Konjufca: Sulmet serbe mbi policinë janë interes i Putinit për ta shpërndarë luftën

18 prill 2022 | 16:04

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka folur sot për sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.

Kryeparlamentari Konjufca ka theksuar se këto sulme në veri të Kosovës kanë për qëllim ta destabilizojnë Kosovën ashtu që invazioni rus mbi Ukrainën të shpërndahet edhe në pjesët tjera të Evropës.

Sipas tij, këto sulme mbi Policinë e Kosovës janë interes i presidentit rus, Vladimir Putin që ta shpërndajë konfliktin edhe nëpër vende të tjera.

“Provokimet janë të qarta, këto sulme janë të pa tolerueshme, ato po vijnë prej strukturave të cilat drejtpërdrejt janë të lidhura me Serbinë, kjo për arsye se Serbia gjithmonë ka interes për destabilizimin e Kosovës, edhe po shërben sikur platformë e Rusisë për ta shpërndarë edhe në pjesët tjera të Evropës luftën të cilën e ka nisur përmes invazionit mbi Ukrainën më tepër se një muaj më parë”, ka thënë Konjufca.

“Pra, këto sulme që po ndodhin mbi Policinë e Kosovës edhe po tregojnë se sa Serbia është e varur nga Rusia, meqenëse këto sulme unë nuk i interpretoj tjetër përveç sesi të motivuara që konflikti të shpërndahet edhe nëpër pjesë tjera të Evropës, ashtu që invazioni rus mbi Ukrainën të mos e ketë vëmendjen e botës demokratike, të BE-së dhe SHBA-ve. Kështu që është interes i Putinit që me shpërnda konfliktin edhe nëpër vende të tjera dhe sulmet mbi Policinë e Kosovës unë i interpretoj mbi këtë motivacion që të shpërthejë lufta dhe destabilizimi edhe në pjesët tjera të Evropës”, ka theksuar Konjufca.

Këto komente kryeparlamentari Konjuca i bëri sot pas tubimit për nderimin e të rënëve në luftën e fundit në fshatin Dyz të Podujevës.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afrim Hysenaj   Një përkujtim ndryshe   Dje u shënua…