KOSOVA DUHET T’I DELEGOJË TE SHQIPËRIA DISA ASPEKTE TË PËRFAQËSIMIT NDËRKOMBËTAR

02 maj 2022 | 14:27

Në pritje të përgjigjes, e cila edhe ashtu do të vonohet, për t’u anëtarësuar në NATO, institucionet e Kosovës duhet në periudhën e ardhshme të bashkëpunojnë ngusht me ato të Shqipërisë, në planin e përfaqësimit në organizmat ndërkombëtare, sidomos në sistemin kolektiv të mbrojtjes. Përfshirja e Kosovës në këto organizma, do ta shtonte jo vetëm aftësinë tonë mbrojtëse, por do të ndërgjegjësonte në një shkallë më të lartë bashkëpunimin institucional Tiranë-Prishtinë, i cili duhet të jetë shumë më dinjitoz se ç’është aktualisht

Nga Mehmet PRISHTINA

Ka jo pak njerëz në Kosovë, në Shqipëri dhe në mbarë hapësirën etnike shqiptare që mendojnë gabimisht se mjafton ombrella e NATO-s si zëvendësim i fuqisë ushtarake vendore. Sipas këtij rezoni, Kosova dhe Shqipëria nuk paskan nevojë fare të kenë aviacionin e tyre dhe sistemin e mbrojtjes raketore, për arsye se të gjitha këto i ka NATO, gjegjësisht KFOR-i. Me fjalë të tjera, ne nuk paskemi arsye të brengosemi nëse Serbia armatoset dhe i shton kapacitetet e saj ushatarake, pasi që ushtarët e NATO-s, gjegjësisht të KFOR-it, do të kujdesen për sigurinë tonë.
Provokimet që ndodhën ditëve të fundit në veri të vendit, që si cak patën patrullat policore të Kosovës, përbëjnë shqetësim për sigurinë e Kosovës, ndonëse u tha se bëhet fjalë për pista të dyshimta kontrabanduesish që përdorin kalime ilegale për mallrat e tyre të padeklaruara. Autoritet policore madje thonë se sulmet po ndodhin për “tensionim të qëllimshëm” të situatës së sigurisë në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Ekspertët e sigurisë kanë thënë se Kosova vazhdon të jetë cak i provokimeve serbe, andaj kërkohet që ndaj këtyre provokimeve të ndërtohet një strategji gjithëprfshirëse, me një bashkëpunim të ngushtë edhe me aleatët srategjikë të Kosovës. Kjo edhe për faktin se Serbia vazhdon të fuqizojë aftësinë e saj mbrojtëse. Këtë të shtune (30 prill), në aeroportin ushtarak të Batajnicës u organizua një ekspozitë e ushtrisë serbe me emrin “Mburoja 2022”, ku vend qendror kishte sistemi kinez i raketave kundërajrore me rreze të mesme veprimi “FK-3”. Aty u shfaqën edhe rreth 60 avionë, më shumë se 300 armë dhe pajisje ushtarake, si dhe trajnimi i njësive speciale të ushtrisë serbe.
Armatosja e Serbisë po kalon pa ndonjë vërejtje serioze nga qendrat vendimarrëse perendimore, mu në kohën kur Beogradi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë. Megjithatë jo pak vëzhgues dhe analistë në Perëndim shprehin frikën se armatosja e Serbisë nga Rusia dhe Kina mund të inkurajojë atë drejt një lufte tjetër, veçanërisht kundër Kosovës apo Bosnjë e Hercegovinës.
Këto shqetësime marrin një dimension real nëse ndërlidhen ambicjet e vjetra hegjemoniste serbe dhe ndikimi rus në Ballkan, një kombinim ky që shkon në dobi të atyre që duan me çdo kusht ta destabilizojnë rajonin. Mjaftojnë disa provokime që mund të shërbejnë si xixa për një konflikt, i cili mund ta ketë komandën dirigjuese në Qendrën Humanitare Serbe-Ruse (SRHC), e vendosur në aeroportin e Nishit. Sikundër dihet, vendimi për krijimin e SHRC u mor gjatë vizitës së Presidentit Medvedev në Beograd në vitin 2009 dhe filloi zyrtarisht në tetor 2011. Për vite me radhë, Moska ka kërkuar që Beogradi t’i japë personelit të SRHC të njëjtin status që gëzojnë trupat e NATO-s nën Marrëveshjen e Statusit të Forcave (SOFA) nënshkruar në 2015, duke theksuar përfshirjen e SHRC në trajtimin e zjarreve dhe përmbytjet si provë që gjoja ka një mision thjesht humanitar.
Invazioni rus në Ukrainë ka hapur Kutinë e Pandorës dhe janë aktive të gjitha opsionet destabilizuese, ku Serbia me të drejtë targetohet si një prej eksportuesve më të medhenjë të destabilizimit në rajon. Faktet janë të shumta dhe mjafton të ndiqet vetëm ambicja serbe për t’u armatosur, një pasion ky mesjetar që është në shërbim të ëndrrës hegjemonsite serbe për të pushtuar toka të huaja. Ky pasion ishte shprehur më mirë se kudo tjetër në Kosovë, ndërkohë që autoritet tona kanë shprehur haptazi shqetësimet e tyre ndaj këtij kursi militarist të Serbisë. Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Twitter tha se Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë.“Serbia zbuloi publikisht sistemin e raketave kundërajrore me rreze të gjatë K-3 të marrë së fundmi nga Kina. Serbia është i vetmi vend evropian që pranon dhe operon një sistem të tillë armësh kineze. Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Vela.
Në anën tjetër, mundësitë e thellimit të aleancës ruso-serbe në kohën kur po vazhdon konflikti në Ukrainë, janë shikuar me skepticizëm nga diplomatët perendimorë. Ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se nëse mendohet se Rusia do t’ia zgjidhë problemet e Serbisë në lidhje me Kosovën, atëherë është mendim i gabuar.
“Rusia nuk duhet të merret model tash. Nuk është një vend që do të dëshironit si mik apo aleat. Por, njerëzit në Serbi duhet të vendosin në çfarë drejtimi duan të shkojnë. Ideja se Rusia do t’i zgjidhë problemet serbe në Kosovë apo diku tjetër, vetëm shikoni situatën në Ukrainë dhe më thoni nëse është mirë që Serbia të mbështetet për çdo gjë në Rusinë”, tha Hill.
Pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, institucionet tona janë shprehur pro anëtarësimit të Kosovës në NATO duke kërkuar procedura të përshpejtuara, ndonëse ekspertët thonë se një anëtarësim në këtë mënyrë duket i vështirë për tu arritur. Por ata sugjerojnë që Qeveria e Kosovës të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë si në planin rajonal edhe në atë të përfaqësimit në organizmat ndërkombëtare, duke aluduar edhe në sistemin kolektiv të mbrojtjes. Përfshirja e Kosovës në këto organizma, do ta shtonte jo vetëm aftësinë tonë mbrojtëse, por do të ndërgjegjësonte në një shkallë më të lartë bashkëpunimin institucional Tiranë-Prishtinë, i cili duhet të jetë shumë më dinjitoz dhe gjithpërfshirës seç është aktualisht.

Prishtinë, 2 maj 2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pandemia e koronavirusit, e cila ka izoluar pjesën të madhe…