Kosova duhet të ndërtojë qëndrim të qartë dhe unik për dialogun

12 tetor 2019 | 08:10

Menaxherja e projektit për dialogun Kosovë – Serbi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Jeta Krasniqi, ka bërë me dije se emërimi i ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si përfaqësues special për dialogun Kosovë – Serbi, dëshmon përkushtim e shtuar të admin- istratës Trump për këtë proces.

Ajo ka deklaruar se Grenell do të përpiqet që t’i kthejë palët sa më parë në tryezën e diskutimit, duke investuar fuqinë e tij politike në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se tani palës së Kosovës në dialogun me Serbinë i mbetet që të ndërtojë qëndrim të qartë dhe unik.

“Palës kosovare i mbetet që të ndërtojë qëndrim të qartë dhe unik dhe këtë mbështetje amerikane ta kthejë në mbrojtje të interesit të saj. Është më se e qartë që Kosova duhet të dalë shtet edhe më i fuqishëm në arenën ndërkombëtare dhe më i konsoliduar në aspektin e brendshëm nga kjo marrëveshje me Serbinë. Por, për t’u arritur këto objektiva, pala kosovare duhet të jetë mirë e përgatitur, e qartë në kërkesat e saj dhe unike”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se qeverisë së re i mbetet që ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm nacional për këtë çështje. “Mbetet tejet e rëndësishme që Qeveria e re ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik për ta çuar përpara këtë proces, ndërtimin e një qëndrimi unik për të garantuar ruajtjen e interesit shtetëror të Kosovës në tryezën e diskutimit si dhe ndërtimin e një strategjie të qartë të shtetit të Kosovës lidhur me këtë proces”, është shprehur Krasniqi.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të…