Kosova do të ketë pozitë më të fuqishme në finalen e dialogut

19 dhjetor 2018 | 13:18

Ish-diplomati dhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Blerim Reka, i ka quajtur të dështuara përpjekjet e Serbisë për ta kundërshtuar formimin e ushtrisë së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ai ka thënë se është i rëndësishëm qëndrimi pro ushtrisë së Kosovës nga vendet anëtare të BE-së që janë anëtare në Këshill të Sigurimit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Reka ka theksuar se ka divergjencë në politikën e jashtme midis shteteve anëtare të BE-së që e përkrahin ushtrinë e Kosovës dhe një burokrate të Brukselit që e kundërshton.

Ai ka thënë se janë shumë domethënëse zhvillimet e fundit në Kosovë në raport me BE-në.

Reka ka vlerësuar se formimi i ushtrisë dhe taksa ndaj Serbisë kanë demonstruar sovranitetin e shtetit të Kosovës

“Epoka e re”: Profesor, si e keni parë debatin e fundit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së lidhur me vendimin e Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri?
Reka: Debati i së hënës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ishte edhe një tentim i pasuksesshëm i Serbisë për ta rikthyer Rusinë në vendimmarrjen e Kombeve të Bashkuara ndaj Kosovës. Një tentim i ngjashëm i Serbisë në vitin 2010 përfundoi me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare publike. Edhe të hënën, përveç Rusisë dhe satelitëve të saj, u pa qartë se në Këshill të Sigurimit as Rezoluta 1244 në të cilën thirrej përfaqësuesi rus nuk e ndaloi formimin e ushtrisë së Kosovës. Në logjikën juridike është e njohur se çdo gjë që nuk është e ndaluar me ligj, është e lejuar. Nëse në rezolutë nuk ka fare referencë për ushtrinë dhe nuk ka referencë as për ndalimin e formimit të ushtrisë, atëherë i tërë diskutimi që u bë në Këshill vetvetiu dështoi. Nga ana tjetër, mund të themi se vetë Rezoluta 1244 në të cilën thirret në vazhdimësi Rusia është një relikt virtual i një kohe të kaluar. Pra, ka një afat të skadimit, sepse tash e 17 vjet nuk ekziston as e ashtuquajtura RFJ dhe tash e 12 vjet nuk ekziston as pasardhësi i saj, i ashtuquajturi Union Serbi dhe Mal i Zi. Ndërsa tash e tetë vjet organi gjyqësor i OKB-së, GJND-ja e tha qartë se pavarësia e Kosovës ishte ndërkombëtarisht legale. E rëndësishme në Këshillin e Sigurimit ishte qëndrimi pro ushtrisë së Kosovës nga anëtarët e BE-së që janë anëtarë në KS të cilët e përkrahën të njëjtën ditë ushtrinë e Kosovës, ndonëse ajo e cila paguhet nga buxhetet e shteteve anëtare, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, në Bruksel e kundërshtoi formimin e ushtrisë së Kosovës. Me fjalë të tjera, kjo flet për një divergjencë në politikën e jashtme midis shteteve anëtare që e përkrahin ushtrinë e Kosovës dhe një burokrate të Brukselit që u deklarua kundër.

“Epoka e re”: Në një farë mënyre KS i OKB-së e legjitimoi formimin e ushtrisë së Kosovës?
Reka: Me vetë faktin që nuk arriti të kalojë versioni i draftrezolutës së përgatitur  nga Rusia me iniciativën e Serbisë me një konkluzë apo një ndalesë decidive, kjo u pa se edhe ky tentim i Serbisë dështoi në KS të OKB-së.

