Konjufca kërkon nga komisionet përshpejtim të procedimit të projektligjeve

10 nëntor 2021 | 12:54

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e komisioneve parlamentare, me të cilët ka diskutuar lidhur me projektligjet që janë në procedurë të shqyrtimit dhe për punën e komisioneve në përgjithësi.

Konjufca e ka konsideruar  punën e komisioneve qenësore për efikasitetin e Kuvendit.

“Agjenda e punës, të cilën ne e definojmë së bashku, nuk është e mundur të realizohet pa punën efektive të komisioneve parlamentare. Puna e tyre vërtet është jetike për ecurinë e Kuvendit të Kosovës, ndërsa puna e Kuvendit në përgjithësi është, jo vetëm shtylla e demokracisë, por edhe shumë e rëndësishme për interesat e qytetarëve tanë”, ka theksuar Konjufca.

Ai ka shtuar se aktualisht në procedurë të shqyrtimit në komisione janë 31 projektligje, të miratuara në shqyrtim të parë në seancë plenare.

Pasi foli për ecurinë e deritashme të shqyrtimit dhe procedimit të projektligjeve nga ana e komisioneve, Konjufca nga drejtuesit e komisioneve parlamentare kërkoi angazhim më të madh dhe dinamizim të punës në shqyrtimin dhe procedimin e projektligjeve.

Kreu i Kuvendit i kushtoi një rëndësi të veçantë nevojës për procedim sa më të shpejtë të Rregullores së re të Kuvendit nga ana e komisionit, si dhe angazhim më të madh në mbikëqyrjen e përmbushjes së veprimeve të parapara në kuadër të Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së 2021-2025, si dhe Planit të veprimit për zbatimin e prioriteteve politike të dakorduara midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës për Agjendën e Reformave Evropiane.

Drejtuesit e komisioneve, nga ana e tyre, e njoftuan kryetarin Konjufca për aktivitetet dhe punën e deritashme të komisioneve që ata drejtojnë, duke theksuar gjithashtu edhe sfidat me të cilat përballen në arritjen e objektivave të tyre. ​

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir…