Kosova ankohet në UEFA për shkak të Spanjës
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka dorëzuar një notë proteste zyrtare ndaj Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) dhe UEFA-s pas mënyrës së trajtimit të Kosovës si “territori i Kosovës” në komunikimet zyrtare për ndeshjen kualifikuese të Evropianit 2027, Kosovë – Spanjë (U21).
Në një letër drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin, dhe presidentit të RFEF-së, Rafael Louzan, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e ka cilësuar të papranueshme referimin që Federata Spanjolle i ka bërë Kosovës si “territori i Kosovës”. “Në këtë periudhë të ngarkuar, do të preferoja të adresoja çështje më konstruktive dhe më vizionare që lidhen me të ardhmen e futbollit evropian. Mirëpo, fatkeqësisht, sërish jam i detyruar të ngre një problem që vazhdon të dëmtojë përfaqësimin tonë në garat evropiane, e që lidhet me mënyrën se si disa federata anëtare trajtojnë ekipet tona kombëtare. Rasti i fundit ka të bëjë me Federatën e Futbollit të Spanjës (RFEF), e cila në kanalet e saj zyrtare në rrjetet sociale i është referuar Kosovës si ‘Territori i Kosovës’. Një qasje e tillë e mohon sovranitetin e Kosovës, e cila është shtet i pavarur dhe i përfaqësuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, anëtare e barabartë dhe e plotë e UEFA-s, ashtu siç është edhe vetë RFEF”, thuhet në letrën e presidentit Ademi.
Numri një i FFK-së vuri theksin se kjo nuk është hera e parë që pala spanjolle bën gjera të tilla. “Për fat të keq, nuk është hera e parë që përballemi me një sjellje të tillë nga Federata e Futbollit të Spanjës dhe ne e konsiderojmë këtë plotësisht të papranueshme. UEFA qëndron mbi vlera si uniteti, respekti dhe barazia ndërmjet të gjithë anëtarëve të saj, prandaj këto parime duhet të respektohen jo vetëm në veprime, por edhe në fjalë, nga çdo federatë anëtare. Prandaj, kërkojmë nga UEFA një reagim të qartë dhe të menjëhershëm për këtë çështje, si dhe një korrigjim publik dhe pranim zyrtar nga Federata e Futbollit të Spanjës, duke e pranuar se veprimet e tyre ishin të papërshtatshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të UEFA-s”, thuhet në letrën e Ademit, raporton “Epoka e re”.
Presidenti i FFK-së beson se Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të trajtohet si një anëtare e barabartë e UEFA-s jo vetëm nga vetë UEFA, por edhe nga të gjitha federatat e tjera kombëtare. “Ju falënderoj sinqerisht për vëmendjen ndaj këtij problemi serioz dhe presim veprime të shpejta në mbështetje të kësaj çështjeje”, përfundon letra e Ademit. Lidhur me veprimin e Spanjës ka reaguar edhe zëvendësministrja e Sportit në detyrë, Daulina Osmani. “Kosova shkëlqeu në fushë përballë Suedisë. Fitore e madhe kjo që e vendosi shtetin tonë në piedestal të respektit të futbollit ndërkombëtar. Sot, për fat të keq, në vend që ky sukses të respektohet, Federata e Futbollit të Spanjës iu referua Republikës së Kosovës si ‘territor’. Krejt kjo në kuadër të ndeshjes së sotme që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Spanjës në U21. Kjo qasje e përsëritur, përveçse e papranueshme, mbetet e pashpjegueshme në botën e sportit. Kosova është shtet sovran dhe FFK është e barabartë në familjen evropiane dhe botërore të futbollit. Mohimi i kësaj të vërtete cenon frymën e lojës së ndershme dhe parimet e barazisë e respektit që UEFA e FIFA i mbrojnë dhe promovojnë. Është e domosdoshme që strukturat përkatëse të reagojnë me seriozitet dhe të garantojnë respektin institucional ndaj Kosovës, ashtu siç i takon çdo shteti anëtar. Fitoret tona në fushë dhe dinjiteti ynë jashtë saj janë përgjigjja më e fortë ndaj çdo padrejtësie”, ka shkruar Osmani.



