarje të asaj kohe, të para njëzet viteve, disa duke analizuar sfidat e së tashmes dhe së ardhmes. Rrëfime ngjarjesh, vuajtjesh, përvoja personale, përvoja në detyra shtetërore, kontribute të dhëna, shpërfaqje vizionesh, shprehje mirënjohjesh; një mozaik mendimesh të vyera, paraqitur denjësisht nga personalitete të mirënjohura.
“Konteksti ndërkombëtar i çlirimit të Kosovës: intervenimi i NATO-s si pararendës i së drejtës ndërkombëtare me fytyrë njerëzore”, ishte kumtesa e parë e mbajtur në konferencën e së hënës.
Ligjëruesi, prof. dr. Blerim Reka, do të theksonte në fjalën e tij se, “Para dy dekadash, Kosova ndodhej midis pushtimit kolonial serb dhe përkrahjes ndërkombëtare. Dhjetë vite të aparteidit të Millosheviqit s’ka se si të mos e kthenin tërë opinionin botëror në favor të të vetmit popull në Europë ndaj të cilit praktikohej sistemi jugo-afrikan i Jan Smitit. Historia e Kosovës nën Serbi, pra, mund të përmblidhej shkurt: një shekull kolonializëm dhe një dekadë aparteid. Bashkësisë ndërkombëtare iu deshën gati një shekull për të pranuar gabimin e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, kur kishte ndarë vëllezërit dhe bashkuar armiqtë, kur ndau Shqipërinë kontinentale nga Shqipëria detare, dhe viktimizoi Kosovën për mosdaljen e Rusisë në Adriatik. Kjo më nuk mund të funksiononte në kontekstin e ndryshuar. Gjeopolitika e Uashingtonit zëvendësoi gjeopolitikën e Londrës. Nga pesë fuqitë e vitit 1913 mbeti vetëm një (Rusia) që në vitin 1999 ende mbronte ndarjen kombëtare të Londrës; ndërkaq që doli një e re (SHBA), që shpërfilli vendimet e ambasadorëve të atëhershëm europianë. Gjenocidi në Ruandë dhe ai në Srebrenicë nuk do lejoheshin të përsëriteshin edhe në Kosovë. Intervenimi i NATO-s parandaloi një gjenocid të ri, duke intervenuar ushtarakisht kundër regjimit që e kishte bërë atë në Bosnje e Hercegovinë dhe e filloi edhe në Kosovë… Peshoi arsyetimi legjitim për të shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja para argumentimit legal për respektimin e normës. Deri në intervenimin e NATO-s ishin vrarë 13 mijë civilë shqiptarë dhe rreth një milionë e kishin braktisur Kosovën. Në vitin 1999, prandaj, fitoi sovraniteti njerëzor para sovranitetit shtetëror, ekzistenca e një populli para ekzistencës së një shteti, integriteti human para atij territorial… Prandaj intervenimi i NATO-s në vitin 1999, që solli çlirimin e Kosovës, ishte edhe paraardhës i një koncepti të ri të së drejtës ndërkombëtare: atij me fytyrë njerëzore, dhe jo i së drejtës ndërkombëtare që deri atëherë mbronte vetëm shtetet, duke flijuar njeriun. Çlirimi i Kosovës, pra, në vitin 1999 hapi një faqe të re në të drejtën ndërkombëtare: atë të sovranizimit postkolonial, mbështetur edhe me intervenim ndërkombëtar humanitar.”
Analizues i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, prof. dr. Ibrahim Gashi bëri një përmbledhje të tillë të perspektivës së tyre:  “Konteksti historik, siç rezulton nga një vështrim i vëmendshëm, ka luajtur dhe luan edhe më tej një rol krucial në zhvillimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dy tersi të mëdha të një areali kombëtar gjeografik dhe etnik të përbashkët. Rrjedhimisht, ky kontekst ka ndikuar në krijimin e një vetëdije politike brendashqiptare për bashkim dhe krijimin e një shteti të përbashkët. Në anën tjetër, konteksti politik, në rrethana specifike të krijuara në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, ka nxitur prirjen për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Perspektiva e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë determinohet nga këto dy kontekste.”
