Kosova dhe Mali i Zi do ta heqin pagesën e sigurimeve

09 prill 2021 | 14:31

Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) dhe Byroja Kombëtare e Siguruesve të Malit të Zi ditë më parë kanë shprehur gatishmëri të arrijnë një marrëveshje për heqjen e policës së sigurimit të automjeteve që hyjnë në Kosovë nga Mali i Zi dhe anasjelltas.

Drejtori i Turizmit  në Komunën e Ulqinit, Gzim Hajdinaga,  ka thënë se Kosova dhe Mali i Zi do të heqin pagesën e sigurimeve në mes të dy vendeve.

“Jemi në përfundim e sipër të një kërkese të kamotshme për të hequr pagesën e sigurimeve mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kujtoj edhe kur isha unë në qeveri atëherë dhe kryetar i Parlamentit ka qenë z. Daci është shtruar iniciativa për të hequr pagesën e sigurimeve. Kjo është një barrierë për të ardhur atje. Mendoj se ky reciprocitet duhet të eliminohet. Këto ditë të eliminohet edhe ky problem”, ka thënë Hajdinaga për “RTK”-në.

Ndryshe Drejtori i Byrosë së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka thënë se janë të gatshëm të gjejnë një zgjidhje më të favorshme me kolegët e tij në Mal të Zi, e cila do të jetë e dobishme për të dyja palët.

“Byroja Kosovare e Sigurimit ka autoritetin dhe autorizimin për të nënshkruar marrëveshje bilaterale mbi njohjen e politikave të sigurimit midis dy vendeve, në këtë rast me Malin e Zi.  Kjo nënkupton që të dy vendet do të njihnin policat ekzistuese të sigurimeve të vendit tjetër, ose do të krijonin modalitete tjera. Ne tashmë kemi tre marrëveshje të tilla, me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë. Ne mund të nënshkruajmë të njëjtën marrëveshje edhe me Malin e Zi. Ne jemi gjithashtu të gatshëm që, nëse ndonjë kompani nuk paguan dëmin ndaj të dëmtuarve,  të garantojmë kompensimin e dëmit që do të ndodhte në Kosovë, sepse Byroja e Kosovës do të kishte një fond të veçantë për këtë ”, ka thënë Mazreku.

Byroja e Siguruesve të Malit të Zi ka njoftuar se ekziston një disponim për të arritur një marrëveshje me kolegët në Kosovë, e cila do të thjeshtonte dhe ulte koston e lëvizjes së automjeteve nga njëri vend në tjetrin. “Kemi komunikuar me kolegët nga BKS, për t’i gjetur mënyrat  alternative e zgjidhjes së  kësaj çështjeje por ka shumë detaje teknike që duhet të zgjidhen përpara nënshkrimit të një marrëveshjeje të mundshme “, ka thënë Boris Shaban, drejtori i Byrosë Kombëtare të Siguruesve të Malit të Zi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bekim Jashari, kryetar i Komunës së Skenderajt dhe djali i…