Kontratat e dëmshme për Telekomin dorëzohen në krimet ekonomike

28 maj 2018 | 14:28

Kryetari i Federatës Sindikale të PTK-së Lamih Balaj, sot ka dorëzuar në Departamentin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë disa kontrata në bazë të së cilave pretendohet se është keqpërdorur dhe menaxhuar deri më tani Telekomi i Kosovës.

Pas dorëzimit të këtyre kontratave,  Balaj ka dhënë një deklaratë për medie.

Ai ka bërë me dije se kontratat që ka dorëzuara janë milionëshe, që sipas tij e kanë sjellë në kolaps Telekomin e Kosovës. “Sot dorëzuam në Departamentin e Krimeve Ekonomike gjashtë kontrata milionëshe të cilat besojmë se janë të dëmshme dhe e kanë sjell Telekomin në këtë gjendje. Janë gjashtë kontrata milionëshe dhe 13 aneks kontrata. Besojmë fuqishëm se duhet të zbardhën të gjitha ato që i kanë ndodhur Telekomit të Kosovës, duke e sjellë në këtë gjendje”, ka thënë Balaj.

Balaj nuk ka treguar saktësisht se për çfarë kontratash bëhet fjalë, pas sipas tij këtë do t’ia lë Departamentit të Krimeve Ekonomike.

Sipas Balajt, këto kontrata kanë të bëjnë për periudhën e viteve 2009-2018. “Për shkak të hetimeve nuk mund t’i bëjmë publike, por siç dihet një ndër to është edhe kontrata me Z-Mobile”, ka thënë ai.

Balaj ka shtuar se nuk është në rregull që në bazë të dëmeve që janë shkaktuar deri më tani, të mendohet në ulje të pagave të punëtorëve.

Ai ka theksuar se edhe po të ulën pagat e punëtorëve 100 për qind përsëri nuk mund të kthehet gjendja e mëparshme në ndërmarrje, pa u zbardhur të gjitha keqmenaxhimet.

A.MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se edhe…