Kosova pati një mesatare vjetore prej 4.6% të rritjes ekonomike brenda një dekade

03 korrik 2021 | 14:53

Sipas Rishikimit të të dhënave në BPV, mesatarja vjetore e rritjes ekonomike në periudhën 2010-2019 ishte 4.6%. Rritja më e madhe ekonomike ndodhi në vitin 2011 me 6.3%.

Fillimisht po sqaroj për opinionin se Bruto Produkti Vendor (BPV), është treguesi më i rëndësishëm ekonomik në Sistemin e llogarive kombëtare, që në fakt paraqet përformancen e ekonomisë së një shteti në një periudhë të caktuar.

Në fillim të muajit Maj të këtij viti, pas një pune të mundimshme disa vjeçare, ASK-ja publikoj të dhënat e rishikuara për BPV-në, apo me termin standard bëri revidimin e të dhënave për periudhën 2008-2019.

Për habi, deri tash nuk pat asnjë prononcim, reagim apo reflektim nga institucionet e Republikës së Kosovës. Me këto të dhëna deri tash nuk u mor as Akademia e Shkencave dhe Arteve e Republikës së Kosovës, as Qeveria, as Opozita, as mediat që trajtojnë tema të fushës ekonomike, as edhe një institucion apo organizatë që merren me hulumtime apo strategji të zhvillimit ekonomik të Republikës sonë.

Në praktikat e vendeve të zhvilluara, të dhënat e rishikuara paraqesin ngjarje me rendësi dhe reflektimet e domosdoshme në shumë sektor analizohen në detale, duke dalë në fund edhe me rekomandime shumë të rëndësishme për të gjithë sektorët e të dhënave të rishikuara apo të rividuara.

Për të ju kthyer temës, është Regjistrimi i Bujqësisë 2014 dhe analiza e të dhënave në sektorin e bujqësisë që nxiti planifikimet e para për rishikim të të dhënave në disa sektorë. Kompletimi i të dhënave në Llogaritë ekonomike në bujqësi, identifikoj diskrepancat me të dhënat e deri atëhershme që kishte në dispozicion njësia për prodhimet e statistikave zyrtare për BPV. Pas analizave dhe bashkëpunimit me ekspertë dhe organizata ndërkombëtare, rishikimi i të dhënave është vendosur si prioritet strategjik në “Programi i Statistikave Zyrtare 2018-2022”, si dokument strategjik statistikor pesë vjeçar në kuadrin e Sistemit Statistikor të Republikës së Kosovës.

Fillimisht u krijua Departamenti i Llogarive Kombëtare si departament i veçantë, duke krijuar edhe njësinë e re për prodhimin e të dhënave statistikore për ekonominë e pavrojtuar apo informalitetit. Fokusimi tek posedimi i të dhënave tek ekonomia e pavrojtuar për disa sektor, ishte njeri nga aktivitetet të cilat dhanë frytet e veta. Gjithashtu, u realizuan disa vlerësime përmes mbështetjes së fondeve nga IPA. Për këtë sukses të arritur duhet përgëzuar stafin profesional të ASK-së dhe gjithë stafin tjetër të angazhuar në këtë proces, duhet falënderuar ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare për ekspertizën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë asaj periudhe, sidomos Eurostatin dhe SIDA-në suedeze.

Kur krahasojmë rezultatet sipas viteve në dy grafikët e paraqitur, vërehet çartë dallimi tek treguesit e BPV-së para rishikimit dhe atyre pas rishikimit. Në çdo vit ka dallim, diku më pak e diku më shumë. Ka vite që ka ngritje dhe ka vit që ka zbritje, por kryesisht kemi ngritje, që tregon se në përgjithësi rritja ekonomike në Republikën e Kosovës ka qenë më e madhe.

Marrë në mesatare vjetore gjatë periudhës 2009-2019 të rishikimit, rritja ekonomike ishte 4.63%, apo për 1.01% më e madhe se sa para rishikimit. Vetëm ekspertët e fushës e kuptojnë se sa është dallimi prej 1.01% në BPV. Ndërsa në dekadën e fundit, gjatë periudhës 2010-2019 mesatarja e rritjes ekonomike është 4.6%, që për shumë shtete të botes mund të jetë vetëm synim.

 

Grafiku 1. Norma reale e rritjes para Rishikimit

CE9312EE-4CB3-4136-989C-BC21B9710ADC.png

 

Grafiku 2. Norma reale e rritjes pas Rishikimit

314817A0-12E6-48E4-9937-BAB079AD53F2.png

Rritja ekonomike më e lartë gjatë kësaj periudhe ishte në vitin 2011 me 6.3%, ndërsa rritja ekonomike nën mesataren e dekadës, ishte në vitin 2012 me 1.7%, 2014 me 3.3% dhe 2018 me 3.4%. Për sqarim, këtu nuk janë përfshirë vitet pandemike 2020 dhe 2021.

