Korrigjimi i kufirit me Serbinë, pas pranimit të Kosovës në OKB

03 gusht 2018 | 17:23

Politologu Ramush Tahiri ka bërë me dije se Kosova nuk duhet të bisedojë me Serbinë për korrigjim të kufirit para se kjo e fundit ta njohë Republikën e Kosovës.

Ai ka deklaruar se diskutimi për këtë çështje në këtë fazë të procesit është i rrezikshëm për Kosovën. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se korrigjimi i kufirit në mes të dy vendeve mund të ndodhë vetëm pasi Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.

“Pa u pranuar Kosova në OKB dhe pa u pranuar në mënyrë bilaterale nga shtete e tjera, sikurse janë pranuar Maqedonia dhe Mali i Zi, nuk bën të diskutojë për korrigjim të kufirit. Një herë Kosova duhet të pranojë se e ka një kufi shtetëror me Serbinë dhe si tillë ai duhet të pranohet nga shteti serb, pastaj mund të hyhet në debate të tjera”, ka thënë Tahiri.

Ai ka kundërshtuar idenë e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve në mes të dy vendeve.

Sipas Tahirit, kjo do të sillte pasoja të rënda për qytetarët e të dy shteteve dhe në këtë mënyrë do të pranohej teoria fashizoide, se shqiptarët dhe serbët nuk mund të jetojnë me njëri-tjetrin. “Mendoj se edhe bashkësia ndërkombëtare nuk është për ndarje ose për këmbim të territoreve. Sepse në këtë mënyrë do të pranohej teoria fashizoide, se ne nuk mund të jetojmë me njëri-tjetrin. Unë konsideroj se shqiptarët dhe serbët mund të jetojnë me njëri-tjetrin dhe si popuj nuk duhet të jemi të armiqësuar”, ka thënë Tahiri.

Më tej, ai ka vlerësuar se Kosova dhe Serbia mund të ecin përpara vetëm duke respektuar parimin e shtetit qytetar. “Kosova dhe Serbia mund të ecin përpara vetëm duke i pranuar kufijtë ekzistues të tyre. Kosova dhe Serbia mund të ecin përpara vetëm duke i respektuar pakicat që i kanë brenda kufirit të tyre, si shqiptarët ashtu edhe serbët. Në këtë mënyrë Kosova dhe Serbia mund të ecin përpara duke qenë shtete qytetare e jo duke qenë shtete etnike”, është shprehur Tahiri.

“Epoka e re”: Z. Tahiri, në forume të ndryshme po debatohet ideja se në fazën finale të dialogut me Serbinë mund të diskutohet ndarja e Kosovës, apo shkëmbimi i territoreve me Serbinë. I shihni të realizueshme këto ide?
Tahiri: Ndarja, apo shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është ide e mirë. Mendoj se duhet të kemi një periudhë të gjatë paqeje dhe mirëkuptimi në mënyrë që t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme të vendosin për këto çështje. Sepse ato gjenerata nuk do t’i kenë paragjykimet e kaluara. Konsideroj se në këtë fazë Kosova dhe Serbia duhet ta pranojnë njëra-tjetrën. Kosova duhet të anëtarësohet në OKB, mandej si dy shtete ta relativizojnë kufirin, që ta bëjnë krejt të parëndësishme për qytetarët e dy të vendeve se në cilin shtet jetojnë. Kjo do të ishte ide më e mirë sesa t’i nxjerrim teoritë e së kaluarës, se mirë jetohet vetëm në shtetet etnike dhe se vetëm kufijtë mund të sigurojnë qetësi. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë kufiri etnik është shumë e vështirë të përcaktohet. Sepse kemi mjedise që popullata jeton e përzier, sikurse kemi mjedise në Kosovë që nuk kanë lidhje territoriale, siç është Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Graçanica, Novobërda e disa fshatra të tjera me shumicë serbe. Çdo këmbim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të prodhonte fatkeqësi dhe shpërngulje të popullatës. Pra, në këtë fazë veprimet e tilla do të shkaktonin pakënaqësi dhe armiqësi për dekada me radhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Epoka e re”: Duke qenë të vetëdijshëm për këto pasoja, besoni se bashkësia ndërkombëtare mund ta lejojë realizimin e këtyre ideve?
Tahiri: Mendoj se edhe bashkësia ndërkombëtare nuk është për ndarje ose për këmbim të territoreve. Sepse në këtë mënyrë do të pranohej teoria fashizoide se ne nuk mund të jetojmë me njëri-tjetrin. Unë konsideroj se shqiptarët dhe serbët mund të jetojnë me njëri-tjetrin dhe si popuj nuk duhet të jemi të armiqësuar. Ndërsa përgjegjësit që kanë bërë krime gjatë luftës duhet të dalin para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar. Nëse dikush flet për këmbim territoresh duke e bërë një hartë dhe duke menduar se a fitojnë më shumë serbët apo shqiptarët, mendoj se e ka gabim. Në këtë fazë, teoria se mund të jetojmë me njëri-tjetrin dhe se të drejtat qytetare janë mbi të drejtat nacionale, që nënkupton teorinë e shtetit qytetar, është më e përshtatshme. Pra, teoria e Evropës është se nuk ka ndarje, por pranim të ndërsjellë të shteteve, të cilat duhen të jenë mbi parimin qytetar, kurse kufiri mes tyre duhet të jetë vetëm formal.

