Kosova e Serbia drejt përshkallëzimit të betejës ekonomike

29 maj 2019 | 10:57

Qeveria e Kosovës është e gatshme që t’u kundërpërgjigjet masave eventuale të paralajmëruara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kundrejt ekonomisë së Kosovës, thonë zyrtarë të institucioneve qendrore në Prishtinë.

Paralajmërimet për masa ekonomike ndaj Kosovës, vijnë nga zyrtarët në Beograd, sipas të cilëve, nëse Kosova nuk e shfuqizon taksën doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, këto dy vende do të kundërpërgjigjen.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se secili veprim që mund të merret nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kundrejt ekonomisë së Republikës së Kosovës, nuk janë asgjë tjetër, përveç vazhdimit të praktikave që janë duke u zbatuar për 19 vjet nga këto shtete kundrejt Kosovës.

“Të gjitha këto pengesat, burokracitë e ndryshme, pengesat në eksport transit për produktet e Kosovës, mosnjohja e dokumenteve të Kosovës, kanë qenë mostër qysh qe 19 vjet që janë përdorur nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Dhe ky paralajmërim i zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë është vetëm emërim i këtyre masave të cilat qe 19 vjet i ka përdorur Serbia”, ka thënë Shala.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ditë më parë ka thënë se Serbia ka përgatitur masat, por do t’i përdorë ato që të mos i godasin edhe serbët e Kosovës. Sipas tij, ato masa janë me karakter të kufizuar, por disa prej tyre ‘janë përgatitur dhe do të jenë tepër të fuqishme dhe të mprehta’.

“Nuk do t’i zbatojmë ato deri në përfundimin e takimit në Paris”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar takimit ndërmjet lidershipit të Kosovës dhe Serbisë të cilin e kanë thirrur Franca dhe Gjermania më 1 korrik në Paris.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/beteja-ekonomike-kosova-serbia/29968911.html.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Evropian do të publikojë sot dokumentin e strategjisë së…