‘Liria ka Emër’ i dërgon letër Parlamentit Evropian, kërkon veprime urgjente lidhur me Specialen
Platforma qytetare “Liria ka Emër” i ka dërguar një letër zyrtare anëtarëve të Parlamentit Evropian në Bruksel, përmes së cilës ka kërkuar shqyrtimin e shqetësimeve lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe ndërmarrjen e veprimeve institucionale.
Në letrën drejtuar eurodeputetëve, platforma ka kërkuar organizimin e një dëgjimi të posaçëm parlamentar, një vlerësim të pavarur ndërkombëtar dhe përgatitjen e një raporti të veçantë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).
Ndër kërkesat e tjera janë edhe shqyrtimi i mekanizmave të financimit dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare të Dhomave të Specializuara, si dhe ndërmarrja e një nisme parlamentare përmes rezolutës, rekomandimit ose instrumenteve të tjera që do të synonin forcimin e monitorimit të pavarur dhe garantimin e standardeve të gjykimit të drejtë.
Platforma ka kërkuar gjithashtu një takim me përfaqësuesit e saj, me qëllim të paraqitjes së shqetësimeve, dokumentacionit dhe propozimeve për veprim institucional.
Në fund të letrës, “Liria ka Emër” ka kërkuar përgjigje zyrtare dhe informacion për mundësinë e organizimit të një takimi me përfaqësuesit e saj.
Shqetësimet për funksionimin e Dhomave të Specializuara
Në letrën e saj, platforma ka theksuar se Kosova e njeh rëndësinë e drejtësisë ndërkombëtare dhe parimin e përgjegjësisë individuale për krimet e provuara, por ka kërkuar që proceset gjyqësore të zhvillohen në përputhje me standardet universale të drejtësisë.
“Një proces gjyqësor nuk e dëshmon legjitimitetin e tij vetëm duke zhvilluar procedura dhe duke shqiptuar vendime. Ai e dëshmon atë duke garantuar se çdo i akuzuar ka pasur mundësi reale për mbrojtje, se çdo provë është shqyrtuar me paanshmëri dhe se çdo vendim është marrë në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë”, thuhet në letër.
Platforma ka ngritur çështjen e raportit të Dick Marty-t, të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 2011, duke vënë në pah se pretendimet për trafikim të organeve, të cilat ishin pjesë e raportit, nuk figurojnë në aktakuzën ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas “Liria ka Emër”, kjo mospërputhje ka krijuar shqetësime për transparencën dhe besueshmërinë e mekanizmit, ndaj platforma ka kërkuar sqarime institucionale lidhur me procesin që çoi në themelimin e tij.
Në letër janë ngritur gjithashtu shqetësime për kohëzgjatjen e paraburgimit, barazinë e armëve ndërmjet Prokurorisë dhe Mbrojtjes, besueshmërinë e provave, pavarësinë dhe paanshmërinë gjyqësore, si dhe transparencën dhe llogaridhënien institucionale.
Platforma ka kërkuar edhe shqyrtimin e pretendimeve për konflikt të mundshëm interesi në Prokurori, duke përmendur rastin e John Devaney, si dhe vlerësimin e praktikave për administrimin dhe pranimin e dëshmive.
Shqetësimet e saj, sipas letrës, mbështeten në zhvillimet e proceseve gjyqësore, dokumentacionin publik dhe raportin e Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), të përgatitur në prill të vitit 2026 me kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës.
Në përfundim, “Liria ka Emër” ka kërkuar që Parlamenti Evropian të mos mbetet vetëm vëzhgues i këtyre shqetësimeve, por të shfrytëzojë kompetencat e tij për të kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe respektim të të drejtave themelore.
Letra e plotë:
Kosova, një shtet i vogël evropian me rreth 1.6 milionë banorë, bart një histori të rëndë të persekutimit, dhunës dhe sakrificës për liri. Në fund të shekullit të kaluar, populli i saj u përball me një fushatë sistematike të shtypjes nga regjimi serb, e cila kulmoi me luftën e viteve 1998–1999, me dëbime masive, shkatërrim të pronës dhe masakra ndaj popullsisë civile. Përballë një realiteti të tillë, lufta e popullit të Kosovës ishte luftë për mbijetesë, për mbrojtjen e ekzistencës dhe për të drejtën e patjetërsueshme për liri.
