KONGRESI I ARSIMIT-VLERË PËR ARSIMIN KOMBËTAR

21 shtator 2022 | 00:09

Tefta Cami ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës

Kongresi i Arsimit i 12 shtatorit të këtij viti me temë “Sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit europian” do të krijojë kushte e mundësi për zhvillimin mbarëkombëtarë të arsimit shqiptar. Mbështetja dhe inkurajimi i Ministrisë të Arsimit dhe Sporteve dhe institucioneve vartëse, është një domosdoshmëri, sepse arsimi i unifikuar kombëtarë është bazamenti e themeli i edukimit të vetëdijes kombëtare dhe e bashkimit kombëtarë. Shkolla përgatit të ardhmen e kombit. Sipas vlerësimit të kryeministrit z.Rama “Arsimi është arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit”.

E përshëndes hartimin dhe miratimin nga të Dy shtetet Shqiptare, me nismën e ministres të Ministrisë të Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë, znj. Evis Kushi për përdorimin e Abetares së unifikuar në klasat e para të Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe të klasave të para të shkollave shqipe në Maqedoninë e Veriut. Përdorimi i Abetares së unifikuar kombëtare është një hap i rëndësishëm në fushën e sistemit arsimor shqiptarë. Me siguri teksti i Abetares do të jetë hartuar sipas principeve të gjuhës shqipe, si një gjuhë e veçantë në grupin e gjuhëve indoeuropiane, si dhe tekstet e Abetares dhe të Këndimi të synojnë e realizojnë edukimin e ndjenjave kombëtare të fëmijve të klasave të para.

Besoj, se po shfrytëzohet edhe përvoja e mirë dhe e pasur historike e përdorimit të Abetareve dhe të teksteve të përbashkëta, si:

1. Periudha e Rilindjes Kombëtare, kur misionarët e arsimit shqiptarë merrnin Abetaren e hartuar nga Naim Frashëri me shkronja shqipe nga “Shoqëria e të Shtypurit të Shkronja Shqip në Stamboll në vitin 1879” në kohën e krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me dekret perandorak.

Sipas të dhënave historike “Shoqëria e Shtypurit Shkronja Shqip” u formua me 12 tetor të vitit 1879 në Stamboll. Ishte një organizatë patriotike e intelektualëve shqiptarë, që promovonin botime në gjuhën shqipe, veçanërisht tekste shkollore, të cilat ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për edukimin e brezave të rinj. Kur është krijuar ka patur 28 anëtarë themelues, 4 ishin katolik nga Shkodra (Pashko Vaso, Ndoc Xhuxha, Nikoll e Gjon Bonati), 14 ishin ortodoks nga Korça e Gjirokastra dhe 10 ishin myslimanë. Ndër myslimanët përveç dr. Ibrahim Starovës, nëntë të tjerë ishin nga Vilajeti i Janinës, ndër ta përfaqësues të familjeve të bejlerëve të Vilajetit: Ferid pashë Vlora, Mehmet Ali pashë Vrioni, vëllezërit Vejsel dhe Ibrahim bej Dino, Mustafa bej Janina, Sejfulla bej Zavalani, Ahmet Shefki Gjirokastra, si dhe Samiu me Naimin. Kërkesën e parë për përdorimin e shkronja shqipe e bëri Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” në Stamboll në vitin 1879 dhe u lejua me dekret perandorak. Ndërsa Mulla Daut Boriçi në vitin 1882 u propozoi autoriteteve osmane që të botoheshin abetare dhe gramatika shqipe me shkronja arabe. Abetaret e para, “Këndimi i Çunave” i ka nxjerrë në dritë Naim Frashëri.

Pas dhunës e burgosjes të disa nga krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u vështirësuan kushtet e Shoqërisë “Drita” të Stambollit nga censura. Prandaj bashkëpunuan me mërgatën e Bukureshtit dhe formuan “Degën e Shoqërisë së Stambollit për libra shqipe” me emrin “Drita”. Në Rumani u shquan disa patriot shqiptar si Naum Veqilharxhi, Asdreni, Lazgush Poradeci, Mitrush Kuteli dhe pasardhës të tyre.

Qëllimi kryesor i shoqërisë “Drita” ishte botimi i shtypshkrimeve në gjuhën shqipe për t’u dhënë ndihmë të gjithanëshme shkollave në Shqipëri për të mësuar gjuhën shqipe krahas asaj osmane. Naimi dhe Samiu kishin interes t’i botonin veprat e tyre në Bukuresht, sepse nuk kishin mundësi në Turqi. Turqit nuk lejonin bashkëpunimin midis shqiptarëve. Shtypshkronjën e vendosën në shtëpinë e tregëtarit shqiptar, Sotir Terpo.

