Kosova e Serbia e fajësojnë njëra-tjetrën për tensionet në veri

01 qershor 2023 | 11:17

Serbia duhet të ndalojë aktivitetet e saj që synojnë destabilizimin e Kosovës për t’i dhënë fund dhunës në veri të vendit, tha të enjten presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

“Sfida vjen nga Serbia, një vend që ende duhet ta pranojë të kaluarën e tij”.

“Situata është e tensionuar, por ne duhet të sigurohemi që të rivendosim sundimin e ligjit në Kosovë dhe të kuptojmë se kërcënimi vjen nga mohimi i ekzistencës së Kosovës si shtet sovran nga ana e Serbisë”, ka thënë Osmani për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Osmani ka thënë se Serbia po mbështet aktivisht “strukturat ilegale” në Kosovë për të destabilizuar vendin nga brenda.

Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale serbe”, të dirigjuara nga Beogradi, për tensionet në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.

“Presidenti Vuçiq duhet të ndalojë së mbështeturi bandat kriminale nëse ai vërtet dëshiron paqen”, ka thënë ajo duke shtuar se “ai ende nuk e ka treguar këtë”.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka hedhur fajin te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai, të enjte u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, “kryetarët e supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.

Duke folur pas mbërritjes në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, Vuçiq, ka thënë se një hap i tillë do të ishte “lëvizja më e fuqishme” për zgjidhjen e krizës.

Në një postim në llogarinë e tij në “Instagram”, Vuçiqi ka thënë se nuk pret takime të lehta me udhëheqësit evropianë në Moldavi.

“Është e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, ka thënë mes tjerash presidenti serb.

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar për një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Një ditë më herët, Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se ai i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës në Sllovaki, të mërkurën, që të luante rolin e tij në zbutjen e krizës dhe shtoi se shpreson që të njëjtin mesazh t’ia transmetonte presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Moldavi.

“Ne kemi arritur në një pikë që është e domosdoshme që nivelet alarmante të dhunës të vërejtura në fillim të kësaj jave të ndalen menjëherë. Dështimi për ta bërë këtë mund të çojë në një situatë shumë të rrezikshme”,ka thënë ai.

 

Samiti në Moldavi do të prekë gjithashtu një sërë çështjesh strategjike, duke filluar nga energjia te siguria kibernetike dhe migrimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NATO-ja është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa…