Kosova ftohet të marrë pjesë në EXPO 2030, që do të mbahet në Riad të Arabisë Saudite
Pas paraqitjes së suksesshme të institucioneve të Kosovës në EXPO 2025, në Osaka të Japonisë, të martën në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti pranoi ftesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në EXPO 2030.
Ftesa u dorëzua nga ambasadori jo-rezident i Arabisë Saudite për Republikën e Kosovës, Faisal Ghazi Hivzi.
Gjatë takimit, Ahmeti konfirmoi interesimin e Kosovës për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje botërore, e cila pritet të mbahet nga 1 tetori 2030 deri më 31 mars 2031.
EXPO 2025 në Osaka u vizitua nga 28 milionë njerëz nga mbarë bota, të cilët patën mundësinë të kuptojnë më shumë edhe për Republikën e Kosovës.
Kjo paraqitje u shndërrua në një platformë të jashtëzakonshme për krijimin e marrëdhënieve të reja ekonomike, kulturore, arsimore dhe diplomatike.
EXPO, në nivel botëror, është një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare, e cila organizohet çdo pesë vite, dhe i kushtohet inovacionit, zhvillimit dhe bashkëpunimit botëror, ku shtetet paraqesin arritjet e tyre dhe krijojnë bashkëpunime për të ardhmen.



