KOSOVA DHE SHQIPËRIA, NJË TRUNG QË NUK DUHET T’I SHKUND PARA KOHE FRUTAT

06 gusht 2021 | 16:29

Politikanët në Tiranë dhe në Prishtinë nuk duhet ta harrojnë një fakt se ata janë të përkohshëm, por interesat madhore kombëtare janë të përjetshme. Prandaj ata duhet të jenë shumë të vetëdijshëm se nuk mund të mbajnë peng këto interesa për kapriçiozitetet e tyre.

Nga Mehmet PRISHTINA

Edi Rama dhe Albin Kurti duhet të bëjnë përpjekje maksimale që marrëdhëniet në mes tyre të mos degradohen. Ky është interes i përbashkët kombëtar, por edhe detyrim moral e politik që Kosova e Shqipëria, si dy shtete sovrane, duhet të funksionojnë brenda një bashkëpunimi të gjithanshëm dhe pa kushte. Kjo edhe për faktin se Kosova e Shqipëria, fizikisht janë të ndara në dy shtete, por në thelb është një trung i përbashkët që ka lëshu degë gjithandej. Shqiptarët janë si frytet e këtyre degëve dhe çdo dridhje fortë e trungut cënon rënien e parakohshme të fryteve!
Politikanët në Tiranë dhe në Prishtinë nuk duhet ta harrojnë një fakt se ata janë të përkohshëm, por interesat madhore kombëtare janë të përjetshme. Prandaj ata duhet të jenë shumë të vetëdijshëm se nuk mund të mbajnë peng këto interesa për kapriçiozitetet e tyre.
Tash së fundmi janë hapur disa tema që rëndojnë raportet Kosovë-Shqipëri. Mungoi vetëm edhe këngëtari kontraverz Goran Bregoviq, për ta mbushur kupën e keqkuptimeve tona si komb.
Ndoshta kur të publikohet ky shkrim, pas reagimeve të shumta, organizatorët e Festës së Birrës në Korçë mund ta ken anulluar ftesën drejtuar këngëtarit serb, por ajo që mbetet si shije e hidhur është mungesa e sensit në disa segmente të shoqërisë në Shqipëri për të kuptuar ndjeshmëritë e Kosovës në raport me Serbinë. Nuk është se shoqëria kosovare është treguar shumë më e avancuar sa i përket ndjeshmërive kolektive kombëtare, por megjithatë raportet e Shqipërisë me Serbinë detyrimisht kalojnë mbi fatet e Kosovës. Pra, këto raporte janë të kushtëzuara nga qëndrimi që mban Serbia kundrejt Kosovës dhe ardhmërisë së saj si shtet, dhe do të ishte e pafalshme që Tirana zyrtare të mos i kishte parasysh këto argumente.
Nuk i dimë arsyet dhe motivet e vërteta, por edhe kryeminstri Edi Rama i shpërfilli argumentet e mësipërme teksa pranoi të bëhet pjesë e iniciativës rajonale OPEN BALKAN. Kundërshtimet që vinë nga Kosova dhe gjithë bota shqiptare, kanë për bazë parasegjithash interesin e Kosovës në këtë iniciativë rajonale, ndonëse, në anën tjetër, ka plot njerëz që pyesin “Pse jeni kundër lëvizjeve të lira?”. Ata që bëjnë pyetje të tilla, si duket nuk janë të informuar mjaftueshëm mbi situatën konktrete në terren, ku Serbia ende e mban peng Kosovën në raport me lëvizjet rajonale. Serbia ende e trajton Kosovën si pjesë të saj dhe territori i Serbisë tani për tani është një tera incognito për Kosovën, sepse autoritet serbe nuk i njohin dokumentet ku figuron shteti i Kosovës.
Nëse OPEN BALKAN nuk e zgjidhë këtë problem krucial, atëherë për çfarë lëvizje të lirë mund të flasim.
Në dimensionin gjeopolitik, OPEN BALKAN hap shumë dilema, të cilat kanë mbetur pa u sqaruar nga kryeministri Edi Rama. Po i referohemi më tepër atij, sepse nga krerët serbë nuk pritet asgjë e mirë, andaj është shumë normale që të dimë se çka e shtyn një politikan të Tiranës të jetë kaq shumë bashkëpunues në një iniciaticë ku Serbia e ka fjalën kryesore.
Çka e shtyn Edi Ramën të jetë në një iniciativë rajonale ku Kosova injorohet tërësisht dhe për më keq ku Serbia bëhet një rrip transmioni i botës sllave në brigjet shqiptare të Adriatikut.
Ja pse Serbia e ka fjalën kryesore në OPEN BALKAN. Serbia në vitin 2020 ka shitur në Shqipëri rreth 280 milionë euro mallra. Në anën tjetër, Shqipëria ka shitur në Serbi rreth 55 milionë euro.
Maqedonia ka shitur në Shqipëri rreth 210 milionë euro mallra, kurse Shqipëria ka shitur në Maqedoni 70 milionë euro.
Tani, ku qëndron logjika e kësaj iniciative ballkanike që favorizon skajshmërisht Serbinë sidomos nëse Shqipëria shet mallra në Shqipëri e Maqedoni në vlerë gjithsej 125 milionë euro, ndërkohë që ato të dyja bashkë shesin në Shqipëri 490 milionë euro në vit.
Pra i bie që 365 milionë uro cash dalin neto nga Shqipëria dhe shkojnë në Serbi dhe në Maqedoni.
Serbia dhe Maqedonia për Shqipërinë paraqesin tregje minore në krahasim me Italinë, Greqinë, Gjermaninë që janë vendet kryesore të eksporteve.
Çfarë përfiton Shqipëria nga kalimi i lirë i mallrave në Serbi apo Maqedoni? Shumë pak mallra që vijnë në Shqipëri apo që dalin nga Shqipëria kalojnë nga Serbia apo Maqedonia (përveç mallrave serbe dhe maqedonse), ndërkohë që Shqipëria i ka rrugët e hapura detare e tokësore me gjithë botën, sepse Italia vjen në Durrës apo Vlorë, Greqia vjen në Kakavije dhe Kapshticë, Kina vjen në Durrës, Turqia vjen në Durrës apo në Kapshticë, Spanja vjen në Durrës, Gjermania vjen në Durrës, Franca vjen në Durrës.
Në Durrës synon të shkojë edhe Serbia (edhe pse i ishte premtuar një port i tërë Kosovës), por çfarë dobie nga kjo ka Shqipëria?
Nëse Tirana zyrtare ka vendosur të jetë kaq zemërhapur ndaj fqinjëve, atëherë le të fillojë me Kosovën, sepse ka dhjetëra marrëveshje ekonomike, tregtare e teknologjike që ende nuk janë realizuar. Ekonimitë e Shqipërisë dhe e Kosovës ende veprojnë sipas disa ligjeve absurde të konkurrencës, ndërkohë që oligarkët e Serbisë e Shqipërisë vendosin rregulla, të cilat fatkeqësisht përfillen edhe nga politika, ku Kosova del humbësja më e madhe. Kjo është edhe arsyeja se pse ende në marketet tona dominojnë prodhimet me prejardhje nga Serbia, kurse Shqipëria e Kosova nuk mund të merren vesh për ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta prodhuese.

Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen për shumë politika vendore, e sidomos rajonale. I takon Tiranës zyrtare që të luaj rolin e një piemonti kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, por jo me ide e projekte folklorike, por me programe të mirëfillta që avancojnë pozitën e shqiptarëve në Ballkan.

Prishtinë, 6 gusht, 2021

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Lazios, Maurizio Sarri kur kishte marrë detyrën e…