Kosova në këtë pranverë po përjeton tri çështje ndër më të vështirat që nga lufta e fundit

13 prill 2020 | 19:01

Shkruan: Sali Bislimi

Përballja me Covid-19 e cila është duke u rritur frikshëm, shkarkimi i Qeverisë Kurti dhe kriza ekonomike e cila do ta përfshijë vendin pas kësaj pandemie, janë tepër shqetësuese për shtetin e brishtë dhe të varfër të Kosovës.
Kjo situatë politike e shkaktuar nga vet kryeministri në detyrë, me qëllim apo nga mosdija, ndoshta edhe nga mungesa e aftësisë dhe vullnetit të tij për t’u përballur me këtë situatë politike, ekonomike dhe epidemiologjike, ai improvizoj një momentum për një mocion të mosbesimit i cili u votua nga 85 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Të gjendur para mospërgjegjësisë institucionale dhe shtetërore të Kurtit dhe njerëzve të ekstremit të majtë rreth tij, ata me këtë dezertim të Republikës nuk pushojnë ta hedhin paaftësinë e tyre të rivalët politikë, here te lideri i LDK-së Isa Mustafa e herë te presidenti Hashim Thaçi.
Këtë e bëjnë për të kamufluar dobësinë dhe paaftësinë e tyre për të marrë përgjegjësi shtetërore dhe këtë e bënë gjatë 50 ditëve të kësaj qeverisje e cila nga dita e parë u mor vetëm me shkarkime e deri në ditën kur u vetëshkarkua.
Kosova po bën një luftë të vështirë në dy fronte, me atë të pandemisë së Coronavirusit i cili do duhej të ishte fronti nr.1 në Kosovë, që të krijonte një unitet të mbarë spektrit politik për të cilin më se pakti është i interesuar vet kryeprotoganisti i kësaj krize Albin Kurti.
Pa dyshim se në një situatë të tillë të pandemisë, nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhjet por as nuk mund të bëhet fjalë për të udhëhequr vendin në këto rrethana një qeveri tashme e shkarkuar dhe pa besim të shumicës absolute të Kuvendit të Kosovës.
Kjo imponon nevojën që konform Kushtetutës së Kosovës, presidenti i vendit Hashim Thaçi nëse Kurti nuk mund të ofrojë garanci për të bërë një shumicë parlamentare, që kjo mundësi t’i besohet atij subjekti apo koalicioni i cili e ka këtë mundësi dhe garanci për ta bërë shumicën parlamentare dhe ta formojë qeverinë me një mandat të plotë deri në zgjedhjet e radhës.
Dëmtimi i marrëdhënieve historike dhe strategjike me aleatin kryesor të lirisë së Kosovës, me SHBA-në dhe administratën e Uashingtonit, kryeneçësia ekstreme, revanshizmi politik, majtizmi ekstrem deri në radikalizëm na forcon bindjen se ish-kryeministri Kurti duhet për një kohë të pushojë deri në një reflektim dhe ndërgjegjësim të tij.
Është koha për veprime energjike shtetërore e institucionale për një qeverisje e cila ka guximin të merr vendime, masa, hapa dhe adresime shtetërore dhe të përgjegjshme në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besart Berisha po planifikon përsëri largimin nga Austrlia, pas rikthimit…