Konjufca: Punimet e grupit strategjik për Hagën do të jenë konfidenciale, takimi i radhës të shtunën

05 nëntor 2026 | 15:23

Në gjashtëvjetorin e arrestimit dhe transferimit në Hagë liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se punimet e grupit strategjik për hartimin dhe zbatimin e strategjisë shtetërore lidhur me procesin në Hagë do të jenë konfidenciale.

Konjufca ka thënë se grupi është konstituuar javën e kaluar, kur janë përcaktuar edhe rregullat e punës dhe është themeluar grupi punues, i cili do t’i përmbledhë në një dokument të gjitha idetë dhe propozimet e institucioneve të përfaqësuara.

Në këtë grup janë të përfaqësuara Qeveria, Presidenca, Kryesia e Kuvendit, katër grupet parlamentare dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, me përjashtim të komunitetit serb.  Ai ka bërë me dije se në grup janë përfshirë edhe ministri  Andin Hoti, përfaqësuesja e presidentes, përfaqësuesja e Kryesisë së Kuvendit dhe përfaqësuesit e katër grupeve parlamentare.

Konjufca ka njoftuar se takimi i ardhshëm do të mbahet të shtunën dhe do të zgjasë disa orë. Gjatë tij pritet të shqyrtohen dhe të sintetizohen dokumentet e përgatitura nga institucionet e përfaqësuara në grup. “Mbledhjen e ardhshme e kemi pasnesër dhe çka pritet të bëhet pasnesër, e kjo do të jetë një mbledhje më e gjatë, do të jetë si njëfarë mbledhjeje disaorëshe, e cila do të na e marrë gjithë ditën. Gjatë gjithë ditës do të punojmë që të gjitha dokumentet që i kemi prej gjithë këtyre instancave, sepse secila prej këtyre e ka përgatitur një lloj dokumenti, t’i sintetizojmë në mbledhjen e ardhshme”, ka thënë ai.

Sipas Konjufcës, pas këtij takimi grupi punues do të vazhdojë punën për hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse, zbatimi i së cilës do të jetë obligim për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Kreu i diplomacisë ka theksuar se strategjia do të përfshijë disa dimensione, por ka kërkuar mirëkuptimin e mediave për natyrën konfidenciale të punimeve.

Ai ka bërë me dije se komunikimi me gazetarët do të zhvillohet sipas rregullave të caktuara, për të cilat, sipas tij, janë pajtuar të gjithë anëtarët e grupit strategjik.

Konjufca ka theksuar se qëllimi i strategjisë është koordinimi i veprimeve shtetërore në procesin e apelit në Hagë, duke e cilësuar këtë çështje si të ndjeshme si në aspektin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. “Qëllimi është që ta fitojmë rastin në procesin e apelit, që diskutohet aty, dhe qëllimet tona janë shumë të ndjeshme, edhe në kuptimin vendor, por edhe në kuptimin ndërkombëtar”, ka deklaruar Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në Takimin e 16-të të Koordinimit Lokal për Udhërrëfyesin SALW,…