Konservatorët dhe socialistët kokë më kokë në Spanjë

23 korrik 2023 | 22:35

Partia Konservatore dhe ajo Socialiste janë kokë më kokë në zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë, ku me 60% të kutive të numëruara, luhatja shkon në dy deri tre mandate ndryshim, në të mirë të të djathtëve.

Kështu, sipas shifrave të publikuara, Partia Popullore konservatore e drejtuar nga Alberto Núñez pritet të marrë shumicën, me një projeksion prej rreth 130 mandatesh dhe një rritje me 42 mandate nga zgjedhjet e vitit 2019.

Rritje kanë shënuar edhe socialistët e Pedro Sanchez, kryeministrit aktual, por pa mundur të krijojnë një epërsi të dukshme.

Teksa, “humbësit” e mëdhenj duket të jenë ultra-nacionalistët e djathtë të Vox, ku pavarësisht se radhiten të tretët me 33 mandate të projektuara dhe kanë shanse për bashkëpunim në Qeveri me PP-në, tregojnë rënie prej 19 mandatesh në krahasim me vitin 2019.

Sumar, aleati kryesor i Sanchez, qëndron në shifrën e 30 mandateve.

Teksa, sa i takon partive të tjera, ato variojnë nga shtatë në dy mandate, për forcat që futen në Parlament dhe që kryesisht rezultojnë aleatë të socialistëve.

Në këto shifra, Partia Popullore do ta ketë të pamundur të qeverisë e vetme dhe do t’i duhet një koalicion, por atë nuk e krijon dot as me votat e ekstremit të djathtë, pasi së bashku me Vox, shkohet në 164 mandate nga 176 të kërkuara për shumicën.

Sipas ekspertëve politikë në Spanjë, muaj të tërë negociatash mund të duhen për të krijuar Qeverinë e re.

Ajo çfarë shihet aktualisht si e vetmja rrugë e çastit, duke parë edhe drejtimin politik të të gjitha partive me mandat, është një “grand koalicion” me shtatë parti, udhëhequr nga socialistët në binom me Sumar dhe pesë parti të vogla.

Por, në rast se PP-ja merr më shumë deputetë, atëherë e drejta e formimit të Qeverisë i kalon atyre.

Pavarësisht mandateve, duke qenë një sistem i ndarjes zonale, Sanchez, përkundër se ka marrë deri tani shumicën me 32.7% të votave, ka më pak mandate se Núñez, i cili ka marrë 31.4% të votave, por tre mandate më shumë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në moshën 87-vjeçare, ka ndërruar jetë profesori dhe gjuhëtari,…