Kryetar i Komitetit të Shoqërisë “Drita” u zgjodh Anastas Avramidhi Lakçe; nënkryetar Kostandin Eftimiu, sekretar, personalitet me shumë influencë; arkëtar Rafail Anastasi; anëtarë: Spiro Eftimiu, Vahit Abdullahi, Nikolla Naço, Irakli Duro, G.Theodhori, Andrei Joan, Vasil Terpo, V.Kanasi dhe Gjorgj Gjeçi.

Pas një konflikti, Nikoll Naço me përkrahësit e tij krijon një shoqatë përsëri me emrin “Drita”. Nxorri organin e parë “Albanezul” dhe pas një viti me emrin “Shqiptari”. Kjo shoqatë hapi në Bukuresht në vitin 1892 një shkollë normale me konvikt shqiptaro-vllahe për përgatitjen e mësuesve. Mësimet jepeshin në gjuhën shqipe dhe rumune.

Grupi tjetër i atdhetarëve shqiptarë formuan në vitin 1887 shoqërinë “Dituria” Në vitet 1886-1888 shoqëritë “Drita” dhe “Dituria” botuan 11 vepra të Naim Frashërit në gjuhën shqipe, që u përdorën si tekste mësimore për mësonjëtoret e para shqipe.

Sami Frashëri me shoqërinë “Drita” punuan për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Në fillim u punua për ngritjen e një shoqate kulturore në Korçë. Përpjekjet e patriotëve shqiptarë u realizuan me 7 mars 1887, ku e hap shkolla shqipe në Korçë dhe u njësua programi me shkollat europiane. Me 14 mars u hap edhe në Pogradec një shkollë shqipe me mësues Koço Sotirin, vëllai i Pandeli Sotirit mësuesi i parë në mësonjëtoren e Korçës. Hapja e këtyre shkollave ishte bërë pas marrjes së Irades në perandorinë osmane.

Gjuha shqipe me shkronja arabe mësohej në mejtepe, ku krahas lëndëve fetare, mësoheshin edhe lëndët shoqërore e shkencore si matematika, gjeografia, algjebra, historia etj. Megjithëse gjuha shqipe nuk ishte e ndaluar me dekret perandorak, nuk lejohej hapja e shkollave shqipe. Ndërsa kisha greke e kishte mallkuar përdorimin e gjuhës shqipe, të gjuhës së parë e më të vjetër, që është folur X shekuj para krishtit.
Shoqata patriotike shqiptare janë krijuar në shumë vende të tjera në Europë, Egjypt, SHBA etj.

2. Periudha e viteve të pushtimit nazifashit të Shqipërisë dhe pas pushtimit të mbretërisë së Jugosllavisë dhe të krijimit të Shqipërisë natyrale 1941-1944, kur të gjitha trevat shqiptare si në Kosovë e Maqedoni, në Sanxhakun e Nishit ministri Ernest Koliqi ka dërguar qindra mësues shqiptarë edhe pse vetë Shqipëria nuk i kishte të mjaftueshëm dhe mësonin me të gjitha tekstet e unifikuara në të gjithë sistemin arsimor. Kontributi i atyre mësuesve ka qenë i pakrahasueshëm.

Nga viti 1912 deri në vitin 1941 në trojet e pushtuara shqiptare nga Serbia ishte e ndaluar me dekret shtetëror shkolla në gjuhën shqipe. Mbsjtja e një abetreje ilrgale dënohej si vepër penale me 10 e më shumë vite burg. Nxënësit shqiptarë që mësonin në shkollat serbe e kishin të ndaluar të flisnin shqip midis tyre dhe për raste të tilla përjashtoheshin nga shkollat. Gjatë viteve 1912-1941 në administratën apo institucionet e mbretërisë së mbretërisë së Jugosllavisë, nuk del të jetë shënuar asnjë shkronjë, asnjë fjalë apo fjali në gjuhën shqipe. Gjuha turke nuk ishte e ndaluar dhe kishte shkolla, gazeta e shoqata në këtë gjuhë. Përpjekja e regjimit monarkist ishte që arnautët (shqiptarët) të identifikoheshin si turq. Prandaj edhe shume shqiptarë në ish-Jugosllavinë janë rregjistruar si turq.

3. Periudha 1945-1948, me kërkesën e Kosovës janë dërguar 300 mësues dhe tekstet shkollore nga Shqipëria që ishin në përdorim në Kosovë e në Maqedoni dhe në Mal të Zi deri në kohën e prishjes së marrëdhënieve Shqipëri- Jugosllavi. Pjesa më e madhe e këtyre mësuesve u kthyen pas prishjes së marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi. Në vitin 1979 një grup nga këta mësues kanë vizituar Kosovën me ftesë nga sekretari i Arsimit e Kulturës dhe Shkencës të Kosovës, Ymer Jaka.

