Kosnett: Kosova e ka detyrim ta formojë Asociacionin
“Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Në një intervistë për Radion Kontakt Plus, Kosnett tha se “historia nuk fillon në ditën kur është formuar Qeveria e Albin Kurtit”.
“Ne besojmë se vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – Qeveria e të cilit është zgjedhur më 22 mars – ka thënë se në Kosovë “nuk mund të formohet asociacion njëetnik”.
Duke folur për Kontakt Plus, Kosnett ka pohuar se nuk do të ketë hapësirë për përparim, nëse dy palët nuk janë të gatshme për kompromise.
“E di që disa njerëz kanë thënë se ‘ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë një kompromis’. Kjo nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, ka deklaruar Kosnett.
“Qeveria në Prishtinë ankohet se nuk ka pasur asnjë kompromis nga Beogradi, se Beogradi nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij. Kjo është pikërisht ajo për të cilën palët duhet të ulen dhe të flasin dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Kosnett.



