Kosova ka bërë mjaft kompromise, radhën e ka Serbia

15 qershor 2021 | 10:12

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova ka bërë mjaft kompromise në raport me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ajo ka thënë se Kosova nuk duhet ta bëjë asnjë kompromis në fazën finale të dialogut me Serbinë.

Sipas saj, tani është radha e Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Tahiri ka thënë se takimi i parë në mes të Kurtit dhe Vuçiqit është vazhdim i procesit të dialogut dhe jo një fillim i ri ashtu siç po pretendon kryeministri Kurti.

“Epoka e re”: Znj. Tahiri, vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi do të ndodhë këtë të martë. Cilat janë pritjet tuaja nga ky takim?
Tahiri: Është me rëndësi që dialogu i Brukselit ka hyrë në fazën finale të tij dhe në këtë proces pritet të arrihet marrëveshja përfundimtare e cila marrëveshje në thelb duhet të ketë njohjen reciproke mes dy shteteve në kufijtë aktualë. Kjo marrëveshje duhet ti përmbajë çështjet e reparacioneve të luftës, pra të gjitha dëmshpërblimet e luftës që Serbia duhet t’ia bëjë Kosovës për gjithë gjenocidin që ka bërë në Kosovë. Gjithashtu, marrëveshja duhet ta ketë pjesën e suksesionit. Me fjalë të tjera, Kosova duhet ta kërkojë pasurinë që i takon nga ish-Jugosllavia, sepse ka qenë një nga tetë njësitë federale. Kjo i takon Kosovës në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Në bazë të këtyre tri parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dhe në bazë të platformës së Kosovës dhe në respektim të Kushtetutës së Kosovës, duhet të ketë edhe një pjesë të marrëveshjes ku mund të flitet për bashkëpunimet ndërshtetërore sipas interesave të ndërsjella. Ndërsa për minoritetin serb në Kosovë vijë e kuqe është plani i Ahtisarit. Pra, nuk duhet të jepet më shumë pavarësisht që Serbia kërkon kompromise të reja.
Retorika e Serbisë për kompromise është një retorikë që provon ta barazojë agresorin me viktimën dhe kjo nuk duhet të lejohet, sepse Serbia ka bërë luftë agresore deri në gjenocid. Në këtë proces Kosova nuk ka se çfarë të bëjë kompromis, sepse kompromisi që ka bërë Kosova është gjaku i derdhur për liri dhe pavarësi dhe, po ashtu, kompromiset që janë bërë në Konferencën e Rambujesë dhe bisedimet e Vjenës. Më shumë nuk mund të bëjë Kosova. Tani është radha e Serbisë ta bëjë kompromisin, ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Epoka e re”: Qëndrimi i kryeministrit Kurti është se ky takim nuk do të jetë një vazhdim i procesit të deritanishëm të dialogut, por një fillim i ri. Si e keni parë këtë qëndrim të kryeministrit?
Tahiri: Kjo është vetëm një lojë fjalësh, sepse nuk ka ndonjë rëndësi kjo deklaratë. Praktikisht ky dialog ka filluar në vitin 2011, pra është një proces në vazhdimësi që tani ka hyrë në fazën finale. Pavarësisht se çfarë deklaron Kurti për opinion apo për konsum të brendshëm, ky është vazhdim i dialogut të Brukselit.

“Epoka e re”: Në raportimin për dialogun në Kuvend, kryeministri ka kritikuar marrëveshjet që janë arritur në këtë proces, të cilat i keni negociuar edhe ju. Cila është përgjigjja juaj?
Tahiri: Së pari dua të theksoj se më ka ardhur mirë që kanë bërë vlerësimin e gjithë procesit të dialogut për aq sa kanë mundur. Atë që nuk e pashë në këtë raport ishte se gjatë gjithë kohës sa z. Kurti ka qenë në opozitë ka thënë se marrëveshjet kanë shkelur ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën. Ndërsa, gjatë fjalimit në Kuvend, kryeministri në asnjë çast nuk tha se janë shkelur ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës. Me fjalë të tjera, ai pranoi se të gjitha marrëveshjet janë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Për vërejtjet që i kanë pasur, unë dua të them se është e rëndësishme që dialogu ka arritur ta integrojë veriun e Kosovës në sistemin shtetëror të Kosovës. Falë bisedimeve në Bruksel, ne sot kemi gjykatat e Kosovës në veri të vendit, kemi policinë në veri të vendit dhe kemi vënë kufirin shtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat kanë qenë të djegura para dialogut. Pra, kemi bërë shtrirjen e institucioneve shtetërore në të gjitha fushat në veri të vendit. Gjithashtu, kemi bërë shuarjen e strukturave paralele në të gjitha fushat, si në: polici, dogana, gjykata, prokurori, energji, telekom dhe në fusha të tjetra. Ky dialog i ka sjellë Kosovës pavarësinë energjetike dhe kodin shtetëror telefonik. Falë këtij procesi dhe fusnotës që kritikohet, Kosova ka arritur të hyjë në rrugën zyrtare të integrimeve evropiane me nënshkrimin e MSA-së me BE-në. Pikërisht kjo fusnotë ka bërë që pesë vendet mosnjohje të BE-së e kanë përkrahur integrimin zyrtar të Kosovës në BE përmes MSA-së.

“Epoka e re”: Edhe kjo qeveri po shkon në Bruksel pa një konsensus nacional. Sa e dëmton kjo pozicionin e Kosovës në këtë proces?
Tahiri: Është për keqardhje që nuk ka një konsensus më të gjerë dhe një bashkëpunim më të mirë mes qeverisë dhe opozitës në këtë proces, sepse kjo është faza përfundimtare e dialogut ku duhet të ketë një pjesëmarrje edhe të opozitës në delegacionin për bisedimet e Brukselit. Shpresoj që në të ardhmen ta kemi një bashkëpunim të tillë.

“Epoka e re”: Gjithashtu, qeveria ende nuk ka paraqitur një platformë për këto bisedime?
Tahiri: Mungesa e platformës është një dështim i qeverisë. Nuk mund të shkohet në një dialog me kaq rëndësi të madhe kombëtare dhe qeveria të mos ketë një platformë për këto bisedime.

“Epoka e re”: Zëvendëskryeministri Bislimi ka ftuar në takim pothuajse të gjithë ish-zyrtarët shtetërorë që kanë qenë të inkuadruar në dialog. Keni pasur ju ftesë?
Tahiri: Më ka ftuar, por nuk kam shkuar në takim. I kam thënë se për çfarëdo që të këtë nevojë të më shkruajë me shkrim dhe unë do t’i përgjigjem. Nga kabineti i Bislimit më kanë kërkuar disa shpjegime në lidhje me disa dokumente. Natyrisht se unë ua kam dhënë shpjegimet dhe disa këshillime me shkrim. Gjithashtu, kam pasur ofertë të jem pesë e ekipit të ekspertëve që është krijuar nga ndërkombëtarët. E kam refuzuar ftesën, sepse nuk më ka pëlqyer oferta. Nuk mund të jem një këshilltare në delegacionin e Brukselit, sepse për këto 30 vjet sa kam qenë e kyçur në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, unë kam qenë lidere vendimmarrëse dhe nuk mund të kaloj tani në pozitë të këshilltares. Pra, nuk ka pasur një ofertë më serioze, prandaj ajo që më është ofruar e kam refuzuar.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Bashkimi Evropian në Kosovë, ka reaguar pas shkarkimit…