Tito pas vitit 1947 i rindau përsëri trojet shqiptare në Jugosllavi, megjithëse popullsia shqiptare zinte vendin e tretë pas serbëve e kroatëve dhe si territor ishte i përbashkët. Por krijoi republikat e Maqedonisë e të Malit të Zi, megjithëse shumica popullsisë në ato dy republika ishin shqiptarë dhe u përdor dhunë e terror dhe genocid për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre, sipas projektit të Çubrilloviçit të vitit 1937, për “Dëbimin e Shqiptarëve”. Njihet metingu i madh në Tiranë dhe fjalimi i Enver Hoxhës, ku shprehej indinjata dhe kërkesa mbarëpopullore, për të ndaluar ricoptimin e trojeve shqiptare nga shteti Jugosllav.

4. Periudha 1968-1981, kur në të gjithë sistemin arsimor në Kosovë e në viset e tjera shqiptare që nga kopështi i fëmijve e deri në shkollat e larta zhvillonin mësim me tekstet e shkollave të Shqipërisë. Çdo vit vinte drejtori i Entit të Botimeve “Rilindja” të Kosovës, Rexhep Zogaj, që e kam pritur në ato vite, dhe merrte programe e tekste nga Shtëpia Botuese e Librit Shkollor dhe nga Shtëpia Botuese e Librit Universitar dhe, pasi u hiqnin politizimet, i ribotonin dhe i përdornin në gjithë sistemin arsimorë në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare.

Nga viti 1968, kur u çel Universiteti i Prishtinës në Kosovë u nënëshkrua marrëveshtja e protokolli i firmosur nga rektori i Universitetit të Tiranës prof.Jorgji Sota dhe rektori i Universitetit të Prishtinës prof.Dervish Rozhaja deri në prill të viti 1981, kur shpërthyen demonstratat e studentëve me parrullën “Kosova Republikë” dhe “Republikë- -Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, 80% të programit në Universitetin e Prishtinës dhe në Institutet e Larta i zhvillonin pedagogët e Universitetit të Tiranës dhe të Instituteve të tjera të Shqipërisë. Bashkëpunimi në fushën e arsimit e kulturës dhe sporteve me Kosovën është zhvilluar pa marrëveshje shtetërore, por me marrëveshje institucionale.

Me shpërthimin e demonstratave të studentëve e të popullsisë shqiptare në Kosovë Beogradi disllokoi gjithë ushtrinë në Kosovë dhe kontrollohej me avion e ushtri gjithë kufiri me Shqipërinë, mbyllën Universitetin e Institutet e Larta dhe shkollat 8-vjeçare e të mesme, burgosën qindra të rinj e të reja, vranë e plagosën demonstrues, përdorën dhunë e genocid, dogjën librat shkollore e universitare deri edhe serialet e akademikëve e të shkrimtarëve të shquar shqiptar.

Për të ndihmuar studentët në Kosovë hapëm një emision televiziv, ku pedagogët nga Tirana, sipas programit, jepnin leksione e zhvillonin diskutime me disa studentë në RTVSH.

Gjatë një informacioni me z.Ahmet Qeriqi, drejtori i gazetës Kosova e Lirë, me të drejtë më shkruan: “Është një fatkeqësi e madhe që për shumë kohë studiusit shqiptarë kanë injoruar shkollimin me alfabet arab, duke paraqitur të dhëna se 90 % e popullsisë ishte analfabete dhe duke injoruar faktin se arsimi në cilëndo gjuhë të botës, nuk prodhon analfabetë. Mjerisht është deformuar një e vërtetë historike, pasi e tërë trashëgimia kulturore në gjuhën shqipe në kohën e Perandorisë Osmane është anashkaluar, vetëm se ishte e shkruar me alfabet arab. Ibrahim Nezimi, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Çami e qindra krijues të mirëfilltë, madje edhe shumë realistë, u trajtuan e trajtohen me përçmim si bejtexhinjë. Hasan Zyko Kamberi është poeti i parë realistë në Shqipëri, një shekull para Çajupit dhe gjysëm shekulli para Migjenit. Shqip ka folur e shqip ka shkruar e ka kritikuar madje edhe vetë Sulltanin, por anashkalohet pse nuk ka shkruar me alfabet shqip afër një shekull e gjysëm para Kongresit të Manastirit.

Studiusi i letërsisë dhe kulturës shqipe, Robert Elsi, dëshmon se shqipja në shekullin e 19-të është shkruar me 10-të alfabete të ndryshme, ashtu sikur disa gjuhë të tjera dhe këtë e quan vlerë të një gjuhe aq shumë të folur e të degëzuar dhe jo “mëkat” sikur na kanë mësuar ta quajmë.

