Kosova dhe Shqipëria intensifikojnë bashkëpunimin parlamentar 

11 tetor 2021 | 17:07

Në kuadër të bashkëpunimit mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës se Shqipërisë, është mbajtur në Tiranë tryeza e parë e kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.  Kjo tryezë u organizua si rezultat i vizitës së parë zyrtare të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në Kosovë dhe diskutimeve të frytshme me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Tryeza filloi punimet me fjalimin përshëndetës nga kryetarja e Kuvendit, të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në fjalën e saj hyrëse, kryetarja Nikolla ka thënë se Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës sapo kanë nisur një kapitull të ri bashkëpunimi intensiv dhe se tryeza e parë e kryetarëve të komisioneve është hapi i parë i institucionalizimit të bashkëpunimit parlamentar.

Ajo ka shtuar se paralel me këtë tryezë, në grupet e punës të të dy kuvendeve, nën drejtimin e sekretarëve të përgjithshëm, është duke u finalizuar marrëveshja e bashkëpunimit midis të dy Kuvendeve. “Kjo tryezë është një kantier pune i të zgjedhurve të kombit shqiptar, për të diskutuar për t’u shërbyer më mirë bashkëkombësve e qytetarëve tanë, kudo ku ndodhen. Është koha të intensifikojmë, shumëfishojmë kontaktet dhe zgjerojmë bashkëpunimin vëllazëror midis dy Kuvendeve tona”, ka theksuar Nikolla.

Nga ana tjetër kryetarët e komisioneve parlamentare të dy Kuvendeve, gjatë diskutimeve të tyre theksuan aspekte të ndryshme të bashkëpunimit parlamentar, duke iu referuar fushëveprimit të komisioneve përkatëse në procesin legjislativ dhe përafrimin e legjislacionit, për të lehtësuar bashkëpunimin midis institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve.

Diskutimet kryesisht u fokusuan në bashkëpunimin për përafrimin e legjislacionit të të dy vendeve me legjislacionin e Bashkimit Evropian në fushën e ekonomisë, financave publike, investimeve, shkëmbimeve tregtare, sigurisë dhe mbrojtjes, arsimit, kërkimit shkencor, kulturës, medias, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, bashkëpunimit me diasporën, mbështetjes së veprimtarive prodhuese e sipërmarrjes private, administratës publike, bujqësisë e zhvillimit rural, mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës dhe transportit, energjisë, qeverisjes vendore.

Kryetarët e komisioneve parlamentare ranë dakord që, përveç takimeve në nivel Kuvendesh, bashkëpunimi të zgjerohet dhe e thellohet edhe midis komisioneve përkatëse dhe rezultatet e tyre të paraqiten e diskutohen në tryezat e përbashkëta, të cilat do të mbahen në mënyrë periodike. ​

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi Bernard Challandes ka folur rreth dorëheqjes së mundshme nga…