Kosova dhe Çekia me marrëveshje të bashkëpunimit ekonomik

14 qershor 2019 | 14:37

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka takuar të premten kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Radek Vondracek, në ditën e dytë të vizitës zyrtare.

Në takim u bisedua për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve të dy vendeve dhe shkëmbimin e përvojave.

Ministri Pacolli ka vlerësuar se Parlamenti i Çekisë mund të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj të integrimeve evropiane dhe në përafrimin e legjislacionit të Republikës së Kosovës me BE-në.

Gjatë takimit u bisedua hapur për bashkëpunimin e dy vendeve në fusha të ndryshme dhe për krijimin e një Grupi të Miqësisë ndërmjet Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe të Çekisë. “Thellimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe të investime me Çekinë ka një rëndësi të veçantë, andaj kërkoj nga Kryetari i Parlamentit më shumë prani Çeke në Kosovë dhe më shumë Evropë në Kosovë”, ka thënë ministri Pacolli, duke shtuar se mbështetja e Republikës së Çekisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Këshillin e Evropës dhe mekanizmat e sigurisë, si në Interpol ka një rendësi të veçantë.

Duke falënderuar për mikpritje, ministri Pacolli ka ftuar për vizitë në Kosovë kryetarin e parlamentit çek.

Pacolli gjatë ditës ka vizituar edhe Senatin e Parlamentit të Republikës së Çekisë, një prej institucioneve më mbështetëse të Republikës së Kosovës.

Aty është pritur nga nënpresidenti i Senatit, Jiri Ruzicka dhe anëtarët e delegacionit të tij ku u bisedua për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

I shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ministri Pacolli ka theksuar se Kosova është mirënjohëse për gjithë ndihmën që Republika e Çekisë i ka dhënë Kosovës që prej përfundimit të luftës dhe njëkohësisht për angazhimin e saj në vendosjen e bashkëpunimit ekonomik që do të përafroje dy vendet tona me shumë. “Është e rëndësishme që të thellojmë bashkëpunimin ndërparlamentar dhe të përgatisim rrugën e integrimeve evropiane bazuar në praktikat e mira të Republikës së Çekisë”, ka thënë Pacolli.

Me bashkëbiseduesit u folën edhe temat e ndryshme të bashkëpunimit me theks edhe në bashkëpunimin në fushën e arsimit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Komunës…