Zyra e BE-së në Kosovë reagon pas shkarkimit të Valdete Dakës

15 qershor 2021 | 10:05

Zyra e Bashkimi Evropian në Kosovë, ka reaguar pas shkarkimit të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Shefi i kësaj zyreje, Tomas Szunyog, në llogarinë e tij në “Twitter” ka thënë se është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës.

Tutje thekosi se është e rëndësishme të ruhet pavarësia e KQZ-së, duke siguruar përgatitje profesionale për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit.

“Jemi njoftuar për vendimin e presidentes Osmani për të shkarkuar shefin e KQZ-së, e për të caktuar një të ri. Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet duke siguruar përgatitje profesionale në kohë për zgjedhjet lokale dhe për reformat në ligjin për zgjedhje”, ka shkruar Szunyog.

Të hënën, pas shkarkimit të Dakës, presidentja Vjosa Osmani ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Osmani ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit.

“Kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike. Në procesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione si kurrë më parë”, thuhet në komunikatë.

Sipas Osmanit, kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së.

Për shkarkimin e Dakës pati reagime të ashpra nga opozita si dhe organizatat e shoqërisë civile.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Arsenalit e ka refuzuar një ofertë të tretë…