“Epoka e re”: ShBA-ja dhe shumica e vendeve evropiane e përkrahën formimin e ushtrisë, por jo edhe BE-ja e NATO-ja të cilat në vazhdimësi po e quajnë jo të duhur transformimin e FSK-së.
Reka: Është e vërtetë se ka pasur reagime të disa institucioneve dhe shteteve të cilat e kritikuan Kosovën për formimin e ushtrisë, siç thuhej ‘për hapa unilaterale’, mirëpo vetë institucionet që e quajnë vetën multilaterale, OKB-ja, BE-ja, UNESCO dhe Interpoli, tash e sa vjet aplikojnë pikërisht një qasje unilaterale kundër Kosovës. OKB-ja po mbetet peng i politikës unilaterale të Rusisë kundër anëtarësimit të Kosovës duke e përdorur të drejtën e vetos në KS. BE-ja është peng i vendimeve unilaterale të pesë shteteve anëtare që po pengon njohjen kolektive të Kosovës nga Bashkimi Evropian. Sikurse Interpoli, edhe UNESCO tash e sa vite është peng i unilaterizmit të shteteve të caktuara që votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës. Tash kush është unilateral? A është Kosova e cila në organin e vet më të lartë legjislativ vendos për një të drejtë sovrane dhe të natyrshme çfarë është mbrojtja e kufirit, territoreve dhe sovranitetit përmes ushtrisë apo janë organizatat multilaterale të cilat, në vend të vendimeve multilaterale, po e bllokojnë Kosovën me vendime unilaterale.

“Epoka e re”: Z. Reka, kohën e fundit kryeministri Ramush Haradinaj ua ka bërë të qartë zyrtarëve të Bashkimit Evropian se nuk po e trajton si duhet Kosovën dhe nuk po e shpërblen për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Si e komentoni ndryshimin e qasjes së shtetit të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian?
Reka: Që nga fillimi marrëdhëniet Kosovë – BE kanë qenë marrëdhënie jashtë kornizës së marrëdhënieve normale kontraktuese të BE-së me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kur e them këtë kam parasysh se ishin marrëdhënie jonormale dhe marrëdhënie asimetrike të cilat mund të analizohen në dy rrafshe: në rrafshin politik dhe në atë teknik. Në rrafshin politik mosnjohja nga pesë vendet anëtare diferencoi edhe vetë politikat e Brukselit varësisht nga ajo se cili institucion merrte qëndrim. Në mungesë të konsensusit të 28 shteteve, Këshilli Evropian si institucion më i lartë vendimmarrës nuk e njohu Republikën e Kosovës. Ndërsa dy institucionet e tjera komunitare, ku shtetet anëtare kanë pak ndikim, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, patën një qëndrim tjetër. Madje Parlamenti Evropian përmes disa rezolutave tash e sa vjet kërkon që edhe këto pesë shtete ta njohin Kosovën. Kurse Komisioni Evropian nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën. Por jashtë këtij diskursi dhe qëndrimi politik të BE-së është brengosëse se BE-ja ishte shumë e rezervuar edhe në çështjet teknike siç është liberalizimi i vizave. Kosova plot gjashtë vjet punoi për përmbushjen e kritereve 95 sosh, mirëpo as kjo nuk mjaftoi në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të Brendshëm, ku Holanda dhe Belgjika konsideruan se ende ka punë për Kosovën, sidomos për luftimin e korrupsionit, të të ashtuquajturve peshq të mëdhenj dhe krimit të organizuar. BE-ja i hoqi vizat Moldavisë, Ukrainës e Gjeorgjisë të cilat nuk janë në procesin e zgjerimit të BE-së e, në fakt, Kosova është pjesë e këtij procesi. Që të tri shtetet janë në nivelin më të lartë të korrupsionit dhe në njërin prej këtyre shteteve brenda një muaji u zhdukën një miliard dollarë amerikanë. Ndaj shtetit tjetër muajin e kaluar vetë BE-ja i ndaloi 130 milionë euro fonde dedikuar reformave për shkak të pakënaqësisë për procesin e reformave. BE-ja ua ka hequr vizat edhe disa shteteve që janë jashtë kontinentit evropian, kurse e mbajnë Kosovën në geto. Nuk them se situata në Kosovë është e shkëlqyeshme dhe ka nevojë për një luftë dhe betejë kundër korrupsionit institucional. Nuk besoj se do të jetë i saktë parashikimi i komisionarit Hahn se nuk mund të pritet liberalizimi i vizave deri në vitin 2020. Mendoj se do të ketë liberalizim më herët.