Është e njejtë sikur tani mbeturinat fashiste e naziste në Shqipëri mohojnë tërë të arriturat kulturore, arsimore, edukative të kohës të regjimit komunist, madje duke pretenduar që ndalimin ta bëjnë me ligj”.

Kryeministri i Shqipërisë, z.Rama, duke përshëndetur nismën e Abetares së unifikuar kombëtare, paraqiti, se gjuha shqipe është në rrezik dhe orjentoi për mësimin me bazë të gjuhës shqipe në të gjithë sistemin arsimor.

Nëse bëhet një punë e kujdesëshme për artikulimin e shqiptimin e saktë të tingujve dhe shkrimin e bukur e pa gabime të shkronjave të gjuhës shqipe që në klasën e parë, si fillimi e bazamenti kryesor, për të vazhduar me kujdes mësimdhënien e gjuhës shqipe gjatë gjithë ciklit të shkollës 9-vjeçare mendoj që gjuha shqipe ka mundësi të përvetësohet mirë nga nxënësit.

Gjuha shqipe duhet të jetë e regjistruar në internet onlin mire e pa gabime, sepse do të ndikojë tek të rinjtë në shkrimin e saktë e pa gabime.

Gjuha shqipe është një gjuhë vitale, që është ruajtur historikisht nga populli gjatë gjithë pushtimeve shekullore të huaja, romake e bizantine, bullgare e serbe, turke e nazifashiste. Si rezultat i rritjes së nivelit të shoqërisë shqiptarë, ka lindur nevoja, që të ketë një gjuhë të njësuar, që u realizua me Kongresin Kombëtar të Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, sipas motos “Një komb, një gjuhë” të shprehur nga akademiku Ali Hadri në Simpoziumin e Kosovës në vitin 1968, kur kanë diskutuar Projektin e Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Beogradi i ka gjykuar profesorët shqiptar të Kosovës e të Maqedonisë, që ishin delegatë e kanë referuar në Kongresin e Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe, sepse synonte të zbatonte një projekt të veçantë për gjuhën letrare në Kosovë e viset e tjera shqiptare, që do të ndikonte në krijimin e një muri ndarës kombëtar. Gjuha e njësuar, nuk mohon përdorimin e dialekteve e nëndialekteve apo të folmeve të tjera. Çdo popull i qytetëruar ka një gjuhë letrare dhe ka një ligj për zbatimin e saj.

Kujdesi për të folur pastër gjuhën shqipe dhe për të shkruar pa gabime, është një domosdoshmëri për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe sidomos për shkollat e institucionet shtetërore, duke filluar nga politikanët, që përdorin fjalë të huaja, apo nga Parlamenti e mediat e shkruara dhe televizive.

a-Nuk përdoren dy shkronjat diakritike, ë-ja dhe ç-ja që i ka vetëm gjuha shqipe.
b-Përdoren fjalë të shkurtuara si: FLM, MP, UM, KLSH e tjerë, që e ngurtësojnë gjuhën shqipe dhe që duhen shkruar e shqiptuar të plota.
c-Përdoren edhe emërtime të partive e institucioneve shtetërore, ndërmarrje ekonomike shtetërore e private me iniciale si: PS, PD, PL, LSI, PSD, PPP etj.
d-Në kuadrin e integrimit e të globalizimit të shoqërisë, si dhe të përdorimit të teknologjive të reja po rrezikohet me të vërtetë gjuha shqipe në këto drejtime:

-Në përdorimin e fjalëve të huaja në vend të fjalëve të bukura shqipe.
-Në përdorimin e ndërtimit të fjalive jo sipas sintaksës e morfologjisë së gjuhës dhqipe, por të gjuhëve të huaja neolatine, sllave e anglishtes, sidomos në përkthimet e hartimet e teksteve shkollore, që ndikojnë për keq tek nxënësit e studentët.

Nuk ndikojnë për mirë në publik disa diskutantë, që diskutojnë në Parlament me dialektalizma, me sharje e ofeza, që prindërit detyrohen të mbyllin televizorin, që të mos shikojnë e dëgjojnë fëmijët, sepse janë pamje të shëmtuara në shoqërinë shqiptare.

Mediat e shkruara dhe televizive, si dhe shtëpitë botuese, spikeret e radiove dhe ato televizive e gjithë institucioneve shtetërore u kërkohet, që të jenë modeli i shkrimit e të folurit pastër e pa gabime të gjuhës amëtare e të bukur shqipe.

Pogradec, më 17 shtator, 2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët e lartë të Odës Ekonomike të Kosovës të prirë…