Konjufca: Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus

05 shkurt 2024 | 12:57

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka nisur vizitën në Estoni, duke takuar fillimisht homologun estonez, Lauri Hussar.

Konjufca ka treguar se me Estoninë ndajnë partneritetin strategjik, interesat e përbashkët në shumë sfera, bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe vlerat e aspiratat e demokracisë.

“Po ashtu, i tregova mirënjohjen tonë për mbështetjen që Estonia i ka ofruar Republikës së Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe sfidat rajonale. Z. Hussar më konfirmoi se mbështetja e shtetit estonez do të vazhdojë, e së bashku u pajtuam për nevojën e thellimit të mëtejmë të raporteve tona, përmes shkëmbimit të përvojave parlamentare, investimeve ekonomike, angazhimit për transformime digjitale, bashkëpunimit në lidhje me sfidat e sigurisë dhe në çdo fushë të interesit të përbashkët”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.

Ai ka treguar se me Hussarin biseduan edhe për situatën politike të dyjave vendeve, duke theksuar se përveç interesave ndajmë edhe rrezikun e një Rusie në kërkim të destabilitetit.

“Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus, aleatëve dhe satelitëve të saj, ndërsa vendosmëria jonë në vlerat e demokracisë është garancia e palëkundur e të ardhmes së përbashkët të paqes dhe përparimit”, ka deklaruar Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në konferencën e përbashkët…