Pas përfundimit të luftës, Kosova kaloi nëpër një varg mekanizmash ndërkombëtarë të administrimit dhe drejtësisë: UNMIK-un, Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, EULEX-in dhe, më vonë, Dhomat e Specializuara në Hagë. Pavarësisht se ishte një popull që kishte përjetuar agresionin dhe pasojat e tij, Kosova pranoi që pretendimet për krime të kryera gjatë dhe pas luftës të hetoheshin e të gjykoheshin nga mekanizma ndërkombëtarë. Kjo ishte një dëshmi e besimit në drejtësinë ndërkombëtare dhe e gatishmërisë për të respektuar parimin se përgjegjësia penale është individuale dhe se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Në këtë kontekst, nuk mund të anashkalohet një nga mospërputhjet më thelbësore që ka shoqëruar themelimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Procesi politik dhe institucional që çoi në krijimin e këtij mekanizmi u nxit nga raporti i Dick Marty-t, i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 2011, ku pretendimet për trafikim të organeve njerëzore përbënin një nga çështjet qendrore. Megjithatë, pas gjithë këtyre viteve hetimesh dhe procedurash, trafikimi i organeve nuk figuron në aktakuzën kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo mospërputhje ndërmjet pretendimeve që ndikuan në themelimin e gjykatës dhe akuzave të ngritura në procesin kryesor ka cenuar rëndë besimin e një pjese të madhe të shoqërisë kosovare në këtë mekanizëm. Qytetarët dhe përfaqësuesit politikë të Kosovës kanë arsye të kërkojnë sqarime se si një mekanizëm i jashtëzakonshëm, i pranuar nën presion të konsiderueshëm politik dhe ndërkombëtar, përfundoi duke zhvilluar një proces gjyqësor në të cilin pretendimi më i bujshëm që shoqëroi krijimin e tij nuk është pjesë e aktakuzës. Për shumë qytetarë të Kosovës, kjo ka krijuar ndjenjën se janë vënë përpara një arsyetimi që më pas nuk është pasqyruar në akuzat konkrete. Prandaj, konsiderojmë se Parlamenti Evropian duhet të kërkojë një sqarim të plotë institucional mbi këtë mospërputhje, si çështje të transparencës, besueshmërisë dhe përgjegjësisë politike për themelimin e këtij mekanizmi.
Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, është e vështirë të kuptohet përse Ushtria Çlirimtare e Kosovës vazhdon të jetë objekt i një vëmendjeje kaq të jashtëzakonshme dhe të pandërprerë nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë. Pas kalimit nëpër një varg të gjatë institucionesh hetimore e gjyqësore ndërkombëtare, krijohet përshtypja sikur Kosova të kishte pasur ushtrinë e Kinës, e jo një forcë çlirimtare të organizuar në rrethanat e një lufte për mbijetesë. Vështirë të gjendet një figurë e rëndësishme e udhëheqjes së saj ushtarake që, në një formë apo tjetër, të mos jetë përballur me shqyrtimin e këtyre mekanizmave. Kjo ngre një pyetje legjitime: a po i shërben kjo vazhdimësi e jashtëzakonshme drejtësisë individuale, apo po krijon perceptimin e një procesi të pafundmë të vënies në dyshim të një lufte çlirimtare?
Megjithatë, pranimi i drejtësisë ndërkombëtare nuk nënkupton heqje dorë nga e drejta për të kërkuar që ajo të ushtrohet me paanshmëri, integritet dhe respektim të plotë të të drejtave themelore. Përkundrazi, sa më i madh të jetë autoriteti i një institucioni gjyqësor, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia e tij për të dëshmuar se çdo veprim, çdo provë dhe çdo vendim i nënshtrohet standardeve më të larta të drejtësisë.
Sot, shqetësimet lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara nuk mund të shihen vetëm si çështje procedurale që u përkasin palëve në proces. Ato prekin besimin e qytetarëve të Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare, respektimin e të drejtave të njeriut dhe besueshmërinë e vetë mekanizmave që janë krijuar në emër të drejtësisë.
Mënyra se si janë trajtuar të akuzuarit, veçanërisht përmes kohëzgjatjes së paraburgimit dhe kufizimeve që kanë shoqëruar procesin, ka krijuar në opinionin publik përshtypjen shqetësuese se ata po trajtohen si fajtorë ende pa u shpallur një vendim përfundimtar gjyqësor. Kjo çështje shkon përtej fatit individual të të akuzuarve, sepse mënyra se si një shoqëri e koncepton dhe e ushtron drejtësinë pasqyron vetë natyrën e rendit të saj politik. Demokracia liberale mbështetet mbi parimin themelor se çdo individ prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet sipas ligjit, ndërsa sistemet totalitare historikisht e kanë përmbysur këtë logjikë, duke e trajtuar individin si fajtor derisa ai të arrijë të dëshmojë të kundërtën. Pikërisht për këtë arsye, respektimi i prezumimit të pafajësisë nuk është thjesht një garanci procedurale, por një vijë themelore ndarëse ndërmjet drejtësisë demokratike dhe arbitraritetit të pushtetit.
