
Kosova në krizë mendimi e vizioni politik!
Ramadan AVDIU
Ku na shpie mungesa e mendimit politik?
Mendimi politik nuk është luks, as dekor për debatet televizive.
Ai është thelbi i një qeverisjeje që synon të ndërtojë të ardhmen. Edhe vizioni politik nuk është thjesht një slogan elektoral, por busulla që i jep drejtim një kombi.
Sot, Kosova përballet me një deficit serioz në të dyja: mungesë mendimi dhe mungesë vizioni nga klasa politike drejtuese.
Çfarë ndodh kur mungon mendimi politik?
Institucionet humbin kuptimin, politikat publike mbesin pa orientim, dhe vendimmarrja rrëshqet në arbitraritet. Kur nuk ka ide, dominojnë interesat. Kur nuk ka vizion, pushteti kthehet qëllim në vetvete. Ky boshllëk i thellë politik është bërë barierë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Reforma nuk ka, ose janë të çakorduara, gjysmake dhe thjesht të simuluara për efekte publike.
Vendimet e rëndësishme merren në mënyrë të improvizuar, pa analiza të mirëfillta, pa dialog, pa përgjegjësi.
Ndërkohë, besimi i qytetarëve në politikë dhe institucione po tretet. Politika më shumë shihet si një teatër me role të përsëritura sesa si mjet për zgjidhjen e problemeve reale. Dhe aty ku mungon besimi, rritet apatia, dëshpërimi dhe depresioni.
Në vend të vizionit, kemi përballje personale. Në vend të ideve, kemi retorikë boshe. Kjo situatë krijon një terren ideal për populizmin, ku përfitimi elektoral mbizotëron mbi interesin publik. Populizmi nuk ofron zgjidhje. Ofron vetëm iluzione.
Në këtë krizë mendimi dhe qasjeje strategjike, diplomacia e Kosovës është një nga viktimat më të dukshme. Vitet e fundit, vendi praktikisht ka mbetur pa një shërbim diplomatik funksional. Si rezultat, për më shumë se dy vite, Kosova është nën sanksione të BE-së dhe ka dështuar në pothuajse çdo nismë diplomatike… Kjo mungesë diplomacie nuk është thjesht pasojë e paaftësisë teknike, por rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së mendimit dhe vizionit politik dhe strategjik. Kur mungon vizioni, nuk ka as politikë të jashtme. Vetë shteti humb zërin e tij në arenën ndërkombëtare, dhe kjo e bën Kosovën më të dobët, më të izoluar dhe më të pambrojtur. Në mungesë të një orientimi të qartë, Kosova rrezikon të humbë edhe më shumë sovranitetin e vet politik. Pa qëndrime të artikuluara, vendi mbetet i ekspozuar ndaj ndikimeve që mund të jenë në shpërputhje me interesin tonë kombëtar.
Mbase pasoja më e rëndë është ajo që po ndodh me rininë. Në mungesë të një projekti të qartë shoqëror, të rinjtë nuk po gjejnë arsye për të mbetur këtu. Ata po largohen jo vetëm për shkak të mungesës së vendeve të punës, por edhe për mungesë të shpresës. Dhe kjo është një humbje që do ta ndjejmë gjatë.
Është koha për ta rigjetur mendimin politik. Koha për vizion, për ide, për platforma reale. Nuk është më vetëm çështje e klasës politike, është çështje ekzistenciale për të ardhmen e këtij vendi.
Kosova ka nevojë për një projekt të përbashkët që tejkalon interesat afatshkurtra. Për një debat të vërtetë politik që nuk matet me “like” në Facebook, por me ndikim real në jetën e qytetarëve, dhe mbi të gjitha, për një klasë të re mendimtarësh dhe veprimtarësh që interesin publik e vendosin mbi interesa meskine dhe mbi gjithçka tjetër.