“Epoka e re”: Pra, këto ide nuk mund t’u sigurojnë dy shteteve perspektivë të sigurt?
Tahiri: Kosova dhe Serbia mund të ecin përpara vetëm duke i pranuar kufijtë ekzistues të tyre. Kosova dhe Serbia mund të ecin përpara vetëm duke i respektuar pakicat që i kanë brenda kufirit të tyre, si shqiptarët ashtu edhe serbët. Në këtë mënyrë Kosova dhe Serbia mund të ecin përpara duke qenë shtete qytetare e jo duke qenë shtete etnike.

“Epoka e re”: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, derisa po e kundërshton ndarjen, po e përmend mundësinë e korrigjimit të kufirit në mes të dy shteteve. Çfarë nënkupton kjo për ju?
Tahiri: Së pari, Kosova duhet të pranohet si shtet nga Serbia pastaj, në mënyrë të vullnetshme dhe të dyanshme, nëse dëshirojnë, mund të bëjnë edhe korrektim të kufirit. Këtë mënyrë të veprimit besoj se e përkrah edhe Evropa. Çështja e terminologjisë, korrektim kufiri, ndryshim kufiri, dhe këmbim kufiri mund të jetë e njëjtë ose e ndryshme, varësisht prej opsionit që është në tavolinë. Për shembull, një korrektim kufiri ka të bëjë nëse një lumë do të jetë këndej ose andej kufirit, apo nëse një kodër do të jetë këndej apo andej. Çështja e korrektimit të kufijve me opsione që Kosova do ta japë Leposaviqin dhe Leshakun e do të marrë Preshevën e Tërnocin, nuk janë të mira për opinion dhe nuk janë çështje për t’i diskutuar në publik. Ato bisedohen në tavolinë ku duhet të shihet edhe interesi i banorëve që jetojnë në ato vise.Kosova më herët e ka bërë një gabim, ku i ka formuar komunat serbe pa i pyetur banorët e fshatrave se a dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj apo asaj komune. Tani gabimi nuk bën të përsëritet, sepse mund të shkaktohen përsëri pakënaqësi te qytetarët. Mirëpo për Kosovën është e rrezikshme të diskutohet për korrigjim të kufirit pa e vërtetuar kufirin. Së pari duhet të përcaktohet kufiri administrativ i ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, i garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, dhe i pranuar edhe nga Komisioni i Badinterit, i cili thotë se kufijtë administrativë bëhen kufij shtetërorë. Pra, kjo duhet të pranohet nga Serbia, të nënshkruhet marrëveshja se ky kufi administrativ bëhet kufi shtetëror, pastaj komisionet e përbashkëta mund të vendosin se a do të kalojë një fshat këndej kufirit apo andej. Apo se a do të kthehet gjendja e vitit 1959, ku Kosova i kishte disa fshatra të Preshevës, ndërsa nuk e kishte Leposaviqin dhe Leshakun. Po përsëris edhe një herë, se pa u pranuar Kosova në OKB dhe pa u pranuar në mënyrë bilaterale nga shtetet e tjera, sikurse janë pranuar Maqedonia dhe Mali i Zi, nuk bën të diskutojë për korrigjim të kufirit. Një herë Kosova duhet të pranojë se e ka një kufi shtetëror me Serbinë dhe, si tillë, ai duhet të pranohet nga shteti serb, tek pastaj mund të hyhet në debate të tjera.