Në këtë kontekst, shtrohet një pyetje thelbësore për institucionet evropiane: a jeni realisht të informuar për atë që ka ndodhur me administrimin e drejtësisë në Kosovë gjatë më shumë se dy dekadave të fundit? Mekanizmat ndërkombëtarë që kanë ushtruar kompetenca të gjera gjyqësore dhe institucionale në vendin tonë nuk kanë ofruar, në perceptimin e shumë qytetarëve, llogaridhënie të mjaftueshme para përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës dhe as transparencë të plotë në hapësirën tonë publike. Përgjatë këtyre viteve janë ngritur shqetësime serioze për shkelje të të drejtave të njeriut, praktika të pazakonta procedurale dhe pretendime për ndikime politike në proceset e drejtësisë. Kujt i kanë raportuar këto institucione dhe kush e ka ushtruar mbikëqyrjen efektive mbi veprimet e tyre? A ekziston një mekanizëm ku qytetarët e Kosovës mund të kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi, apo duhet të presin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës për të kërkuar individualisht shqyrtimin e pretendimeve për shkelje që shtrihen në një periudhë më shumë se njëzetvjeçare? A mund të konsiderohet e pranueshme në një rend demokratik evropian që institucione të cilat ushtrojnë drejtësi të mos japin llogari para askujt? Dhe, mbi të gjitha, ju drejtohemi me një pyetje të drejtpërdrejtë: a keni vendosur të heshtni përballë këtyre shqetësimeve, apo nuk jeni informuar asnjëherë për to? Nëse institucionet tuaja kërkojnë dëshmi konkrete lidhur me keqpërdorimet e pretenduara, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe anomalitë që kanë shoqëruar administrimin ndërkombëtar të drejtësisë në Kosovë, jemi të gatshëm t’ju vëmë në dispozicion dokumentacionin përkatës, përfshirë komunikime elektronike që pretendohet se dëshmojnë kërkesa të gjyqtarëve për dënime të motivuara politikisht, si dhe raste të vendimeve dënuese ku janë ngritur shqetësime serioze për mungesën e identifikimit të viktimës, përfshirë emrin dhe mbetjet mortore të saj. Këto dhe shumë raste të tjera mund të mbështeten me dokumentacion, dëshmi dhe materiale përkatëse për shqyrtim të pavarur institucional. Kërkojmë vetëm që këto dëshmi të trajtohen me seriozitetin dhe përgjegjësinë që kërkojnë standardet evropiane të drejtësisë. Në të dyja rastet, qytetarët e Kosovës meritojnë një përgjigje të qartë, sepse drejtësia që kërkon përgjegjësi nga të tjerët duhet të jetë e para që pranon përgjegjësinë për veprimet e veta.
Në këtë kontekst, Platforma qytetare “Liria ka Emër” shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me një sërë çështjesh që kanë shoqëruar funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Shqetësimet tona mbështeten në zhvillimet e deritanishme të proceseve, në raportimet dhe dokumentacionin publik, si dhe në raportin paraprak të pavarur të Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), të përgatitur me kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës në prill 2026.
Raporti trajton çështje thelbësore që lidhen me të drejtën për gjykim të drejtë, pavarësinë dhe paanshmërinë gjyqësore, barazinë e armëve, pranueshmërinë e provave, ligjshmërinë penale dhe llogaridhënien institucionale. Ai identifikon rreziqe dhe problematika që kërkojnë shqyrtim të mëtejshëm dhe monitorim të pavarur.
SHQETËSIMET KRYESORE
Duke u mbështetur në raportin e BHRC-së dhe në çështje të tjera të ngritura gjatë funksionimit të Dhomave të Specializuara, konsiderojmë se vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet këtyre fushave:
1. Paraburgimi i tejzgjatur
Kohëzgjatja shumëvjeçare e paraburgimit dhe pengesat strukturore për lirimin e përkohshëm kërkojnë vlerësim të pavarur mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e kufizimit të lirisë.
2. Barazia e armëve
Pabarazitë e mundshme procedurale dhe të burimeve ndërmjet Prokurorisë dhe Mbrojtjes ngrejnë pyetje për ushtrimin efektiv të së drejtës për gjykim të drejtë.
3. Besueshmëria e provave
Përdorimi i materialeve të siguruara nga institucione të Serbisë kërkon kontroll rigoroz të origjinës, autenticitetit dhe zinxhirit të ruajtjes së tyre, duke marrë parasysh rrethanat historike të konfliktit.
4. Pavarësia dhe paanshmëria gjyqësore
Procedurat e emërimit të gjyqtarëve, mungesa e gjyqtarëve nga Kosova dhe kufizimet e mundshme të mekanizmave për kundërshtimin e vendimeve administrative meritojnë shqyrtim institucional.
5. Transparenca dhe llogaridhënia
Duhet të qartësohen mekanizmat përmes të cilëve ky institucion u përgjigjet shqetësimeve të dokumentuara për të drejtat e njeriut, duke ruajtur pavarësinë e vendimmarrjes gjyqësore.
6. Konflikti i mundshëm i interesit në Prokurori
Hetimi i rrethanave të kalimit të personelit nga Qendra e Paraburgimit në funksione hetimore dhe prokuroriale, përfshirë rastin e John Devaney dhe pretendimet e ngritura ndaj tij.
7. Administrimi i dëshmive
Vlerësimi i pranimit të deklaratave me shkrim pa mundësi efektive për kundërshtimin dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.