Për kontributin e Shqipërisë në pritjen e kosovarëve të dëbuar prej represionit serb asokohe foli dr. Sadik Mehmeti, një tjetër i ftuar.

“Shpërnguljet masive me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, që filluan në vitin 1877/1878, e për të vazhduar edhe më vonë, pas largimit të Perandorisë Osmane nga këto troje, gjatë luftërave ballkanike, pikërisht në vitet 1912-1915, pastaj midis dy luftërave botërore (1919-1941) dhe pas Luftës së Dytë Botërore (periudha midis viteve 1950-1960), e deri në vitin 1998-1999, kur afërsisht mbi 800 mijë persona lanë vendin e tyre dhe u drejtuan për në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi etj., si dhe në vendet e tjera të Evropës dhe më gjerë, paraqet një nga tragjeditë më të mëdha që i ka ndodhur këtij populli.
Shpërngulja masive me dhunë e shqiptarëve nga Kosova gjatë këtyre periudhave, dihet mirëfilli se lidhet me procesin e politikës shkombëtarizuese që ndiqnin qarqet drejtuese serbe të Beogradit ndaj popullatës autoktone në këto vise dhe me pretendimet territoriale të serbëve në dëm të tokave shqiptare dhe popullatës së saj.
Periudha e fundit e shpërnguljes, pra ajo midis viteve 1998-1999, ndonëse e shkurtër, ajo, si asnjëherë më parë, ishte shumë masive, ku afërsisht mbi 800 mijë persona lanë vendin e tyre dhe u drejtuan kush si mundi dhe kah mundi.
Në gjithë këto periudha të sipërpërmendura, të parit që do t’i ketë renë hise dhe barra kryesore për të strehuar dhe mirëpritur shumë nga vëllezërit e tyre të shpërngulur me dhunë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, ka qenë pa dyshim shteti shqiptar dhe popullata mikpritëse e tij.
Kështu, vetëm në luftën e fundit në Kosovë (1998-1999), Shqipëria ishte, pa dyshim, jo vetëm pritësja e parë e të dëbuarve me dhunë nga vatrat e tyre, por ajo akomodoi dhe u përkujdes për rreth 65-70% të numrit të përgjithshëm të rreth 800 mijë shqiptarëve të shpërngulur nga Kosova.
Pikërisht këtë kontribut të shtetit dhe popullit shqiptarë, të mbështetur mbi të dhëna dhe statistika të ndryshme, synon ta vërë në dukje kumtesa ime,” tha ai.
Dr. Halil Hyseni foli për pranverë kosovare: “Pranvera e vitit 1999 erdhi në Prishtinë. Pranvera lulëzoi jo vetëm pse u vadit me gjakun e heronjve kosovarë, erdhi jo vetëm për shkak të potencës ushtarake të NATO-s. Ato nuk do të mjaftonin. Kolicioni fitimtar do të ishte i paplotë. Liria lulëzoi në Prishtinë sepse në shërbim të saj, në mbrojtje të vlerave, mblodhi edhe shërbëtorët më të spikatur të paqes.”
Ligjëruan gjithashtu në konferencë dhe Memli Krasniqi, Skënder Luftiu, Shaban Murati dhe Ksenofon Krisafi. Çdonjëri me kumtesë mjaft interesante. Tema e zgjedhur nga dr. Memli Krasniqi ishte, “Shtypi amerikan mbi luftën e Kosovës (1998-1999”, Skënder Lutfiu u përqendrua te çlirimi i Kosovës dhe vendosja e protektoratit ndërkombëtar. Diplomati dhe publicisti Shaban Murati analizoi “Komplikimet e brendshme dhe ndërkombëtare të procesit të njohjes së Kosovës”. Prof. dr. Ksenofon Krisafi rikujtoi kontributin personal dhe të shtetit shqiptar në ato kohë të vështira për Kosovën. “Në forumet ndërkombëtare për mbrojtjen e Kosovës,” titullohej kumtesa e mbajtur prej tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derisa ende nuk ka një datë të saktë të caktuar,…