‘Kosova ka bërë shumë pak për adresimin e krimeve të luftës’

18 janar 08:49

Në Kosovë janë bërë mbi 400 masakra dhe 13 mijë e 500 persona janë vrarë në luftën e fundit. Mbi 1,500 persona konsiderohen të zhdukur ndërsa rreth 20 mijë persona të dhunuar.

Por, përkundër të gjitha këtyre shifrave, shteti nuk ka arritur që këto t’i dokumentojë.

Rozafa Kelmendi nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka thënë se numri i lëndëve të bartura për sistemin e drejtësisë është i lartë. Ndërsa, tha se deri më tani janë shtuar katër prokurorë në Departamentin special për krime të luftës.

“Të shtunën ishim në Reçak dhe fjala më e përsëritur ishte drejtësi. Institucionet tona, mijëra raste që janë bartur nga misioni i EULEX-it, u janë ndarë vetëm dy prokurorëve specialë në Departamentin për krime të luftës”, tha ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Hapi i parë që kemi bërë vitin e kaluar ka qenë shtimi i prokurorëve specialë në këtë Departament. Kanë qenë katër dhe janë shtuar edhe katër, është dyfishuar numri por është ende numër i vogël në raport me numrin e madh të rasteve”, deklaroi Kelmendi.

Përkundër shtimit të numrit për të ndihmuar në zbardhjen e rasteve të krimeve të luftës, Kelmendi thotë se më shumë pritet të bëhet pasi të hartohet një strategji për drejtësinë tranzicionale.

“Ne kemi shtuar katër prokurorë specialë, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy përkthyes, meqenëse kapacitetet në Departament kanë qenë minimale dhe buxheti shumë i vogël. Aktualisht jemi duke punuar që t’i bashkojmë forcat të gjithë, edhe me OJQ-të që të punojmë në themelimin e mekanizimit për dokumentimin e krimeve të luftës, që është hapi i parë për dokumentimin e krimeve të luftës dhe i kujtesës kolektive”, thotë ajo.

“Është duke u punuar edhe në një strategji për drejtësi tranzicionale, që parasheh një numër të madh të veprimeve duke përfshirë edhe buxhetimin. Ne nuk e kemi luksin të gabojmë më”, deklaron Rozafa Kelemendi.

Në anën tjetër, Marigona Shabiu nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) ka thënë se shteti i Kosovës ka bërë shumë pak për adresimin e krimeve të luftës.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që i kanë kryer këto krime të luftës, të vihen para drejtësisë, të vendoset drejtësia për të gjitha viktimat dhe për familjarët e tyre. Kjo është njëra prej shtyllave kryesore ku duhet të ndërtohet narrative për krimet në Kosovë”, tha ajo.

“Ne si organizatë jemi në përgatitje të një ekspozite dhe muzeu që dokumenton krimet e luftës. Shteti ka bërë pak në këtë drejtim. Është shumë e rëndësishme që i gjithë procesi të fokusohet te viktimat e mbijetuara, e që kjo nuk ka ndodhur në Kosovë”, deklaroi Shabiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albanë Mehmetaj  Ernest Koliqi është ndër të parët autor që…