“Epoka e re”: Përmendja e Luginës së Preshevës nga presidenti nga shumë opinionistë është parë edhe si lojë e tij?
Tahiri: Presidenti Thaçi e fut në lojë Luginën e Preshevës për faktin se edhe Vuçiqi po i fut në lojë serbët e Kosovës. Pra, është e drejtë e të dy presidentëve që të flasin për pakicat kombëtare që i kanë në shtetet e tyre.

“Epoka e re”: Ka një kohë që shoqëria e Kosovës po debaton rreth fazës finale të dialogut me Serbinë. A po përgatiten si duhet institucionet tona për këtë fazë të procesit?
Tahiri: Fatkeqësisht, Kosova nuk po i përgjigjet mirë kësaj faze të dialogut. Derisa në Serbi ka një farë uniteti për këtë çështje, në Kosovë nuk ka. Ani pse në Serbi ka unitet funksional, sepse partia e Vuçiqit e ka marrë shumicën dërrmuese në Kuvend, te ne koalicioni qeverisës nuk e ka atë shumicë, plus është i varur prej Listës Serbe. Atë që unë si politolog e shoh si mangësi, është se ne nuk e kemi një platformë për këtë fazë të dialogut, e cila do të duhej të miratohej në Kuvend.

“Epoka e re”: Çfarë do të duhej të përmbajë një platformë e tillë?
Tahiri: Ajo platformë mund të jetë shumë e thjeshtë. Pika e parë e kësaj platforme duhet të jetë se Kosova hyn në bisedime me Serbinë si shtet sovran, i pavarur dhe i barabartë. Së dyti, se Kosova në këtë proces do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e saj në përpikëri. Së treti, Kosova në këtë fazë do ta respektojë vullnetin e popullit të saj dhe synimet afatgjatë për integrime evropiane e euroatlantike. Së katërti, do të duhej të ceket se çdo marrëveshje që do të nënshkruhet në Bruksel do të ratifikohet në Kuvend me dy të tretat e votave. Dhe, së pesti, do të duhej të ceket se bisedimet politike do t’i udhëheqë presidenti i vendit si figurë unifikuese. Meqenëse unë kaq thjesht i përmenda këto pesë pika, edhe presidenti ose Qeveria ka mundur ta prezantojë një platformë të tillë në Kuvend. Sepse pa kaluar në Kuvend një dokument i tillë, nuk mund të krijohet uniteti.

“Epoka e re”: Po reagimin e opozitës për këtë fazë të dialogut, si e keni parë?
Tahiri: Tani për tani opozita nuk ka një dokument bazë për këtë proces. Ne mund ta kritikojmë atë, por meqenëse nuk ka ndonjë dokument bazë të pushtetit për këtë çështje, është normale që ajo të kritikojë. Këtë argument opozitës mund t’ia heqë pushteti, nëse e çon një dokument në Kuvend me këto pikat që i përmenda më lart. Natyrisht se pajtohem që opozita po luan lojë politike, sepse ajo në këtë mënyrë dëshiron të fitojë tek elektorati dhe dëshiron ta zhveshë Qeverinë. Mirëpo në këtë moment Qeveria dhe presidenti po i ndihmojnë opozitës, ngaqë nuk po e bëjnë shumë hesap dhe nuk po i ofrojnë ndonjë platformë për këtë proces.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forcat speciale afgane kanë liruar 61 persona, të cilët po…