Në grafikët 1 dhe 2, janë paraqitur treguesit apo indikatorët makroekonomik sipas ASK-së, për periudhën 2008-2019, por brenda këtij publikimi ka me qindra e mijëra të dhëna apo nëntregues të tjerë, për shumë sektorë të ekonomisë së vendit.

Me rishikimin e të dhënave në sektorin e bujqësisë, konkretisht integrimin e të dhënave të bujqësisë sipas llogarive ekonomike bujqësore, rishikimin e të dhënave të veprimtarisë pyjore, rishikimin e të dhënave të peshkimit, me integrimin e të dhënave të vlerësimit të prodhimit të mishit, domosdoshmërishtë duhet të hartohen, ndryshohen apo freskohen të gjitha politikat, programet afatgjate apo strategjitë në të gjitha këto fusha, qoftë në nivelin e qeverisjes qendrore, qoftë në nivelin e qeverisjes lokale

Me integrimin e të dhënave të Ekonomisë së pa vrojtuar për sektorin e transportit tokësor, sektorin e akomodimit dhe sektorin e shërbimit të ushqimit dhe pijeve, me integrimin e të dhënave nga vlerësimi i qirasë së përllogaritur, me rishikimin e outputit të qeverisë dhe shpenzimeve të konsumit përfundimtar të qeverisë, me integrimin e të dhënave nga vlerësimi i prodhimit, konsumit të ndërmjetëm dhe bruto vlerës së shtuar të institucioneve joprofitabile që iu shërbejnë ekonomive familjare sipas aktiviteteve, rrjedhë qartazi detyrimi i të gjitha institucioneve relevante që kanë përgjegjësi në këto fusha, të bëjnë analiza mbi të cilat duhet rishikuar të gjitha politikat e tyre.

Rishikimi i shërbimeve financiare, pjesës së aktiviteteve ndihmëse të shërbimeve financiare dhe aktiviteteve të sigurimit, rishikimi i prodhimit dhe konsumit të ndërmjetëm të njësive jo-financiare, rishikimi i vlerësimit të taksave dhe subvencioneve në produkte me çmimet e vitit paraprak, rishikimi i shpenzimeve të konsumit final të ekonomive familjare si rezultat i ndryshimeve në prodhimin bujqësor, rishikimi i formimit të bruto kapitalit fiks me çmimet aktuale dhe çmimet e vitit paraprak, rishikimi i ndryshimeve në inventar bazuar në të dhënat e disponueshme, integrimi i të dhënave të importit dhe eksportit të mallrave dhe shërbimeve në përputhje me bilancin e pagesave dhe përmirësimi i vlerësimeve me çmimet e vitit paraprak, sinjalizojnë institucionet e vendit, sidomos ministritë e linjës dhe agjencitë e pavarura, për rishikimin dhe freskimin e politikave të tyre në të gjitha këto fusha.

Të gjithë këta tregues makroekonomik dhe nëntreguesit përkatës, institucionet ekzekutive të nivelit qendror dhe lokal, Kuvendi i Kosovës, organizatat vendore dhe ndërkombëtare, bota akademike dhe mediat, duhet ti analizojnë dhe të reflektojnë mbi impaktet e tyre në jetën socio-ekonomike të Republikës së Kosovës.

Programet, Strategjitë, Planet e veprimit, Politikat, Ligjet, pra në përgjithësi synimi afatgjatë për progresin e një shteti, vendoset mbi faktet dhe të dhënat ekzistuese zyrtare. Pra, mbi treguesit apo indikatorët statistikor të një vendi.

Republika e Kosovës tashmë është pjesë e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Mijëvjeçarit, sipas Agjendës 2030 të lansuar nga OKB-ja, ku si vend kemi shumë për të bërë sipas kësaj Agjende, pasi që ne ende jemi krejt në fillim. Kosova duhet patjetër të ketë si prioritet prodhimin e indikatorëve SDG (Sustainable Development Goals). Në këtë rrafsh ASK-ja, ka një rol determinues, prandaj ky institucion që është shtylla kryesore e Sistemit Statistikor të Republikës së Kosovës, duhet mbështetur e jo neglizhuar. Por, për këtë pjesë do të shkruaj një herë tjetër.

Isa Krasniqi, ish Kryeshef Ekzekutiv i ASK-së, 2011-2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtinë, 1999 I nderuar Kryetar, Të nderuar delegatë të Kuvendit…