“Epoka e re”: Të hënën Mogherini, të paktën për t’u shfajësuar, ka thënë se liberalizimi i vizave është duke u shqyrtuar në Këshillin e Ministrave. Pas zhvillimeve të fundit, duket se BE-ja ka filluar ta shohë si palë më serioze Kosovën.
Reka: E kuptoj pesëmujorin e fundit të mandateve të zyrtarëve të Komisionit Evropian sepse zgjedhjet do të jenë në maj të vitit të ardhshëm dhe në vjeshtë do të kemi një komision me komisionar të ri të BE-së. Për mua janë shumë domethënëse disa zhvillime që ndodhen në Kosovë gjatë këtyre dy muajve të fundit në raport me BE-në. Duke e parë qasjen nihiliste të BE-së ndaj Kosovës si në rrafshin politik dhe në atë teknik, duke parë se Serbia është përfituesja e vetme e dialogut e cila nga statusi i kandidatit i hapi negociatat për anëtarësim, madje disa edhe i ka mbyllur, Kosova mezi kaloi fazën elementare të nënshkrimit të MSA-së, por jo edhe të liberalizimit të vizave. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa hapa për ta demonstruar edhe faktikisht sovranitetin de jure që e ka me Kushtetutë në dy rrafshe: në rrafshin ekonomik me aplikimin e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës dhe në rrafshin e sovranitetit mbrojtës me formimin e ushtrisë.

“Epoka e re”: Madje Kosova ka ndryshuar qasjen edhe karshi dialogut me Serbinë. Pas këtyre zhvillimeve dhe pas miratimit të rezolutës dhe formimit të ekipit negociator, si e shihni vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi?
Reka: Në fazën e finalizimit të dialogut të Brukselit Kosova do të ulet në tavolinë me një pozitë më të fuqishme negociatore. Pra, ka për çfarë të diskutojë tash me Serbinë. Deri më tani vetëm Serbia ka kërkuar lëshime nga Kosova, tash do të jetë një proces i kundërt dhe Serbia do të merret me dy aktet e fundit të sovranizimit të shtetit të Kosovës, me aktin e sovranizimit ekonomik dhe ushtarak si dhe do ta ketë përballë një palë që nuk mund të injorohet. Masa e sovranizimit ekonomik dhe ushtarak të Qeverisë së Kosovës, hartimi i përmbledhjes së draft-ligjit për zhvillimin e negociatave, kalimi i mandatit për vendimmarrje për procesin e negociatave në Kuvendin e Kosovës si dhe formimi i ekipit negociator udhëzojnë që Kosova në këtë fazë finale të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë do të jetë në një pozitë tjetër negociuese. Në çdo shtet sovran parlamentet janë ato që hartojnë platformën negociatore, që i japin mandat ekzekutivit i cili i përpunon strategjitë negociatore dhe formon ekipi negociator që i jep llogari Kuvendit të Kosovës për procesin e negociatave. Kjo deri tash ka munguar në këta 7-8 vjet të negocimit me Beogradin dhe, si duket, po rikthehet procesi në një adresë të paevitueshme siç është Kuvendi i Kosovës si organ më i lartë politik dhe përfaqësues. Në një mënyrë, me miratimin e rezolutës dhe me mandatin e qartë të Kuvendit procesi i dialogut bëhet më transparent, më llogaridhënëse dhe ngrihet niveli i përgjegjësisë për atë se çka bisedohet. Ka pasur fare pak raportime në Kuvendin e Kosovës për ecurinë e negociatave të gjertanishme. Shpresoj se adresa e vetme ku do të jepet viza për hapat e mëtutjeshëm të negociatave do të jetë Kuvendi i Kosovës.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar një…